Më drejtoi me kalë
– Ç’do të thotë të shohësh në ëndërr një djalë që përpiqet të të drejtojë me kalë? Më tha: “Hip se të mbaj unë dhe mos ki frikë”. Unë ecja në kalë dhe mahnitesha sa bukur ishte. Ashtu, u zgjova nga gjumi. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Faleminderit.
– Kali përfaqëson forcën, fisnikërinë dhe, në varësi të ëndrrës, vazhdon edhe shpjegimi. Në këtë rast, ëndrra do të thotë që një miku juaj do t’ju ndihmojë në diçka që keni nevojë. Juve ju duket sikur jeni vetëm, por në fakt jo, sepse dikush është gati t’ju ndihmojë me gjithçka. Në momentin që do të keni vështirësi dhe pasiguri, do të shfaqet ky mik dhe do t’ju ndihmojë. Nga kjo gjë do të ndiheni shumë e lumtur, ashtu si edhe në ëndërr.
Shtatzënë, me 4 vajza
– Pashë në ëndërr sikur kisha ngelur shtatzënë dhe kisha katër vajza. E çuditshmja ishte se më rëndonte barku shumë, edhe pse isha 3 muajshe. Doja t’i hiqja, meqë ishin 4 vajza dhe nuk e mbaj mend a dështova apo abortova me dashje, por mbaj mend që më dolën 4 vezë dhe, kur i thyem, tri dolën të prishura dhe vetëm një, e mirë. Më thanë që po t’i kisha mbajtur, do të bëja vetëm një çun dhe u pendova shumë që dështova. Motra ishte ajo që më thoshte gjithmonë që të mos i hiqja. Nuk e di çfarë do të thotë kjo ëndërr, por jam e fejuar. Faleminderit.
– E dashur lexuese, ëndrra juaj tregon që jeni pak e çorientuar këtë periudhë ose jeni para një situate të tillë. Shtatzania ka lidhje me projektet tuaja. Keni në plan disa gjëra për të cilat jeni në dijeni vetëm ju, familja dhe partneri. Jeni gati të hiqni dorë prej këtyre planeve, sepse nuk ndiheni shumë në formë, pavarësisht se keni mbështetjen e familjes. Vezët lidhen me projektet tuaja për jetën, për punën, familjen etj. Duke qenë se tri nga këto vezë ju kanë dalë të prishura, do të thotë që tri punë të nisura nga ana juaj nuk do të rezultojnë të suksesshme. Vetëm një prej tyre do të arrijë të ketë sukses, ashtu siç dëshironi edhe ju. Do të mërziteni për një çështje, por kjo do të jetë kalimtare. Motra juaj është personi që ju shtyn më shumë të guxoni në jetë dhe ju përkrah. Gjithë të mirat!
Më ra unaza në tokë
– Më ka ngelur në mendje një ëndërr para ca kohësh. Kisha pak kohë që isha bërë nënë për herë të parë dhe në ëndërr pashë sikur unaza (rrethi i martesës) më ra në tokë e pasi u rrokullis disa herë, u nda në tre rrathë të tjerë. Ju lutem, më thoni kuptimin. Ju falënderoj.
– E nderuar zonjë, duke qenë se ka kaluar disa kohë, besoj se ëndrra nuk ka ndonjë kuptim të veçantë. Ka edhe ëndrra të cilat e shfaqin parashikimin e tyre edhe pas disa vitesh, por kjo ndodh shumë rrallë. Një ëndërr e tillë, për kohën që e keni parë, tregon që keni pasur një lloj luhatjeje të qetësisë në familje, por duket që e keni kaluar, sepse nuk e keni parë të thyhet apo të prishet, thjesht e keni parë të bëhet në tre të tjera, që do të thotë se keni plot raste të tjera për të rregulluar atë çfarë ju duket se është prishur në familjen tuaj.
Shfaqja e engjëllit
– Ç’do të thotë të shikosh në ëndërr një engjëll? Më ka ndodhur dy apo tre herë të shoh ëndrra të tilla, sikur i lutem një statuje dhe pastaj më bëhet sikur transformohet në engjëll e më ndihmon. Jam në ankth, ju lutem, ma shpjegoni. Sigi.
– E dashur Sigi, ëndrrat tuaja nuk janë shumë të qarta, ama duket hapur që po kaloni një periudhë të vështirë. Duke qenë se këtë ëndërr e keni parë shpesh, ajo tregon se prisni ndihmë apo përgjigje nga dikush. Engjëlli është një simbol pozitiv që tregon se fati nuk ju ka braktisur, thjesht, nuk duhet t’i humbni shpresat. Do të keni rrugëdalje për problemin që keni, mjafton të keni pak durim dhe të shpresoni për të mirën tuaj.
Shikoj numrin 11
– Më ndodh shpesh të shoh shifra në ëndërr, por ai që më është fiksuar më shumë është numri 11. Çfarë simbolizon ky numër? Unë nuk jam as ekonomiste apo llogaritare, s’kam lidhje fare me shifrat në profesionin tim. Pres një përgjigje.
– Numrat në veçanti kanë një domethënie të veçantë, aq më tepër kur shikohen në ëndërr. Numri 11, sipas studimeve, lidhet me intuitën e talentin në një fushë të caktuar, si dhe aftësinë për t’i arritur gjërat lehtë në jetë. Ai simbolizon në njëfarë mënyre krijimtarinë dhe vizionin tuaj, por ka edhe një kuptim tjetër: Duke qenë se 11-a ngjan me dy vija paralele, ajo përfaqëson partneritetin me dikë tjetër. Mos vallë po mendoni të bëheni çift? Nëse jeni çift tashmë, ëndrra tregon se jeni në kërkim të një ekuilibri në jetën tuaj. Varet se ku e gjeni ju veten në këtë ëndërr.
Duke ngrënë fiq
– Para dy netësh pashë në ëndërr sikur shkova te tezja, hipa në pemë dhe haja fiq që ishin shumë të pjekur. A ka ndonjë kuptim?
– Frutat në përgjithësi kanë një kuptim erotik në jetën e çdonjërit që e shikon. Ju keni nevojë për intimitet dhe, pse jo, do të donit të kishit edhe një fëmijë. Pra, kjo është një dëshirë, që po ta doni vërtet, edhe mund ta arrini, sepse fiqtë janë edhe një shenjë pozitive. Jeta juaj do të marrë një kthesë pozitive dhe të ndryshme.
Bleva sandale të bardha
– Shkova në një dyqan bashkë me shoqet e mia, ku pashë një palë sandale të bardha dhe u fiksova pas tyre. Shoqet më thonin të mos i merrja se ishin model i vjetër, por unë doja t’i merrja se s’bën ato sandale dhe, si përfundim, i mora, edhe pse shoqet më shikonin të habitura.
– Një ëndërr e tillë tregon që jeni vajzë me karakter të fortë, keni shumë besim në vetvete dhe sandalet e bardha janë të lidhura me zakonet e vjetra. Jeni tip shumë tradicional dhe të tillë e jetoni edhe jetën. Shpeshherë bini në kundërshtim me opinionet e shoqeve tuaja, por në fund bëni atë çfarë dëshironi ju. Në fakt, ju jeni në rrugë të drejtë, sepse s’ka asgjë të keqe të ecësh sipas traditave, përkundrazi. Ëndrra tregon një lloj mirësie në rrugën e jetës suaj.