Një luan cirku, gjatë shfaqjes së trupës të dëgjuar “Bravo” në Lvov, sulmoi zbutësin e tij Aleksej Pinko dhe për pak e shqeu në copa. Shfaqja u ndërpre sakaq, zbutësin e çuan në spital, ndërsa spektatorët i nxorën urgjentisht nga salla. Zbutësit Aleksej Pinko dhe e shoqja, Veronika, e donin këtë luan dhe ishin miqësuar aq shumë me të saqë nuk u shkonte kurrë ndërmend se ai mund të arrinte deri në atë shkallë. Zbutësja Veronika thotë: “Çdo gjë po shkonte mirë, luanët dolën nga kafazi dhe u ulën secili në vend të vet, me përjashtim të Persejit (kështu e quajnë luanin agresor), i cili po shfaqte disa shenja nervozizmi dhe kryeneçësie. Ne nuk u dhamë rëndësi atyre shenjave, vazhdon Veronika, pasi ai është gjashtë vjeç, ka dy vjet që ka arritur pjekurinë seksuale. Këto dy vitet e fundit e ndjen veten të fortë dhe gjithmonë e më shpesh kërkon të matë forcat me tim shoq. Përpiqet të tregojë se ai është më i forti nga të gjithë luanët dhe zbutësit e tyre. Edhe në rastin konkret, ai, si për të sfiduar zbutësin, zbriti nga vendi ku ishte dhe iu vërsul atij me egërsi. Zbutësi ruajti gjakftohtësinë dhe u përpoq të parandalonte ndonjë të keqe duke e thërritur me emrin përkëdhelës, por ishte e pamundur, Persejit i kishte hipur në tru ta sfidonte, të mundej me të, të maste forcat dhe t’u tregonte të gjithëve se në atë arenë ai ishte zot i plotfuqishëm. Iu hodh dhe filloi t’i shqyente krahët e ta kafshonte nga pulpët. E shtriu përtokë dhe filloi ta dëmtonte në bark. Edhe kur erdhi një nga ndihmësit, nuk mundi ta zbuste, veçse e nënshtroi duke e djegur me ujë të nxehtë dhe duke e rrahur me kamzhik. Të pranishmit, por sidomos fëmijët, u lemeritën e i zuri paniku. I nxorën sakaq nga salla dhe çdo gjë përfundoi pa ndonjë pasojë të rëndë. Ishte fat që me veprimet e Persejit, nuk u bashkuan edhe luanët e luaneshat e tjera”.
Shumë nga punonjësit e cirkut mendojnë se luani e ndërmori këtë veprim pasi u bë xheloz ngaqë zbutësi përkëdheli një luaneshë të re, së cilës Perseji i kishte vënë syrin tash dy vjet…
Advertisement