Heqja e dritareve në aeroplanët e pasagjerëve mund të mos duket ide e mirë në fillim, sidomos për ata që janë klaustrofobikë, por realiteti ndryshon nga ajo që mendoni. Në fakt, shkencëtarët e Qendrës Britanike për Inovacionet (CPI) duan të krijojnë një lloj ekrani gjigand, në të cilin ju mund të vini çfarëdolloj imazhi të doni, që nga qielli i një qyteti e deri te skena e një plazhi të qetë…
Arsyeja shkencore që qëndron pas këtij koncepti
Për momentin, është thjesht një koncept, dritaret nuk do të zhduken dhe aq shpejt nga avionët, por ka një arsye shkencore pas këtij propozimi. Nëse nuk ka dritare, trupi i avionit mund të bëhet më i hollë, më i fortë dhe më i lehtë, duke pakësuar sasinë e lëndës djegëse që përdoret për udhëtim dhe duke lënë më shumë vend për karriget dhe pasagjerët (për këtë arsye nuk kanë dritare avionët e mallrave). Edhe pakësimet e vogla në peshë dhe në lëndë djegëse, mund të bëjnë një ndryshim të madh në koston e udhëtimit. Pastaj, do të çlirohet në atmosferë më pak CO2 dhe njëkohësisht do të ulet çmimi i biletave.
Një tabelë personale
Përveçse do të projektojnë imazhin që do të zgjidhni ju, këto tabela të teknologjisë së lartë do t’ju mundësojnë të porosisni ushqime dhe pije dhe të rregulloni ndriçimin e karriges suaj. CPI thotë se teknologjia e ndriçimit mund të jetë e tillë që t’u përshtatet edhe ndryshimeve në zonat e ndryshme të globit. Gjithashtu, mund të dispononi edhe filma, faqe interneti dhe harta fluturimi, megjithëse do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe ekranet tradicionale në sediljet e përparme. Kjo nuk është një ide fare e panjohur. Para disa kohësh, studioja e dezainit Technicon Design krijoi një model se si mund të dukej një kabinë avion pa dritare, ndërkohë që Airbus po bën studime për kabinat e pilotazhit pa dritare, ku pilotët mund të përdorin një ekran të madh dixhital, pamja e të cilit nuk do të pengohet nga moti i keq, apo nga vetë avioni.
Një pamje pa ndërprerje
Sipas CPI-së, do të përdoren disa kamera të brendshme për t’u siguruar që imazhi t’i përshtatet animit apo lëvizjes së kokës së pasagjerit. Në fakt, juve do t’ju duket sikur trupi i avionit nuk është fare aty. “Imazhet do të krijohen nga një seri kamerash të montuara në trupin e avionit, ku secila do të shfaqë një pamje të hpësirës jashtë avionit, duke evituar krahët dhe motorrët”, shpjegohet në projektin dhe vetëm disa kamera të fuqishme do të bëjnë një mbulim 360 gradë. Nëse nuk doni të shihni jashtë, ulni perdet virtuale dhe shihni një shfaqje televizive në ekranin para sediljes suaj.
Çfarë do të mund të shihni
Ju mund të shihni edhe lajmet e orës së fundit dhe pozicionin tuaj në qiell sipas të dhënave të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Do të keni edhe një opsion për të parë destinacionin tuaj të fundit, të shënuar me një pikë që shfaqet në horizont. Muri dixhital që do të përdoret, sipas CPI-së, do të jetë i hollë, i lehtë e i përkulshëm dhe gjithë ekranët brenda avionit do të jenë të lidhur me një sistem të brendshëm. E njëjta teknologji mund të përdoret për të bërë celularë të përkulshëm, ose si pjesë të veshjeve inteligjente. Brenda dekadës që vjen, ju mund t’i shihni këto ekrane në shumë aparate elektronikë. Gjithashtu, do të mund të rregulloni ndriçimin dhe fluksin e ajrit me një prekje ekrani afër jush. Do të mund të ndiqni edhe ecurinë e fluturimit dhe gjithashtu, do të mund të porosisni një pije dhe të shihni çmimet që e shoqërojnë, nga muri juaj i madh elektronik. Gjithçka do të jetë e personalizuar, sigurisht, dhe shoqëria do ta dijë me saktësi se kush është ulur në secilën karrige. Kështu, mund t’ju ofrohet të zgjidhni mes pijeve të preferuara, ushqimeve apo filmave. E vetmja gjë e keqe në këtë drejtim është se do t’ju shfaqin edhe reklama me hotele të lira dhe rezervime për taksi, ndërkohë që jeni ende në ajër…
Ende ka shumë rrugë për të bërë në këtë drejtim, por CPI pret që teknologjia të jetë gati për instalimin përfundimtar, brenda dhjetë vjetëve të ardhshëm.