Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

“Në tempull” në News24 Anisa Ymeri: Gazetarëve u shkelen të drejtat përditë

 

– Si lindi ideja për emisionin “Në tempull”?
– Pas disa vitesh përvoje si reportere e si gazetare kulture për çka kam investuar prej fundit të vitit 2004 (në nisje në gazetën “Korrieri”, më pas në gazetën “Koha Jonë” e në televizionin Top Nevvs) e pjekjeje profesionale, gjykova se është momenti për të hedhur një hap tjetër, realizimin e një emisioni ku të trajtohen problematikat me të cilat përballet kultura në Shqipëri, për të evidentuar vlera qoftë edhe nëpërmjet antivlerave, për të folur për arritjet e personazheve të rëndësishëm e të qenësishëm shqiptarë, për të cilët aq shumë kemi nevojë. Është një nga ato ide që nis në një ditë, ama merr kohën e saj për t’u formësuar dhe, në këtë rast, është një ide e formësuar për vite me radhë, deri në momentin që mori udhë ky emision.
– Pse u zgjodh pikërisht Anisa për të drejtuar këtë emision?
– Në këtë rast, kam zgjedhur unë ekranin… Isha unë që trokita në derën e drejtorit të Nevvs 24, zotit Hysenbelli, për t’i propozuar prodhimin e një emisioni të tillë. Nuk u mendua gjatë dhe pranoi të investojë në një emision i cili ka target shumë specifik, është larg të qenit një program komercial (arsye për të cilat që shumë drejtues mediash nuk i marrin në konsideranë emisione të tilla), për çka ndjej t’i falënderoj me përulësi drejtuesit e televizionit që besuan se mund ta realizoja, duke qenë se kjo është përvoja ime e parë si moderatore, ndonëse si gazetare punoj prej gati 10 vjetësh tanimë.
– Si e ka pritur publiku emisionin?
– Vështirë t’i përgjigjem me objektivitet kësaj pyetjeje, megjithatë meriton një përgjigje sepse e konsideroj tepër të rëndësishme këtë pikë. Ne, punonjësit e medias, ekzistojmë sepse mendojmë se kemi një publik që na ndjek dhe reagimet e para që kam marrë lidhen me faktin që më në fund po u kushtohet një hapësirë mediatike çështjeve kulturore. Për këtë, ka një publik të caktuar që mendoj se ndjek me kënaqësi një orë në javë tema përtej politikës së ditës, reagimet e të cilit nuk kanë munguar që prej nisjes së emisionit. Ndjej gëzim sepse personat me të cilët kam kontakt prej vitesh, personalitete të nderuara të kulturës e shkencës në vend, s’kanë ngurruar asnjë çast të bëhen pjesë e diskutimit për çështjet ku është ndalur emisioni, gjë që është siguri për një produksion serioz.
– A e ka përmbushur deri tani emisioni qëllimin e tij?
– Po përmend vetëm 1 detaj ku mund të lexohet përgjigjja e pyetjes suaj. Emisioni i 25 tetorit i kushtohej çështjes së ikonave të sekuestruara nga dy koleksionistë privatë, koleksion i cili aktualisht gjendet në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve. Dy studiuesit e ftuar në emision, për të parën herë publikuan imazhe se në cilat kisha ishin vjedhur 2 ikona dhe 1 ikonostas, nga ato të sekuestruarat. Këtë nuk e kishte bërë ende grupi i ekspertëve që po hetojnë çështjen. Nuk vonoi dhe nga organi i akuzës, oficerë të policisë gjyqësore, u vunë në kontakt me ne që t’i ndihmonim të hidhnin më shumë dritë mbi këtë çështje. Kjo ndodhi është një përbushje qëllimi pse ne punojmë, megjithatë, kënaqësi të tilla profesionale nuk i provon çdo ditë.
– E pate të vështirë të kaloje nga njëra fushë e gazetarisë në tjetrën?
– Gjithçka e kam nisur si reportere në gazetë dhe të shkruarit nuk e ndërroj me asgjë tjetër, ndaj kur vendosa të bëja kapërcim profesional drejt televizionit, e kisha me jo pak ngurrim sepse televizioni nuk ka qenë “dashuria ime e madhe” dhe “kam refuzuar” të jem shpesh e pranishme me imazh. Tani, mendoj se erdhi koha e duhur që ta bëj dhe e shijoj ekranin, por pa e tepruar!
– Si ndjehesh në këtë pozicion?
– Bëj atë që kam dashur, një program që të jetë i gjithi në fillim në kokën time dhe më pas, në ekran, ndaj ndjehem shumë mirë!
– Sa i vështirë është kontakti me publikun, për të qenë gjithmonë e arrirë profesionalisht?
– Publiku nuk është diçka abstrakte, ndaj për mua, kontakti me publikun është ai me miqtë, kolegët, familjarët e të njohurit që s’kanë asnjë lidhje me median. Të gjithë i pyes për çdo gjë me të cilën vendos të merrem, që vendos ta sjell në vëmendje mediatike sepse te ky publik që mund të prek, ndeshem me reagimet e para për ide që mund të jenë tema për emisionet.
– Me çfarë sfidash dhe vështirësish përballesh?
– Me gjithfarë sfidash, nga ato që përball çdo ditë cilido punonjës i medias. Shpesh, edhe me pengesa teknike që harrohen kur gjithçka shkon mirë. Vështirësitë më të mëdha në gazetarinë kulturore janë temat që do t’i trajtosh profesionalisht, sepse jo përherë gjen persona që të të flasin troç për çështjet. Shpesh duhet të bësh dhjetëra telefonata për të mbërritur te njerëzit e duhur, që mund të flasin për një çështje, pasi shumë refuzojnë të “kundërvihen”.
– Të është dashur ndonjëherë të ndryshosh skenarin e emisionit në momentet e fundit para se të hysh në transmetim?
– E pamundur të mos ndodhë të ndryshojnë pyetjet, por jo skenari sepse ndryshe, i bie të kesh ftuar personat e gabuar.
– Sa bashkëpunuese je me stafin që punon?
– Përpiqem të jem maksimalisht sepse nga kjo varet si suksesi, ashtu edhe dështimi. I konsideroj si marrëdhënie shumë delikate, ndaj edhe marrin vëmendjen time maksimale.
– Si po e përjeton këtë eksperiencë të re?
– Si përgjegjësi shumë të madhe dhe kënaqësi profesionale, po aq të madhe. Të dyja shkojnë krah për krah dhe janë njësoj të rëndësishme.
– Cila është receta jote për të qenë një gazetare e suksesshme?
– Vetëm për këtë gjë s’ka asnjë recetë. Është një profesion që, nëse nuk e bën me pasion, është mision i pamundur. Duhet vullnet i hekurt për të tejkaluar vështirësitë e fillimit, nga ato vështirësi që kanë stepur shumë reporterë që kanë hequr dorë nga gazetaria; duhet të mos numërosh orët që kalon në punë… apo më mirë thënë, duhet t’i numërosh ato, por vetëm për t’i thënë vetes se ky është përkushtimi që kërkon një profesion i tillë për t’ia dalë mbanë. Lista me “duhet” mund të jetë shumë e gjatë, por dua ta mbyll me më të rëndësishmen ndër të gjitha: Duhet të mos reshtësh së lexuari, pasi kjo të çon drejt një formimi të sigurtë, i cili i duhet shumë një gazetari për të ekzistuar. Nëse nuk është i kultivuar, një gazetar, thjesht mendon se ekziston.
– Kush është Anisa jashtë kamerave?
– Harrakate, shumë harrakate! Megjithatë, përpiqem shumë t’u tregoj prindërve të mi sa të rëndësishëm janë për mua.
– E ndjen veten me fat apo je ti ajo që i ke hapur rrugën fatit?
– S’jam supersticioze, ama mendoj se kam pasur pranë njerëzit e duhur që më kanë hapur sytë kur duhej dhe më kanë zgjatur dorën në momente krize, që i kalon çdokush në jetë. Nëse ky quhet fat, atëhere mund të them se kam qenë dhe jam me shumë fat. Pjesa tjetër është punë dhe, shpesh, atëhere kur është dashur, kam treguar një lloj agresiviteti për të marrë profesionalisht atë që mendoja se më takonte.
– Çfarë bën kur shkëputesh nga puna?
– Fitness, sepse është çlirim psikologjik, po aq sa domosdoshmëri fizike. Takime me miqtë e ngushtë dhe gjithmonë e më shumë, më shijon qëndrimi në shtëpi, larg zhurmave të kafeneve, ku jemi të detyruar të kalojmë pjesën më të madhe të ditës, me hir e pahir. Lexim!
– Ç’mendim ke për tregun mediatik sot në Shqipëri?
– Është shumë i trazuar, ka shumëçka që keqfunksionon dhe, për këtë, një pjesë të mirë të fajit e kemi ne gazetarët që jemi bërë “palë” me heshtjen tonë. E kuptueshme është që për një pjesë të madhe të gazetarëve, të qenit të punësuar në një media është çështje mbijetese, por pyetja që gjithmonë i bëj vetes është: Si mundet që një gazetar t’u kërkojë llogari të tjerëve (institucioneve publike e private e pushtetarëve) për ato që nuk bëjnë, kur ul kokën për të drejtat e tij që i shkelen çdo ditë, kur paguhet keq dhe kur nuk ushqehet dot mirë? Përgjigjja mund të jetë fakti që gazetarët gjithnjë e më pak po kërkojnë llogari sepse punojnë në këtë mjedis mediatik, i cili pak i konsideron ata.
– Një nga personazhet e huaj që do të doje ta kishe në emisionin tënd?
– Nëse do t’ju thoja një emër, e di mirë që do bëhesha pishman sekondin pasardhës, ndaj po ju them se janë vërtet shumë shkrimtarët, poetët, njerëzit e teatrit, filmit apo muzikës që çdokush do të ëndërronte t’i intervistonte. Mbase disa personazhe që tani i kam në kokë, do t’i intervistoj në një ditë jo të largët!
– Një këshillë për të gjithë ata që duan t’i hyjnë rrugës së gazetarisë…
– Ta bëjë këtë profesion vetëm nëse ndjen se mund të përballojë edhe dështimin, vetëm sepse do të jetë gazetar!
– Projekti televiziv i radhës…
– Nëse gjithçka do shkojë mirë me këtë projekt, s’besoj të kem arsye për të menduar tjetër projekt televiziv.

Nga afër… me Anisën
– Në ç’raste nuk bie dakord me miqtë e tu?
– Kur bëjnë moral për jetët e të tjerëve. Është gjëja që më acaron vërtet sepse të bën të harrosh veten. Më duken përherë debate shterpë.
– Gjëja që të lëndon më shumë…
– Mungesa e sinqeritetit. S’ka më mirë se dhembja që përjeton nga diçka që të thuhet troç dhe në sy… përkundër asaj vuajtjes së madhe që përjeton për ato që t’i kanë thënë shumë vonë.
– Po ajo që të gëzon më shumë?
– Kur kuptoj se ia dal të kaloj kohë me njerëzit që dua. Është gëzim që s’ka lidhje me çastet e bukura që kalon nga marrja e një dhurate apo një udhëtim i dëshiruar.
– Sa rëndësi ka pamja e jashtme për ty?
– Aq sa të mendoj se duhet të jem përherë në formë, edhe pse jo gjithmonë ia dal. Kujdesi për dukjen është në fakt respekt për veten, për atë që je brenda.
– Veshja, është tregues i karakterit?
– Më shumë sesa i karakterit, mendoj është tregues personaliteti. S’paragjykoj personat që kanë dukje ekstravagante sepse e gjykoj si të drejtë të çdokujt të vishet siç i pëlqen, ama gjykoj të veshurin jo të përshtatshëm në varësi të momentit të ditës dhe vendit ku ndodhesh. Në auditor s’mund të mbash veshur dekolte, funde apo pantallona tejet të shkurtëra. Është njësoj si të shkosh në plazh me xhup. Në këtë vështrim, mënyrën e të veshurit e gjykoj çështje të një personaliteti të deformuar.
– Cilat janë gjërat që nuk do të doje të mungonin në valixhen e udhëtimit?
– Meqë gjithë telashin psikologjik e kam me flokët që duhet të jenë përherë të drejtuar, aksesorët për ta bërë këtë do të ishte “fatale” të mungonin. Atletet, sepse pa to, nuk shijon dot vendin ku shkon…
– Kujtimi më i veçantë që ruan nga fëmijëria jote…
– Kam qenë aq harrakate sa s’më zinin këmbët vend dhe nuk lija pemë në fshat pa provuar sa të forta i kishin degët. Dhe, meqë një fiku nuk i qëlluan degët aq të forta…
– Sa shpesh nevrikosesh?
– Shumë shpesh! Çështje temperamenti.
– Dashuria për ty është motivi kryesor për të jetuar?
– Duke menduar që dashuria nuk është vetëm raporti mes një gruaje dhe një burri, por ajo që na rrethon çdo ditë në familje dhe tej saj.

Advertisement

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” , libri i ri i shkrimtares Mira Meksi

Next Post

Lavdosh Ferruni: Kujdes, në treg perime e fruta të helmuara me kimikate!

Advertisement