Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Egzon Pireci: Idealja ime, si Rozana Radi

Ai eshte bere i njohur me këngën e tij “Forever” me Rozana Radin, që flet për një histori të bukur dashurie. Egzonin edhe Rozanën mësuam se i lidh edhe një shoqëri shumë e madhe. Ai shprehet se flet çdo gjë me të, është singëll dhe në kërkim të vajzës ideale, ndërkohë që s`do t’i vinte aspak keq që ajo të kishte pamjen e Rozit. Fola me Egzonin për muzikën dhe gjithashtu për tekstet e këngëve, që i shkruan vetë. Ai është një kantautor dhe një këngëtar shumë i talentuar që, përveç muzikës, ka edhe pasione të tjera, si mjekësia, gazetaria e gjithashtu, Juridiku, ku po ndjek aktualisht mësimet. Jeton larg familjes, por kjo nuk e pengon t’i dojë e të jetë edhe më i lidhur me ta. Për më tepër rreth jetës dhe suksesit të tij, ju ftoj të lexoni këtë intervistë…

Rita Rrjolli: – Përshëndetje Egzon, si je?
– Përshëndetje! Mirë, faleminderit Zotit. Shpresoj, edhe ju të jeni mirë.
– Ku ndodhesh në këtë moment?
– Në këto momente që po ju përgjigjem juve, gjendem në apartamentin tim në Prishtinë, në lagjen Dardani. Numrin e hyrjes nuk po jua tregoj. (Qesh)
– Përreth vetes ke…
– Momentalisht, jam në krevatin tim. Pamjen e kam nga qyteti, po shoh shumë drita, po fryn era dhe ra zilja… Ta shikoj kush është te dera…
– Cila qe dëshira e parë kur u zgjove sot?
– Sot, kur u zgjova, falënderova Zotin që u zgjova si fillim dhe e dyta, po prisja telefonatën e një borxhliu që të m’i kthejë lekët që m’i ka marrë më herët. (Qesh)
– Përveç rolit si këngëtar, të njohim edhe si kantautor… Cila nga këto është më e vështira?
– Përveçse këngëtar, unë shkruaj edhe tekste dhe kam shkruar shumë tekste për këngëtarë të ndryshëm. Të gjitha këngët e mia i kam bërë vetë. Ka periudha ku kam dëshirë vetëm të shkruaj, pastaj ka periudha kur dua të këndoj. Për momentin, këto të dyja po i bëj me shumë dashuri.
– Le të flasim pak për fillimet e tua… Si ishin?
– Karriera ime filloi qysh i vogël. Në moshën 11 vjeçare realizova këngën time të parë. Falënderoj familjen për mbështetjen që më dha që herët. Më pas, për shtatë vjet këndoja në shkollë, në ambientet familjare dhe në çdo manifestim që bënim në shkollën time fillore, në Prizren.
– Për një fëmijë të kësaj moshe ishte arritje, apo jo?
– Në moshën 11 vjeçare realizova këngën time të parë në studio profesionale, pastaj në moshën 15 vjeçare këngën e dytë e kështu me radhë deri sot. Sigurisht që po.
– Muzikën e ke të trashëguar?
– Ndoshta po, pasi nëna ime këndon shumë bukur dhe ka një zë shumë të mirë, edhe pse profesioni i saj nuk është muzika, pasi është infermiere. Mendoj se zërin e bukur e kam dhuratë nga ajo.
– Çfarë do kishe bërë diçka tjetër me po kaq dëshirë?
– Sigurisht, do bëja diçka, por jo me kaq shumë dashuri sa bëj muzikën. Mbase do të isha mjek, ose gazetar.
– Si u prit kënga “Forever”?
– Ashtu siç deshëm. Morëm shumë komplimente për këngën dhe videoklipin. Jam shumë i kënaqur për këtë.
– E kujt ishte idea për bashkëpunim me Rozanën?
– Bashkëpunimi me Rozanën lindi natyrshëm. Së bashku me kompozitorin e këngës, Kushtrim Hajrullahun, e nisëm këngën për duet, por nuk e menduam se me kë. Pastaj lindi ideja se zëri i Rozit do tingëllonte mirë në këngë dhe i bëra ftesën për bashkëpunim.
– Çfarë raporti keni ju të dy?
– Raporti im me Rozin është shumë, shumë i mirë. Ne jemi miq dhe për çdo gjë flasim me njëri-tjetrin. Jemi shokë me SH të madhe të shtypit. (Qesh)
– Thonë se Rozana e ngre zërin shumë gjatë punës… E vërtetë është?
– Absolutisht jo, përveçse nëse puna nuk shkon në mënyrë profesionale dhe ajo nuk lejon që të bjerë niveli i saj artistik. Ka të drejtë, ngaqë karrierën e ka ndërtuar më së miri dhe nuk duhet lejuar një gjë e tillë. Rozi është shumë bashkëpunuese dhe shumë e përpiktë.
– Po këtë herë kush ishte më kërkues në realizimin e këngës?
– Unë kam bërë vijën melodike të të dyve, kështu që edhe barrën më të madhe e kisha unë, për shkak se kërkoja diçka shumë të veçantë, si në këndim, si në tekst. Por, edhe Rozi ishte shumë kërkuese, për të nxjerrë në pah më të mirën dhe për ta realizuar këngën siç është, më së miri. Mendoj se këtë herë të dy ishim mjaft kërkues, derisa erdhëm në përfundim.
– Ku u realizua videoja?
– Videoja është realizuar në Tiranë nga produksioni “Max Production”, të cilët bënë një punë të mrekullueshme dhe të palodhur. I falënderojmë shumë.
– Sa ditë ua dedikuat përgatitjeve të klipit?
– Na u desh një javë për përgatitje, për kostumografi, skenografi dhe për gjetjen e vendeve të xhirimit.
– Çdo natë po du me t’pas ngat… Me nejt me mu deri kur t ‘mzen gjumi… E t’nesermen kur t ‘çohem me t’pas prap afër… E meriton çdo ditë ty me ta dhon… Çfarë me i dhon?
– (Qesh) Atë çfarë po mendon ti dhe gjithë të tjerët. Me ma dhon çdo ditë të jetës së saj, çdo sekondë të saj, edhe gjithçka që mundet, pasi në këngë ne shprehim lumturinë si çift, shprehim dashurinë dhe pozitivitetin që kemi kur gjendemi pranë njëri-tjetrit. (Qesh)
– Si mendon, ka ende njerëz që e thonë dhe e mbajnë premtimin “Forever” (Gjithmonë)?
– Ata që duhen sinqerisht dhe pa fund, e mbajnë premtimin forever dhe i komplimentoj të gjithë ata që kanë vendosur të jenë pranë dhe që e duan njëri-tjetrin pranë përgjithmonë.
– Ti e ke bërë këtë premtim?
– Akoma, sepse akoma, askush nuk e ka rrëmbyer zemrën time.
– Pra, je singëll?
– Po, jam singëll edhe në pritje. (Qesh)
– Femra jote ideale, a mund t’i ngjajë në pamje Rozana Radit?
– Po, pse jo?! Rozana duket për mrekulli.
– Po femrat pak agresive, të pëlqejnë?
– Mos u habisni, por më pëlqejnë edhe femrat agresive. I dua kur bëhen nervoze dhe kur thyejnë çdo gjë që kanë përpara. (Qesh)
– Egzon, cila është dita më e bukur që ke përjetuar deri tani?
– Në jetën time ka pasur shumë ditë të bukura dhe të lumtura. Për këtë, falënderoj Zotin dhe familjen time që gjithmonë më kanë sjellë lumturi, buzëqeshje dhe suksese. Janë aq shumë të tilla, sa s`di cilën të veçoj.
– Po një kujtim që do të doje ta fshije nga kujtesa, e ke?
– Nuk kam kujtim aq të hidhur sa ta fshij nga kujtesa, sepse edhe ato të hidhurat kanë lezetin e vet.
– Hera e fundit, kur ke bërë sherr me dikë…
– Jam person me temperament, por nuk i dua sherret dhe mundohem t’i tejkaloj situata të tilla. Çfarëdo që vjen, mirë se vjen, për shkak se, si shqiptarë që jemi, frikën nuk e njohim.
– Hera e fundit që ke puthur mamanë tënde…
– Hera e fundit që kam puthur nënën, babin, gjyshen, motrën dhe dy vëllezërit e mi (i përfshiva të gjithë më të dashurit e mi) ka qenë para dy javësh, kur isha në Prizren për të kënduar në një klub atje dhe shkova në shtëpi e takova familjen time. U përshëndeta dhe erdha në Prishtinë, për shkak se kam katër vjet që jetoj këtu dhe ndjek studimet në Fakultetin Juridik.
– Po me kafshët, sa i lidhur je?
– Shumë. I adhuroj kafshët!
– Te ne po bën shumë bujë vrasja e qenve të rrugës, po bëhen protesta për këtë… Ti, do t’i bashkoheshe një proteste të tillë?
– Jam plotësisht kundër! Qentë i dua shumë dhe nuk duhet lejuar vrasje të tilla.
– Çfarë zgjidhjeje do t’i jepje ti këtij problemi?
– Më mire do të ishte t’i grumbullonin qentë endacakë dhe t’i dërgonin në një institut të veçantë, ku do të mirëmbaheshin, sesa t’i vrasin. Unë jam kundër kësaj dukurie dhe me shumë dëshirë do t’i bashkohesha një proteste të tillë.
– Si i kalon mbrëmjet e fundjavës?
– Duke kënduar nëpër shumicën e klubeve në Kosovë dhe më gjerë. Kam një grup timin me të cilin interpretojmë live dhe mundohemi të krijojmë atmosferë për të gjithë ata që vijnë të na dëgjojnë.
– E konsumon alkoolin?
– E konsumoj pak, por gjithmonë pa e tepruar.
– Miqtë e tu i përkasin botës së muzikës?
– Shumica e miqve të mi i përkasin botës së artit… Kam shokë të ngushtë që janë aktorë, regjisorë, kompozitorë, instrumentistë, por edhe shokë të fakultetit tim.
– Nëse do të të propozohej pjesëmarrja në “Big Brother” do të pranoje?
– Kam dëshirë që publiku të më njohë si këngëtar, ngaqë unë më mirë di të këndoj sesa të flas. Qëllimi im parësor është muzika dhe për momentin dua që më shumë të përqendrohem këtu. Nëse do të më propozohej pjesëmarrja në një format si “Big Brother”… nuk e di. Do të më duhej kohë ta mendoja.
– Diçka të fundit…
– Ju falënderoj shumë për këtë intervistë kaq të këndshme. Duke ju dëshiruar shumë suksese në punën tuaj, ju përshëndes përzemërsisht.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Anila Çela: Jam gjirokastrite; nuk shpenzoj shumë!

Next Post

Shpjegimi i endrres tuaj...

Advertisement