Ajo është e bukur, e ëmbël, tepër në formë dhe shumë energjike. Me siguri, shumë vajza të reja e kanë zili sharmin e saj, i cili bie në sy edhe në klipin “E jotja”. Ndërkohë që amerikanët kanë Kajli Minog apo Madonën, ne kemi Mihrie Brahën. Jeni dakord?
Mia. B: – Mihrie, unë mendoj se duhet të fillosh një biznes të ri: “Sekreti që të mban të re dhe të bukur”… Si mendon?
Mihrie Braha: – Faleminderit që intervistën tuaj me mua, e filloni me komplimente. (Buzëqesh) Unë mendoj se femra shqiptare është e bukur. Janë të bukura gjithë ato vajza që synojnë kurorën e bukurisë shqiptare. Cilësia e jetës ka përparuar shumë dhe si e tillë, sot, edhe afër moshës 60 vjeçare, për shembull Madona, duket shumë bukur. Tani, pa modesti, po e them se është shumë interesante të dukesh bukur edhe në mosha të shtyra, se, si e re, e sapodalë në skenë, është shumë më e lehtë. Shumë më të lehtë e kam patur në moshën 17, 18 apo 20 vjeçare sesa sot, që jam mbi 40 vjeçe. Duhet kurajo, përkushtim, energji pozitive dhe sigurisht, trashëgimi, që të jesh e bukur edhe për një kohë të gjatë. Unë kam mësuar shumë edhe nga përvojat e të tjerëve, por edhe nga përvoja ime…
– Pse “E jotja”? Çfarë ke sjellë me këtë këngë dhe klip?
– Tani ne këndojmë tekstet e krijuesve dhe shpesh, edhe konsultohemi, por edhe jo. Në këtë rast, Granit Gashi apo Genton Studio, kanë shprehur qëndrimin e tyre lidhur më një fakt jetësor, për faktin se sa jemi të vetëdijshëm kur kemi afër dikë që ka vlerë njerëzore dhe sa pendohemi kur atë s’e kemi më afër. Mendoj se fabula e kësaj kënge synon të shprehë ndjenjën e njeriut të pavlerësuar sa duhet në momente të caktuara të jetës. Në klip, ndryshe nga teksti, jepet mesazhi i një jete të bukur, plot rrezatim, pozitivitet, ritëm… Kjo është një këngë afër muzikë dance dhe me ritme verore. Synimi i regjisorit Bledi Malushi dhe produksionit Maximus ka qenë që bukuria njerëzore, me misset e Miss Shqipëria dhe bukuria e atdheut, të futen në ritme moderne dhe si të tilla, të japin një motiv më shumë për t’u shijuar edhe kënga, edhe klipi.
– Çfarë duhet të presin tjetër fansat nga ti?
– Fansat e mi mund të presin edhe një këngë tjetër realizuar nga Agim Kita. Do ta kemi së shpejti në fonotekën tonë e tuajën dhe videotekat tona, të të gjitha kategorive mediatike.
Mihrija dhe pushimet…
– Këtë herë, vera na ka çuditur me kapriçiot e saj, pasi shpesh shiu na i ka prishur planet. Të ka prishur edhe ty ndonjë plan?
– Klipi është xhiruar në Ulqin, ndërsa menjëherë kemi ikur në Jug të vendit, përkatësisht në Dhërmi, për të pushuar pak. Që në ditën e parë, kemi patur shi në Dhërmi, por e bukur ka qenë edhe kjo! (Buzëqesh)
– Ke qenë kurioze për ta lexuar horoskopin e kësaj vere?
– Unë jam Akrep në horoskop. Dikur e kam ndjekur me shumë pasion horoskopin, ndërsa tani nuk denjoj shumë, apo rrallë fare.
– Si pushoi Mihria?
– Vera është mjaft e ngjeshur me impenjimet tona, por ne bëjmë njëfarë plani dhe pushojmë para se të fillojë vala e punës apo edhe në shtator.
– Mënyra jote më e mirë për t’u freskuar gjatë ditëve të nxehta?
– Kondicionerët në makina dhe në shtëpi, shpeshherë, janë shpëtimtarët e vetëm në vapë. Rrallë, ndonjë pishinë, se nuk i kam në qejf. Më shumë shkoj në det.
– Zakonisht, ku të gjejnë pushimet verore?
– Në mbrëmje, koncerte dhe, edhe në pushime.
– …ato më të bukurat që mban mend?
– Në fillimet e dashurisë sonë me Naimin në Kroaci dhe, jo për vendin sesa për kuvendin. (Qesh) Ishim bashkë dhe këtu qëndronte tërë bukuria e pushimeve tona.
– Vendi ku ke ëndërr të shkosh për pushime?
– Do të shkoj njëherë në Bora-Bora dhe një herë, në Bali.
– Kur je me pushime, u përgjigjesh të gjitha telefonatave apo personave të caktuar?
– Nuk jam nga ato që e mbyllin telefonin, por është Platori (djali) ai që 24 në 24 mund të komunikojë me mua apo më mirë të them, unë e marr atë…
– Pushimet e tua më të shtrenjta…
– Nuk bëjmë shumë pushime të shtrenjta, na e imponon jeta. Bie fjala, kur një herë kemi pushuar në Majemi, kemi qenë të sponsorizuar! (Qesh)
Mihria dhe luku…
– Çfarë ka ndryshuar në lukun tënd vitet e fundit?
– Ndoshta më foto mund t’i vëreni më mirë ndryshimet e mia. Unë ndryshoj përherë.
– Po ajo që mbetet gjithmonë e pandryshuar, përveç ngjyrës së flokëve?
– Shpirti im i bardhë dhe parimet e mia.
– Kush të shoqëron zakonisht për shopping?
– Shpesh, Naimi, por shkoj edhe vetëm. (Buzëqesh)
– Ka ndodhur që Naimi të jetë lodhur aq shumë duke të pritur sa ka ikur dhe të ka lënë aty?
– (Qesh) Jo, nuk ka ndodhur që të ikë, por Naimi shpesh thotë: “Unë po pi një kafe e ti shiko. Nëse ke dilema, më thërrit”.
– Ne, femrat, edhe pse i kemi dollapet të mbushura me rroba, përsëri: “S’kam ç’të vesh” themi. Ndodh edhe me ty kështu?
– (Qesh) Po, shpesh bile! Më ndodh që pas një kohe të gjej diçka që e kam blerë dhe s’e kam veshur asnjëherë.
– Ku ke bërë shopping për një kohë më të gjatë?
– Në Paris.
– Veshja që nuk e ke veshur fare…
– Ato që i blej, edhe i vesh, kudo e kurdo!
– Po ajo që i ke dhuruar dikujt së fundi?
– Dy fustane të bukura, dy maturanteve nga Mitrovica, pranverën që shkoi.
– Produkti i bukurisë që nuk mungon kurrë në produktet e tua kozmetike?
– Buzëkuqi.
– Je fiksuar të ndjekësh trendet e fundit apo mjafton të ndihesh komode dhe le të jetë edhe veshje e sezonit të kaluar?
– Edhe trendet, edhe komoditetin! I kombinoj këto që të jem mirë dhe të ndjehem mirë.
Mihria dhe udhëtimet…
– Valixhja jote e udhëtimeve është: E vogël, mesatare apo e madhe?
– Mesatare, por mund të blihet ndonjë e re, sipas blerjeve në qytetin përkatës. (Buzëqesh)
– Çfarë nxiton të fusësh sa më parë në valixhe kur po bëhesh gati për një udhëtim?
– Rrobat e nevojshme për skenë, ato për rrugë dhe makiazhin e duhur.
– …dhe, çfarë harron gjithmonë ta marrësh?
– Rrallë harroj, por kur harroj, harroj keq pasaportën!
– Destinacionet më të shpeshta të udhëtimeve të tua…
– Europa në përgjithësi, sidomos Zyrihu, Gjeneva, Mynihu, Berlini, etj.
– Gjatë udhëtimit, lexon apo dëgjon muzikë?
– Ah, tani, Iphone është shpëtim, sepse ka muzikë dhe lojëra. Ndonjëherë, edhe lexoj.
– Situata më e veçantë që ka ndodhur në aeroport…
– Ka qenë një moment i frikshëm kur njeri luante psikopatin dhe donte me e hap derën e avionit. Stres i madh, por kaloi pa problem.
– Hera e fundit që ke humbur avionin apo valixhen?
– Avionin asnjëherë, kurse valixhen, njëherë kur po udhëtoja për Kopenhagen.
– Ku ke menduar ta bësh udhëtimin e radhës?
– Në Zyrih e më pas, në Nju Jork.
Si do të reagoje nëse…
– …pasi del nga uji, vë re që të kanë rënë rrobabanjot?
– Do të mbulohesha, mundësisht, shpejt!
– …në rërë të humbet diçka me vlerë?
– Më ka humbur një herë një orë shumë e shtrenjë, por hoqa dorë…
– …diku ku po pret, futen pa radhë?
– Nuk do të ndjehesha mirë, por është një fakt tjetër që në botën shqiptare kalojmë ne pa radhë dhe, me ju thënë të drejtën, shpesh, ndjehemi keq.
– …harron diçka të rëndësishme në aeroport?
– Unë zakonisht mundohem që çdo problem ta tejkaloj lehtësisht, pa strese.
– …do të të zhysnin në ujë pa mendje?
– Këtë s’e duroj në asnjë mënyrë!
– …do të të gjuanin me top në kokë padashje?
– Kjo, edhe falet!
– …dikush të mbyll telefonin?
– Nuk i telefonoj më asnjëherë.