DIDIER BURKHALTER
Didier Burkhalter është presidenti i Konfederatës së Zvicrës. Korrespondenti ynë në Bernë u mundua këtë javë të takohej me të, por nuk mundi. Deshëm ta pyesnim atë në lidhje me një foto që qarkulloi këtë javë në internet ku ai kishte dalë duke pritur trenin për të shkuar në punë. Ishte krejt i vetëm, pa truprojë apo shoqërues. A e bën shpesh ai këtë gjë? Pse nuk e bezdisin njerëzit në rrugë? Pse nuk ka frikë se mos i ndodh ndonjë atentat? Besoj se përgjigjet e tij do jenë me interes për shqiptarët, sepse, siç mund ta mbani mend, 20 e ca vjet më parë, kur sapo dolëm nga komunizmi, premtimi i gjithë politikanëve ishte që do ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra. Por, edhe pse kaluan 20 vjet, ende Zvicra është larg, shumë larg. Aq larg sa, siç e keni vënë re, politikanët tanë nuk e marrin më si shembull…
EDI RAMA
As këtë javë nuk e takuam dot kryeministrin Edi Rama. As pesë minuta madje, sa t’i bënim një pyetje në lidhje me vizitën e Papa Françeskut: Ai, pasi shenjtëria e tij u largua nga Shqipëria, shkroi se “Ati i Shenjtë u prit me impaktin e një ylli rroku në bulevard”. “Kush është më i njohur, Papa, apo një yll roku?”, deshëm të pyesnim ne zotin Rama. Se, zakonisht, në botë thuhet e kundërta: “që X yll i rrokut, apo i filmit, u prit si Papa”. Apo Shqipëria është ndryshe nga bota, se, këtu te ne, nga kryeministri, që është “çun i vërtetë tirone”, vlerësohet më shumë një yll rroku, sesa Papa i Romës?
ADRIATIK LLALLA
Prokuroria e Përgjithshme lajmëroi të martën në mëngjes me bujë se, në orën 13, në një konferencë për shtyp, do të prezantonte ngritje akuzash për disa zyrtarë. Shumë shqiptarë, nisur edhe nga ajo që kryeprokurori Llalla ka deklaruar disa herë, se ka nën hetim dosje të zyrtarëve të lartë që do të ndryshonin fatet e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian, menduan se, më në fund, ranë në rrjetë edhe ata “peshqit e mëdhenj”, që përmendi Rama para disa ditësh. Por jo. Erdhi ora 13 dhe nuk pati të pandehur, as për korrupsionin, as për Gërdecin e as për 21 janarin. Ndodhi tamam siç thotë shprehja popullore: «U mbars mali e polli një mi». Gjithë ajo bujë, gjithë ai «suspens» që krijoi prokuroria që në mëngjes, ishte për dy grushta e dy shpulla që “hëngri” deputeti Gent Strazimiri në Parlament dhe për një ndërtim pa leje në Fier, bërë nga një deputet tjetër. Këto janë akuzat që po ndryshojnë fatet e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit europian, zoti Llalla? Shumë mirë që hapët proces penal për dy grushta e dy shpulla, po kur do të hapni një proces të vërtetë, që të dënojë dikë për katër të vrarët në bulevard, apo për njëzet e ca të vrarë në Gërdec?
ILIR META
Të enjten, Kuvendi i Shqipërisë, që në mëngjes, nxitoi të japë një sqarim për opinionin publik lidhur me videon ku transmetohej rrahja e deputetit Strazimiri, të transmetuar një ditë më parë nga mediat televizive dhe online. Në këtë njoftim thuhej se Kuvendi distancohet nga publikimi dhe shpërndarja e kësaj videoje në media. Ne deshëm të pyesnim zotin Meta, kryetarin e Kuvendit tonë, përse duhej ky njoftim? Për t’ia lënë “kopilin” në derë Prokurorisë, se kishte frikë mos “hante” edhe ai ndonjë grusht nga zoti Ndoka? Përse nuk thuhej asnjë fjalë aty kundër dhunës? Çfarë është më e rëndësishme, sipas zotit Meta, të distancohesh nga dhuna që tregohet në një video, apo nga shpërndarja e saj?!
ERION BRAÇE
Të premten, deputeti Erjon Braçe reagoi ashpër në Facebook kundër atyre çka kishte thënë një ditë më parë në emisionin “Opinion” Lulëzim Basha, kryetar i PD-së e sidomos kundër fjalëve të tij se “nuk do ta kthejmë kokën prapa”.
“Jo, Lulëzim, jo! Do ta kthejmë kokën pas për çdo ngjarje që bart krim e për të cilën nuk është bërë drejtësi!”, shkruan Erjoni dhe thotë që “ne do ta kthejmë kokën prapa edhe për dëmin e llahtarshëm ekonomik deri në 230 milion euro në vetëm 60 kilometra rrugë, që u bë kur zoti Basha qe Ministër i Transportit, edhe për katër vetë që u vranë në bulevard kur ai qe Ministër i Brendshëm, edhe për 225 kilometra katrore det që ai fali kur ishte Ministër i Jashtëm”. Ne deshëm ta pyesnim zotin Braçe, kush janë këta “ne” që do të kthejnë kokën prapa?! Nuk besoj se ai flet në emër të prokurorisë, apo gjykatave, apo deputetëve e ministrave socialistë, se zoti Rama tha pak ditë më parë se “ai nuk ndërhynte te Prokuroria e gjykatat që janë të pavarura”. Pra, ato nuk marrin urdhëra as nga Rama e as më pak nga deputetet socialistë si Erjoni. Apo, kur thotë “ne”, Erjoni e ka fjalën për veten dhe shokët e tij të Facebookut?!