Florida Meshi është këngëtarja bukuroshe që pothuajse të gjithë jetën e saj është marrë me muzikë dhe ia ka kushtuar asaj. Talentin për muzikë ajo e ka zbuluar që fëmijë në moshën 12 vjeçare kur fitoi çmimin e parë në një festival fëmijësh në Gjirokastër dhe që atëherë kënga u bë pjesë e pandashme e jetës së saj. E do këngën, këngën që brenda saj ka botë dhe i qëndron kohës, edhe pse tashmë komercialiteti është bërë baza e muzikës shqiptare. Ajo, në bashkëpunim me Edmond Zhulalin sapo ka nxjerrë në treg këngën “Dasmën t’ja urojmë” të shoqëruar me klip, të dyja goxha të realizuara…
Fabjola Kuburi: – Florida, përshëndetje, të lutem një prezantim për publikun…
Florida Meshi: – Florida është një vajzë e dashuruar me muzikën, që e shikon muzikën si jetën e saj dhe që përpiqet të sjellë rrallë e për mall këngë perla të muzikës popullore.
– Pse zgjodhe që karrierën tënde muzikore ta realizosh më shumë jashtë Shqipërisë?
– Ndoshta ngaqë unë jetoj prej shumë vitesh jashtë Shqipërisë dhe saktësisht në Londër. Kjo ndoshta është edhe arsyeja kryesore që unë kam kënduar më shumë jashtë trojeve shqiptare.
– Fillimet për çdo profesion janë të vështira, kanë qenë edhe për ty?
– Çdo profesion është i vështirë dhe aq më tepër në fillim. Me mbështetjen e familjes dhe të Zotit arrita të ec përpara.
– Ke një emër të bukur dhe shumë të veçantë, Florida, nga vjen ky emër?
– Oh, faleminderit. Këtë emër e kam dhuratë nga babai im.
– Klipi i ri i yti, titullohet “Dasmën t’ja urojmë ”. Si lindi kjo këngë?
– Është një këngë e realizuar nga i madhi Edmond Zhulali të cilin e falendëroj për përkushtimin që ka treguar në realizimin e kësaj këngë. Është një kënge dasme me motive popullore, motive të cilat më përshtaten shumë.
– Tani që po të takoj, them me bindje të plotë që je shumë ndryshe nga klipi, ama, je shumë herë me e bukur sesa aty. A të ka ndodhur që njerëz mos të të njohin nga ky ndryshim?
– Zakonisht televizioni të nxjerr më ndryshe se ç’je në realitet, sepse ka shumë elementë si make-up televiziv pak i rënduar, stilimi i flokëve që të bëjnë të ndryshosh goxha etj. Ka ndodhur edhe që nuk më kanë njohur, po, më së shumti, më njohin.
– Nëse për një arsye të fortë do të duhej të lije këngën, do ta bëje?
– Nëse do ishte për ndonjë arsye të fortë, të jashtëzakonshme, më saktë, ndoshta. Për arsye të tjera jo, sepse muzikën e kam jetë, e kam motiv për të ecur përpara.
– A është familja është pika jote e dobët?
– Sigurisht që po, familja është pika ime e dobët, por edhe ajo e fortë. Kam patur një mbështetje të jashtëzakonshme nga familja ime për të ndjekur dhe realizuar ëndrrën time. Falendërimet për ata janë pa fund.
– E shikoj që je “ujë dhe sapun”, nuk të pëlqen makiazhi për përditshmërinë?
– Realisht më pëlqen të kujdesem për veten, por që përditshmëria nuk ma kërkon ngarkesën në make-up. Më pëqen thjeshtësia.
– Të është dashur të sakrifikosh për muzikën?
– Vetëm kohë dhe vullnet, por ja ka vlejtur 100%.
– Më the që do vazhdosh me klipe, me këngë të reja, ke ndonjë gjë konkrete në dorë?
– Kam shumë plane, por edhe projekte në dorë dhe shpresoj që shumë shpejt të jenë në duart e publikut. Nuk dua të flas shumë tani, sepse më pëlqejnë gjërat konkrete.
– Bashkëpunimet janë në trend tani dhe zakonisht që të bëhen hite, janë gjithmonë një këngëtar dhe një këngëtare, pse jo dy këngëtare?
– Ndoshta ngaqë është kthyer edhe në trend suksesi mashkull-femër, por besoj që edhe bashkëpunimet mes dy femrave janë po aq të suksesshme sa edhe ato mes një mashkulli dhe një femre.
– Jashtë Shqipërisë këndon live, por këngët i realizon këtu, pse?
– Shqipëria është vendi im, është vendi ku kam lindur dhe përveçse këtu, ku mund t’i realizoj dhe lançoj këngët e mija? Publiku më i mirë për mua është ai shqiptar kështu që…
– Përveç këngës, i dedikohesh diçka tjetër?
– Unë kam mbaruar studimet në degën e Ekonomisë, por i jam dedikuar tërësisht muzikës sepse muzikën e kam pasion dhe tashmë edhe profesion.
– Cila është shoqja jote më e mirë, qoftë në muzikë ose jashtë saj?
– Kam, por nuk dua të përmend emra, sepse nuk dua të bëj dallime, nuk dua t’i ngelë hatri askujt.(Qesh)
– Ke realizuar shumë deri tani, a të ka ngelur diçka që ende e ke në synim, por që s’e ke arritur?
– Kam ende synime për të arritur, kam ende shumë rrugë për të bërë. Deri tani jam e kënaqur sepse ato që kam synuar, i kam realizuar. Shpresoj që të njëjtën gjë të arrij edhe në të ardhmen.
– Ke vite që këndon, çfarë mban mend nga hera e parë që ke kënduar?
– Oh, kam qenë shumë e vogël, 12 vjeçe. Kam pasur emocione sepse kam qenë në një festival në Gjirokastër ku fitova edhe çmimin e parë.
– Cili është synimi i jetës tënde për të ardhmen?
– E ardhmja dua të më gjejë të realizuar tërësisht në muzikë dhe sigurisht me një familje të bukur.
– Ti ecën me plane afatshkurtra, apo afatgjata?
– Varet, bëj edhe plane afatshkurtra dhe afatgjata. Duhen të dyja, edhe pse afatgjatat nuk para realizohen.(Buzëqesh)
– Po ditën e planifikon?
– Bëj plane natyrisht.
– Dhe si të duket dita?
– Relativisht e bukur dhe e ngarkuar.
– E ke planifikuar ku do t’i bësh pushimet këtë verë?
– Po, këtë verë dua të shkoj në Majemi, në SHBA. Është vendi ideal për pushime ideale.
– A ka një dashuri në jetën Floridës?
– Si nuk ka, dashuria ime është muzika.(Buzëqesh)
– Nëse do kishe një lidhje dhe i dashuri do të ngacmonte shoqen, si do reagoje?
– Nuk besoj se mund të ndodhë, por nëse do ndodhte, do i kisha treguar rrugën.
– Me teknologjinë e lartë je e lidhur?
– Po, blej gjithmonë pajisjet e teknologjisë së fundit, i kam merak.
– Po me rrjetet sociale?
– Jam, por nuk kam shumë kohë për të qenë aktive, edhe pse është një mënyrë shumë e mirë për të qenë afër publikut.
– Cili është mendimi yt për gazetën “Intervista”?
– Gazetë e dashur, e lexueshme, e këndshme, shkurt më e mira.
– Planet për të ardhmen?
– Sa më shumë këngë dhe sa më shumë lekë.(Qesh)