Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Shpjegimi i endrres tuaj…

Tre djaj

– Isha shtrirë në krevat dhe po rrija. Pas pak, ndjeva një si tërheqje nga këmba. Kur pashë poshtë, ishin tre djaj me ngjyra të ndryshme: Një i kuq, një blu dhe një jeshil. I kuqi po me tërhiqte prej këmbe. I trembur, u kapa te dërrasa e kokës së krevatit, por ajo u thye, pa kaluar një sekondë. Rreth meje u shfaqën njerëz të cilët i njihja dhe ata po më shikonin me përçmim, kurse djajtë, qeshën me të madhe. Ju lutem, më thoni, çfarë do të thotë?

– Djalli, në ëndrra, përfaqëson epshet dhe emocionet tona, të cilat nuk kemi mundur t’i shtypim apo t’i kontrollojmë. Inatet dhe nxitjet e epshit është shumë e vështirë të kontrollohen, ndaj edhe në ëndrra ato na shfaqen në një formë të tillë, si nxitjet e djallit. Brenda secilit prej nesh qëndron forca e kreativitetit dhe e shkatërrimit gjithashtu dhe përgjithësisht, janë frikërat tona (më së shumti, frika nga sëmundjet) që na paraqiten në këtë mënyrë në ëndërr. Ëndrra juaj, tregon domosdoshmërinë që të përballeni me frikërat tuaja, të cilat nganjëherë janë të pajustifikuara. Ëndrra tregon se do të jeni shumë i ngarkuar, por momenti i tanishëm nuk duket shumë i favorshëm për të marrë përsipër çështje të rëndësishme në aspektin profesional, pasi ekziston mundësia që t’ju mashtrojnë. Detaj interesant në ëndrrën tuaj është fakti që tre djajtë kanë ngjyra të ndryshme që lidhen me anët e ndryshme të vetë karakterit tonë. Kjo do të thotë se, pavarësisht se si e keni parë ëndrrën, ajo nuk është negative… Ngjyra e gjelbër në ëndrra simbolizon një përmirësim të mundshëm, progres apo lulëzim, pasi është e lidhur me natyrën dhe paqen, ndërsa bluja, e lidhur me thellësinë dhe stabilitetin. Me sa duket, juve ju sulmon djalli i kuq, pra, ai që është i lidhur me energjinë, rrezikun, fuqinë e pushtetin, ashtu si edhe me dëshirën dhe dashurinë… Mos ndoshta kohët e fundit keni patur një tundim që bie ndesh me moralin apo parimet tuaja? Ndoshta synoni të ecni përpara, por nuk dini nëse rruga që keni zgjedhur do të përqafohet nga njerëzit te të cilët besoni? Djalli qesh me ju sepse jeni ju vetë në jetën reale që grindeni me veten për frikën që keni apo ato që ndjeni, por mos u trembni… nuk do të ndodhë vërtet kështu në jetë. Fakti që në ëndërr ju jeni kundërshtar me djallin, tregon se nuk keni pse t’i trembeni ndonjë sjelljeje të gabuar nga ana juaj. E vetmja gjë që duhet të bëni, është të keni më shumë besim te vetja dhe të mendoheni mirë para se t’i besoni dikujt që e ka vërtet në dorë çështjen për të cilën interesoheni.

Advertisement

 

Gremina

– Shoh gjithmonë të njëjtën ëndërr, sikur bie në greminë dhe pastaj, gjithmonë, zgjohem… Koli

– Ëndrra shpreh një ndjesi frike, boshllëku dhe pamundësie aktuale. Nëse e shikoni ëndrrën herë pas here, siç thoni, mundohuni të kuptoni në cilat momente të jetës suaj e shikoni atë. Mos ndoshta atëhere kur ndiheni keq dhe bosh shpirtërisht? Në vetvete, kjo lloj ëndrre nuk bën ndonjë parashikim dhe, ndonëse mund të duket negative, një ëndërr e tillë, aq më tepër e përsëritur, është e lidhur me një lloj hapjeje tuajën ndaj botës, është simbol i dinamizmit dhe entuziazmit, ndonjëherë edhe i aftësisë për t’u shoqëruar me të tjerët. Në përgjithësi, tregon një predispozitë pozitive për të përballuar gjithçka që të ofron jeta, ndaj unë ju këshilloj të mos e mbani mendjen në përsëritjen e saj, por të shijoni çfarë keni në jetën tuaj. Do ta shikoni se është pikërisht mendimi juaj për të, ai që e kthen dhe e rikthen ëndrrën në netët tuaja…

 

Merimangat dhe pallati pengues

– Në ëndërr isha me familjen me pushime diku në një plazh shumë të bukur. I thashë mamit: “Do të shkoj tek i dashuri t’i them që këtu është një mrekulli dhe duhet të vish patjetër këtu ku jam unë me pushime”. U nisa, por përpara më ngrihej një pallat shumë i madh. Pas shumë përpjekjesh, e gjeta hyrjen e të dashurit, por kur shkova të hapja derën, më dolën përpara dy merimanga shumë të mëdha të zeza, që nuk më linin të hyja brenda. Siç isha në siklet, u zgjova nga gjumi. Pres një shpjegim nga ju. Faleminderit.

Ëndrra tregon se jeni para një ndryshimi ose tranzicioni midis asaj çfarë ndjeni dhe çfarë realisht bëni në realitet. Plazhi i bukur paraqet vizionin tuaj për jetën dhe dëshirën se si do të donit të ishte realisht jeta juaj, sidomos ajo private. Pallati i ngritur është pengesa që ju do të hasni për të arritur qëllimet tuaja, të cilat duket se kanë lidhje pikërisht me personin e zemrës. Doni ta bëni zyrtare, por diçka nga ana e tij ju është bërë, ose do ju bëhet pengesë. Do të kaloni disa vështirësi sidomos në këtë periudhë. Merimangat simbolizojnë problemet tuaja, pengesat, debatet, por edhe forcën tuaj për t’ia dalë mbanë çdo gjëje. Jeni shumë e ngatërruar këto kohë dhe është në dorën tuaj që t’u jepni një zgjidhje problemeve. Vërtet keni pengesa, por duke qenë natyrë krijuese, mund të gjeni një zgjidhje të përshtatshme për ju. Nëse nuk është e thënë që zgjidhja të jetë drejt të dashurit tuaj, atëhere zgjidhja që duhet t’i kushtoni më shumë rëndësi është të kujdeseni për shëndetin tuaj, në radhë të parë. Asgjë nuk bëhet pa dëshirën e tjetrit. Ju nuk mund të luftoni e vetme. Ëndrrat, veç të tjerash, janë edhe këshilluese. Shmangni problemet, qetësohuni dhe bëni një hap mbrapa që të reflektoni më mirë nëse ia vlen të luftoni për atë çfarë doni, apo jo!

 

Kishin çelur kumbullat

– Kam parë një ëndërr shumë të çuditshme, e cila më ka bërë merak. Shkova në fshat te gjyshja dhe më tha: “Dil përjashta se kanë çelur kumbullat”. Dola dhe, ç’të shikoja? Kishte lulëzuar i gjithë vendi! Më kanë thënë se, të shikosh kumbulla në ëndërr, është fatkeqësi. A është e vërtetë kjo gjë?

Nuk duhet të shqetësoheni, sepse një ëndërr e tillë nuk tregon fatkeqësi, përkundrazi, ajo parashikon rini, gjallëri dhe karakterin tuaj të pafajshëm. Nëse gjer tani keni kaluar disa probleme, tani e tutje, pas kësaj ëndrre, do t’i kapërceni të gjitha vështirësitë dhe fati tashmë do të jetë me ju. Pra, siç e shikoni, kjo është një ëndërr fatsjellëse. Gjithë të mirat!

 

Humba të dashurin

– Isha në makinë dhe po udhëtoja me të dashurin tim. E mora për ta ngarë dhe pashë që diçka nuk shkonte me makinën time. Nuk po ecte. I dashuri, më tha: “Ma jep mua se ti nuk di t’i japësh makinës”. I them: “Ok, nise ti makinën se unë po dal pak jashtë”. U gjenda në një ambient të humbur dhe u kujtova se e kisha humbur të dashurin. E mora në telefon, por nuk punonte celulari. Kërkova në xhepin e pantallonave dhe gjeta ca para. Po mendoja se me këto mund të shkoja gjer tek i dashuri, duke marrë taksi. Nga sikleti se nuk po gjeja dot asnjë taksi dhe që nuk po komunikoja dot me të dashurin, u zgjova nga gjumi. Ju lutem, më thoni, çfarë parashikon?

E nderuar lexuese! Një ëndërr e tillë tregon marrëdhënien tuaj me të dashurin, si e menaxhoni atë, si ndiheni për momentin dhe çfarë parashikon e ardhmja. Ka gjëra në jetën tuaj private që kanë nevojë për t’u rishikuar, sepse ju keni kohë që heshtni për diçka, ndaj ka ardhur koha që të reagoni menjëherë, ndryshe mund të rrezikoni marrëdhënien tuaj. Duhet të tregoni që keni edhe ju të drejtë të flisni, sidomos kur shikoni diçka që nuk shkon. Në ëndërr, i dashuri ju merr timonin e makinës, që do të thotë se ai ju drejton siç do ai, pa pyetur për dëshirat tuaja. Vështirësia e komunikimit me celular është vështirësia që keni për t’u shprehur. Paratë tregojnë debate, por edhe vlerën që i jepni vetes suaj dhe, në këtë rast, nuk e vlerësoni siç duhet vetveten. Në ëndërr, në fund, jeni vetëm, keni humbur dhe realisht, ashtu ndiheni në të vërtetë. Nëse ka diçka që nuk shkon, ka ardhur momenti të reagoni dhe t’i jepni një drejtim ndryshe lidhjes suaj. Ky është mesazhi që ju përcjell ëndrra.

 

Me nënën e shokut

– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur isha me disa miq e po festonim diçka jashtë, por nuk e mbaj mend se çfarë. Më telefonoi një shoku im dhe më tha: “Dil në rrugë më prit, se do vij të të marr me makinën time”. Kur po rrija aty, kaluan disa djem me makinë, që më shikonin mua dhe më përqeshnin. Unë ua bëra me dorë, pavarësisht se u ndjeva keq. Pashë makinën e shoku tim, por u habita se në të ishte nëna e tij, që fatkeqësisht, nuk jeton më. Hipa në të dhe ndihesha keq e nuk guxoja ta pyesja për shokun tim. A ka ndonjë kuptim?

– Një ëndërr e tillë, së pari, tregon që jeni në pritje të ndonjë lajmi shumë të rëndësishëm, por kjo pritje po ju torturon disi, sepse nuk e dini ç’lajm do merrni. Se çfarë prisni e dini vetëm ju, por ama jeni në ankth dhe keni frikë se do të talleni nga shoqëria. E gjitha kjo është në mendjen tuaj, sepse realisht, nuk do të ndodhë kështu. Ju keni frikë dhe krijoni ngjarje në mendjen tuaj, për sa kohë po prisni lajmin që vetëm ju e dini. Ama, fundi i ëndrrës tregon që gjithçka do të zgjidhet shumë mirë. Lajmi nuk do të jetë mbase ashtu siç e prisnit, por përfundimi do të jetë pozitiv. Nëna e shokut, pavarësisht se nuk jeton, tregon fat për ju.

 

Në provim

– Kam parë veten në ëndërr sikur isha në shkollë dhe kisha provim, por nuk po i jepja dot drejtim, nuk dija t’i zgjidhja ushtrimet. U kërkoja ndihmë shoqeve, por asnjëra nuk më jepte asnjë lloj ndihme. Theksoj që unë jam shumë e madhe në moshë dhe nuk jam në shkollë.

Shpesh, kur gjendemi përballë një problemi, ose një situate që nuk dimë se si t’i japim zgjidhje, e shohim veten në provim. Keni frikë se nuk do t’ia dilni mbanë, ju duket se keni ngecur dhe nuk po gjeni dot rrugëdalje, ndaj e keni parë këtë ëndërr. Për sa kohë nuk do t’i merrni frenat e jetës tuaj në dorë, do ta shikoni sërish këtë ëndërr. Mos prisni nga askush që t’ju ndihmojë, sepse vetëm ju mund ta zgjidhni situatën, problemin që keni.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Egzon Pireci: Idealja ime, si Rozana Radi

Next Post

Vajzat kerkojne djem...

Advertisement