E bukur, e ëmbël, këmbëngulëse, e vendosur në arritjen e suksesit; do të ishin këto disa nga përcaktimet për Encën. Dhe, si një peshore që është (në horoskop) ajo duket se di ta peshojë mirë gjithçka edhe në jetën reale ku në çdo dalje të sajën, suksesi duhet të jetë i garantuar… A do të arrijë t’i “peshojë” mirë gjërat edhe në këtë intervistë? Këtë mund ta zbuloni vetë…
Mia B. – Enca, kënga “Ishim ne” është cilësuar si një nga këngët më të bukura dhe më të veçanta që kishte ky Top Fest. Po për ty, pse është e veçantë ajo?
Enca: – Unë dhe bashkëpunëtorët me të cilët punuam këngën, jemi shumë të lumtur që kënga u përcoll dhe u prit ashtu siç donim ne; depërtoi në zemrat e njerëzve… Për mua, kjo, sigurisht, është arritje e madhe, është një prezantim vërtet serioz ku unë shfaq anën time tjetër si artiste edhe më e pjekur profesionalisht.
– Pse me baladë dhe jo me një këngë ritmike?
– Jam vazhdimisht në një proces të pandërprerë pune duke dëgjuar dhe krijuar materiale të reja, por sinqerisht, kishte kohë që po ndjeja nevojën të prezantohesha sërish me një baladë dhe mendova se kombinimi i kësaj kënge me Top Festin, do të ishte perfekt. Megjithatë, besoj se së shpejti, kjo këngë do të vijë edhe me një videoklip.
– “Kujto çfarë më thoje njëherë; Do jem aty, do jem për ty, asgjë s’do mundet kurrë ne të na ndajë dhe të besoja…”. Thuhet se këngëtari është ai që ia sugjeron subjektin tekstshkruesit. Kështu ka ndodhur edhe me këngën tënde?
– (Qesh) Në fakt, me sa kam vënë re, kjo është edhe një nga pasazhet e preferuara të njerëzve nga kënga… E vërteta është se brenda këtyre vargjeve ka edhe pak histori personale.
– A nuk mendon se me këtë këngë i ke thyer edhe më shumë zemrat e thyera?
– Fabula e këngës vërtet përmban trishtim, megjithatë ajo përmbyllet me një varg optimist dhe kështu dëshiroj të ndodhë me çdo këngë timen. Mendoj se i kam prekur zemrat e thyera, por edhe u kam treguar se e nesërmja do të jetë një ditë më e mirë.
– …dhe menjëherë pas këngës së Top Festit, ti pret të publikosh edhe klipin dhe këngën tënde më të re, me titull “A po t’pëlqen”. Di që këtë këngë e ke shumë për zemër dhe mezi po pret që të dalë. Çfarë po t’pëlqen kaq shumë te kjo këngë?
– Oh, po! Është një nga projektet e mia më të rëndësishme për këtë vit dhe jam e bindur që do të pritet shumë mirë. Është punuar gjatë dhe kuruar deri në detaj. Është këngë ritmike pop dhe përcjell shumë nga Enca. (Buzëqesh)
– Po të tjerëve, çfarë mendon se do t’u pëlqejë më shumë tek “A po t’pëlqen”?
– Mendoj se kanë për të shijuar çdo sekondë të sajën.
– Kënga me Noizyn ka shumë kohë që po punohet bashkë me klipin dhe do të jetë këngë verore. Pse zgjodhe pikërisht Noizyn?
– Edhe kjo këngë, si shumica e projekteve të mia për këtë vit, është punuar dhe ripunuar për një periudhë të gjatë kohore. Mendoj se në verë do të jetë periudha e lançimit të saj. Është këngë stil r’n’b-rege dhe jam dashuruar me të që në momentin e parë që kemi dëgjuar instrumentalen në studion e Noizyt, aty ku edhe na lindi idea për duet. Stilet tona muzikore kanë disa pika të përbashkëta dhe menduam t’i shkrinim në një këngë. Është dueti i parë për mua, në kuptimin që kam një të ftuar në këngën time dhe jam e lumtur që është me një nga top-reperat më të suksesshëm që kemi.
– Hera e fundit që kanë shkruar një thashethem për ty, i cili të ka mërzitur vërtet…
– Nuk e mbaj mend, por në më të shumtën e rasteve nuk më bëjnë edhe aq përshtypje e mundohem të mos i marr afër zemrës.
– Sot është më e lehtë se dje të bëhesh e famshme dhe ata që janë në kërkim të famës, janë më të shumtë. Pse mendon se është bërë kaq e lehtë gjetja e famës?
– Në ditët e sotme, ka shumë mënyra për të fituar famë ose popullaritet, shumë mënyra për të tërhequr vëmendje… Fama nuk është e vështirë të fitohet, por të mbahet me sukses.
– Çfarë duhet të ketë një person që t’i rezistojë famës?
– Punë, punë dhe vetëm punë. Nëse s’ke asgjë për të ofruar, nuk ke çfarë të marrësh mbrapsht.
– Është e lehtë të marrësh nga pubiku atë që do?
– Mendoj se është një proces i ndërsjellë dhe reciprok.
– Vajzat e mira apo ato të këqija janë më të suksesshme në jetë?
– Suksesi në jetë është suksesi në jetën tënde private, plus suksesi në karrierë. Mendoj se këtë sukses e arrijnë vajzat e mençura.
– Përveçse këngëtare e mirë dhe simpatike, ti je edhe një nxënëse e shkëlqyer. Je e preferuara e mësuesve edhe si këngëtare?
– (Qesh) Më bëhet zemra mal që ata më ndjekin nëpër aktivitetet e mia, më përgëzojnë dhe krenohen me mua.
– Je shprehur se nuk je dashuruar kurrë. Vazhdon ta thuash?
– Vazhdoj, vazhdoj… (Qesh)
– Si dhe cili është shoku yt special?
– Kam miq meshkuj, por jo ndonjë special.
– Sa arrin të kuptosh nga natyra e meshkujve?
– Ndoshta edhe më shumë nga se kuptojnë ata vetë.
– Rasti i fundit kur të kanë dhuruar lule…
– Dje, më erdhi një buqetë e bukur nga një fans. Lulet do të mbeten një nga dhuratat më të preferuara për mua.
– Cili është komplimenti që të bën të skuqesh?
– (Qesh) Të them të vërtetën, pavarësisht se jam mësuar me komplimente, pothuajse gjithmonë skuqem kur më vijnë të tillë.
– Arrin ta dallosh gjithnjë të vërtetën nga lajkat?
– Sigurisht që po, di kujt t’i besoj.
– Cili është vendi më i mirë në botë për të qenë femër?
– Në një shoqëri ku respektohen të drejtat e femrave dhe u jepet respekti e dashuria e duhur.
– Mendimi i parë që të vjen sapo e sheh veten në ekran…
– (Qesh) Kam një ves të veçantë që, kur e shoh veten në televizor, pa vetëdije, bëj të njëjtat mimika dhe reagime si në ekran. (Qesh) Seç kemi një lidhje të veçantë ne të dyja.
– Më tepër nxitohesh apo i neglizhon gjërat dhe njerëzit?
– Më pëlqen ta kem gjithmonë situatën nën kontroll dhe të mbaj balancën e harmoninë në çdo gjë; nuk neglizhoj pothuajse asnjëherë.
– Çfarë do të ishte një e papritur e bukur për ty në këtë moment?
– Një e papritur e paparashikueshme do të ishte më e bukur. (Buzëqesh)
– Të ka ndodhur që ty dhe mikeshës tënde t’ju jetë fiksuar i njëjti fustan?
– Fatmirësisht, jo.
– Je vajzë e llastuar?
– Nuk mendoj se jam e llastuar, por ndonjëherë më pëlqen të ndihem e përkëdhelur, si çdo vajzë.
– Është më mirë të dyshosh apo të besosh? Beson lehtë te të tjerët?
– Të dyja të lodhin dhe të lëndojnë nëse nuk janë të vërteta. Nuk ma fitojnë lehtë besimin, por në momentin që mendoj se e njoh mirë dikë, vendos nëse mund t’i besoj ose jo. Kam njohur kaq shumë njerëz, ndaj edhe kam aftësi të mira për këtë.
– Një ofertë që nuk e ke pranuar në një moment dhe tani të ka mbetur peng…
– Një nga ndjesitë që urrej më shumë është ajo kur të mbetet peng diçka. Sa herë marr një vendim, sado i vogël apo i parëndësishëm qoftë ai, mendohem mirë para se të vendos. Jam edhe Peshore në horoskop, ndaj kjo është e justifikueshme. (Qesh)
– Nëse do të identifikoheshe me një aromë, cila do të ishte ajo?
– Hëm, ndoshta me aromën e lules së irisit.
– Në ç’rast do ta shihje të nevojshme të gënjeje?
– Kur e di që kjo gënjeshtër nuk do t’i prishte punë asnjërës palë.
– Në ç’gjendje shpirtërore je tani që po flasim?
– Shpirtërisht e lumtur.
– Sendi më i çmuar që zotëron…
– Më pëlqen që disa sende që kanë vlerë shpirtërore për mua, t’i konsideroj si më të çmuarit.
– Nëse mbyll sytë tani, çfarë sheh?
– Det. (Buzëqesh)
– Sa njerëz interesantë ke njohur kohët e fundit?
– Kam qenë kaq e ngarkuar me punët e reja sa nuk kam patur kohë dhe interes për të njohur njerëz të rinj, ndaj as nuk jam në kërkim të njerëzve. Jam e bindur që njerëzit më të rëndësishëm i njeh shumë rastësisht, të paktën për mua kështu funksionon gjithmonë, ndaj këto gjëra më pëlqen t’ia lë rastësisë.
– Projekti yt i ëndrrave, ai për të cilin pret një jetë të tërë që ta shohësh veten?
– Ëndrrat e mia më të afërta janë shumë pranë publikimit. (Buzëqesh)