“Veç një herë me t’puth fort” është klipi me të cilin ajo po bën tashmë xhiron e shqiptarisë me koncerte dhe mbrëmje muzikore pa fund. Por, në gjithë këtë “rrëmujë” angazhimesh muzikore, ne arritëm t’i shkëpusnim një intervistë ku ju do të mund të shuani kureshtjen për gjithçka nuk dinit mbi këngëtaren tuaj të preferuar, që duket se vë shpirtin në gjithçka që bën, ndaj edhe suksesi i është i pandarë…
– Gjyste, tani që flasim bashkë, më thua të lutem ku ndodhesh, çfarë ke veshur, çfarë bën Besarti (djali) dhe cili është ambienti përreth?
– Besarti është në gjumë, jam veshur me pizhamën time të preferuar (është nga të shumtat që i kam seksi, pasi në shtrat gjithmonë preferoj të vishem me ato që më bëjnë të ndihem seksi…) dhe në dhomën time dëgjohet zhurma e detit, që është e inçizuar.
– Ke tashmë dy vjet që je bërë mama për herë të dytë… Si ka qenë për ty kjo periudhë “post mëmësi”?
– Gjithçka deri më tani po shkon për mrekulli. Ndihem shkëlqyer, jam më e kënaqur se kurrë dhe, edhe pse përsëri mami, ndihem më seksi se kurrë. Më pëlqen “Gjystja” në çdo aspekt, tashmë jam kompletuar. Besarti po ma kënaq shpirtin, po më rinon, çdo ditë më bën të ndihem ndryshe dhe bukur, të inkuadrohem me mendje e zemër në botën fëminore.
– Një foto e publikuar në Facebook, tregon Besartin që i bie pianos! Kaq shpejt e ka ndjerë djali thirrjen e talentit në gen?
– Është i interesuar për çdo gjë, sheh Sokolin dhe çuditërisht, e përcjell me vëmendje, si një i rritur dhe pastaj vepron njësoj. Unë i këndoj dhe ai, me “lalala”, “jajaja”, më imiton shkurt, melodikisht, uh, sa kënaqësi! Sa filloj t’i këndoj diçka, më afrohet, më shikon drejt në sy, më përcjell dhe, nëse ndaloj së kënduari, vazhdon ai të këndojë në mënyrën e tij. Me këtë më tregon se do që të vazhdoj t’i këndoj e mua, në atë moment, më duket sikur po më dëgjojnë miliona njerëz.
– Mund të thuhet se je një mama e fiksuar pas djalit?
– Po, jam e fiksuar sepse s’dua të më kalojë asnjë moment pa e shijuar me bebushin tim! Ashtu isha edhe me Rozanën. Fëmijët, kur rriten, i kushtohen shkollës dhe shoqërisë, pastaj natyrshëm me radhë e unë jam shumë e dhënë në përgjithësi pas bebave, më falin jetë, njomësi, unë s’i le rehat duke i puthë. (Qesh) Edhe Besartit, derisa të shkojë në klasë të parë, do t’i rri qepur, përveçse kur të më ndajë nga ai profesioni.
– Një fenomen që vihet re shpesh është që nënat i puthin fëmijët në buzë. Ti, ç’mendim ke për këtë?
– Nëna, fëmijën, në moshë të vogël, e puth kudo. Unë, bebushit tim, ia puth edhe byçën e jo më buzën, sipërfaqësisht. Më së shumti e puthi pas qafe veç “micin” nuk ia puthi se të gjithë trupin, madje edhe thonjtë një nga një, se gishtat, shpesh e më shpesh.
– Cili është filmi i parapëlqyer me kartona, që e shihni të dy bashkë?
– Oh, unë kam mësuar tani edhe këngë për fëmijë në bazë të filmave vizatimorë. (Buzëqesh) Shohim “Animal song”, “Five little monkeys” e kemi të preferuar, pastaj “Gummy bear”, “Incy vvincy spider”, “Topo gigio”, “Tvvinkle little star” etj.
– Cila është marrëdhënia e ndërtuar me vajzën, tani që ka ardhur edhe djali në jetë?
– Nënë dhe motër, krahas nënë dhe bijë. Për të dyja ne, Besi është bosi. (Qesh)
– Thonë që fëmijët sjellin shumë më shumë dashuri në çift e herë të tjera, ndasi, për shkak të përkushtimit të tejskajshëm të nënës kundrejt fëmijës. Cili është rasti juaj?
– Kombinim. (Buzëqesh) Janë që të dyja prezente me kohën. Për çdo gjë po ia dal, por Besi njëherë, pastaj të tjerët.
– Gjyste, duket sikur kenga jote e fundit “Veç një herë me t’puth fort” është një thirrje, një lutje dikujt, por… kujt?
– Tekstet e këngëve, si zakonisht, i shkruaj vetë dhe, edhe ky tekst dashurie, si shumë të tjerë, është një propozim gjinisë së kundërt në një mënyrë tjetër nga ç’jemi mësuar në përgjithësi. Bën pjesë në kategorinë e teksteve si ai i këngës “100%”, veç pak më i butë.
– Gjystja dhe provokimi shkojnë kaq mirë bashkë dhe kjo dihet tashmë… Çfarë do të ishe e gatshme t’i servirje publikut si risi? E ke menduar ndonjëherë këtë gjë?
– Kënga po arrin kulminacion, gjë për të cilën jam e kënaqur. Duke filluar nga vetë teksti, muzika, orkestrimi, klipi, çdo gjë doli perfekt. Kënga tjetër, e cila do të dalë së shpejti, do të jetë edhe më e bukur. Po pres të dal faqebardhë me gjithë këto shfaqje dhe pastaj, të bëj klipin e radhës. Kam bërë gati garderobën dhe po mendoj se cilin produksion të zgjedh për klipin, ndërkohë që i kam disa ide për realizimin. E bukura shikohet, e mira admirohet dhe shyqyr që këto dy kombinacione m’i ka falë Zoti. Për të tjerat, lehtë…
– Ndërsa shumë fansa të duan, shumë femra të kanë ndoshta zili kur shohin jetën që bën, gjërat që të rrethojnë apo dhurata të tilla si Rolexi, surprizë e para disa javëve një mëngjes nga Sokoli, në shtratin tënd. Ti, si ndihesh për këtë?
– Gjithmonë falënderoj Zotin për çdo gjë që kam. Pa dyshim, mundohem gjithmonë të ndjek urdhërimet e tij. Gjithçka që më rrethon e kam nga vetë Zoti, nga puna dhe nga fakti që askujt s’ia dëshiroj të keqen, askënd nuk e lakmoj, veproj për të mirën e krejt atyre që i kam për zemër. Kurrë s’e kam patur Gjysten në vend të parë, por gjithmonë familja dhe puna kanë qenë përparësi. Sa i përket Rolexit, më ka pëlqy gjithmonë, edhe pse çmimi 11.000$ është shumë i lartë, krahasuar me orët e dorës që kam mbajt deri më tani, si Dolce Gabbana, Cavalli, etj., të cilat pastaj i kam fal. Tash e tutje, s’do blej orë tjetër për një kohë të gjatë se më pëlqen shumë modeli, kombinon me çdo gjë dhe mendoj se është një dhuratë që e meritoja. Megjithatë, falënderoj Sokolin për surprizën e bukur. Unë s’kam nevojë për asgjë sepse kam boll, por kjo dhuratë më ka nxjerrë lot gëzimi nga befasia. Unë Rolexin do t’ia blej edhe nuses së djalit nëse më mban shëndeti dhe pres ta gëzoj atë ditë, ndërsa këtë do t’ia bëj dhuratë vajzës, me rastin e martesës. (Qesh) Ka njerëz që blejnë Rolexa çdo vjet, por unë ato që fitoj, i investoj për fëmijët në pasuri të patundshme dhe jam më e apasionuar pas çantave.
– Në kombinimin karrierë–familje, si ia ke dalë t’i ruash balancat?
– Kam vetë bashkëshortin muzikant, kam familje që më përkrah, respekton dhe unë i meritoj të gjitha këto, por çelësi i gjithë kësaj është jeta bashkëshortore sepse pak dyshim e mosbesim do prishte çdo gjë. Unë jam pak si te kënga ime ku them: “Unë nuk jam si zog që mbledh thërrime, por të dua ty krejt për zemrën time”. Nuk rri larg fëmijëve, i menaxhoj punët në mënyrë që të mos mungoj edhe në shtëpi. Unë, për shembull, shkoj në koncert jashtë vendit, fluturoj me avion të shtunën ditën e koncertit dhe kthehem të dielën ose shkoj të premten dhe kthehem të dielën. Kur kam turne të madh, i marr me vete dhe më shoqëron motra që kujdeset për ta në kohën kur unë jam në shfaqje. Tani, edhe ata janë mësuar hoteleve e udhëve të botës bashkë me mua.
– Ndërsa më flet për dashurinë dhe përkushtimin ndaj familjes, do të doja të ktheheshim pas, në kohën kur ti dhe Sokli u martuat. Prej sa kohësh shoqëroheshit dhe si erdhët deri te vendimi për martesë?
– Është histori e gjatë… Një kushërirë më foli mirë për Sokolin, pastaj çdo gjë e bëra vetë. E njoftova në një mënyrë të veçantë … I fola unë e para, isha 15 vjeçe e gjysmë, megjithëse nëna e Sokolit, kudo që më shihte, më fliste, më lavdëronte, më bënte me dije që më pëlqen për djalin, por edhe pse unë dhe vjehrra jemi nga i njëjti vend që quhet “ranxa e qafs” (kemi 600 metra distancë midis dy familjeve), djalin e saj, Sokolin, nuk e njihja. Kam qenë shumë e bukur më thonë dhe kam pas shumë shkuesi (buzëqesh), por baba gjithkujt i thoshte që s’kam vajzë për martesë se vajza ka lëshu trup, po është e re në moshë. Por, ja që fatit s’i dihet. Babi s’e ka pas me qejf martesën time, për shkak se isha e re, 16 vjeçe u martova. Historia e dashurisë tonë është e bukur, e pastër, ngjan pak me ato serialet që kanë pengesa për martesë. (Qesh) Një herë i kam thënë babit: “Tjetër burrë përveç Sokolit s’marr edhe nëse më bjen para Elvis Preslin, por as me ik nga shpia, nuk iki”.
– Dasma, më pas, ishte ajo që kishe ëndërruar? Pati të papritura apo çdo gjë shkoi vaj?
– Dasma shkoi si ato dasmat e mëdha në malësinë time, tradicionale; veç fustani i nusërisë nuk ishte ashtu siç e kisha ëndërru.
– Sot, pas kaq vitesh, çfarë do të doje të kishe ndryshuar?
– I kam përmirësu të gjitha në dasmën e 20 vjetorit të martesës tonë. Fustane nusërie kisha tre në dispozicion, por meqenëse kisha shtuar pak kilogramë, vesha atë me të cilin ndihesha më rehat, pastaj dogja edhe shaminë e beqarit, gjuajta lulet, të gjitha këto me pak rëndësi për një dashuri të madhe që kisha ndaj Sokolit, por ja që një fëmijë 16 vjeçar i kishte ëndrruar për ditën e dasmës dhe më kishin mbetur marak, si duket. (Qesh)
– Ç’strategji keni ndjekur të dy sa i përket aspektit profesional?
– Falë talentit, kemi punu me përkushtim të madh, me seriozitet dhe sinqeritet. Jemi punëtorë të mëdhenj dhe e respektojmë punën.
– Jeni gjendur ndonjëherë në momente të vështira, si në ato ku nuk di ku ke kokën?
– Kam kalu pak nëpër ato faza, por më pas e kupton se s’është asgjë tjetër, veç panik. Tani, vështirë se mund të ndodhin ato raste sepse njeriu duhet të ketë një hapësirë që t’i shohë gjërat më përpara, t’i menaxhojë me kohë dhe t’i realizojë ato me vullnet. Kur të mësosh nga gabimet, ato s’përsëriten më.
– E ke vrarë mendjen për të kuptuar se ku qëndron magjia juaj si çift?
– Vetë jam Gaforre në horoskop dhe kjo më përshkruan më së miri. Sokoli është Binjakët dhe në këtë rast, një Gaforre në jetë bashkëshortore me një Binjak, nuk do të funksiononte veç nëse Gaforrja është tepër e dashurume. Gaforret janë shumë familjare, i duan shumë fëmijët, janë shumë të nxehta në shtrat, janë besnike, por në diçka me ia prish qejfin Gaforres, të largon përgjithmonë dhe më s’ia fiton zemrën… Ah, këtë të keqe e kanë… (Buzëqesh)
– Cila do të ishte arsyeja e vetme që mund të të bënte ta mendoje ndarjen nga Sokoli?
– S’di. Dikur kam thënë tradhtia, por tani, Besi (djali) sikur më ka mbush me jetë dhe mbi çdo gjë do kapërceja, veç mos me ua prish qetësinë e shpirtit fëmijëve.
– Nëse ndodh… Ato që keni mes jush: Fëmijët, ndjenja e të mirat materiale, do të ishin një arsye për t’u ndarë si shokë apo me hatërmbetje?
– S’e kam menduar këtë gjë kurrë. Inshalla s’ndodh kurrë!
– Besarti po rritet si çun mami apo si çun babi?
– Mami është më shumë me të, luan me të, e lan, e vesh, e ushqen, e ndërron, çdo gjë mami, por kur jemi në veturë, ikën te babi se qan për t’i dhënë makinës, ka qejf me u ba shofer. (Qesh)
– Rasti i fundit kur e ke përdorur muzikën për qëllime bamirësie?
– Njerëzit në nevojë i ndihmoj shpesh, ata më drejtohen nga nevoja dhe unë, me aq sa kam mundësi, u pqrgjigjem çdo herë. Kam bërë edhe koncerte humanitare. E fundit si shfaqje ishte në dimër, në Ulqin, për fëmijët me aftësi të kufizuara. Njëkohësisht, edhe një koncert tjetër për një djalë që nuk i shpëtoi sëmundjes edhe pse të hollat për operim u mblodhën në shumë mënyra, jo veç nga pjesëmarrja ime dhe e kolegëve. Me këtë rast, shita një fustan timin Dolce&Gabbana për 2 mijë franga, të cilin e bleu një adhuruese imja, Pake Saliqu nga Lucerni i Zvicrës. Ato të holla i dërgova direkt në llogarinë e djalit të sëmurë i cili sot nuk jeton më… Më është dhimbs shumë ai fëmijë dhe i jam lut Zotit çdo natë: “Merr nga shëndeti im dhe mos ia merr nënës së vet atë fëmijë”. Qëkur kam Besin, për çdo gjë lidhur me fëmijët, prekem lehtë dhe më vjen të qaj.
– Do të birësoje një fëmijë vetëm për t’i ofruar atë që atij i mungon, një familje?
– Po. Kam shoqe që kanë birësuar fëmijë ngaqë s’kishin fatin të lindin vetë dhe janë tepër të kënaqura, u ka ndryshuar jeta për mirë, por janë ca pengesa për birësim nga njerëzit që kanë fëmijët e vet.
– Ç’bën në një ditë që e ke të gjithën tënden, pa dasma dhe mikrofon në dorë?
– Kur kam ndonjë ditë që e kaloj të tërën në shtëpi, gjë që ndodh shumë rrallë, përgatis drekën apo darkën dhe ftoj të afërmit me i qeras.