Selma Peci, ose siç është bërë e njohur në tregun muzikor, Zelma, është një vajzë 17 vjeçe ng Kosova, e cila jeton në Suedi dhe që ka pasion të jashtëzakonshëm muzikën, por nuk i mungon as talenti për të. “Një moment” është kënga e saj e parë, por që ka hyrë me këmbë të mbarë në morinë e madhe të këngëve që lançohen çdo ditë. Kush është Zelma dhe cila është jeta e saj përtej muzikës? Këtë do ta mësoni vetëm nëse lexoni intervistën që kemi përgatitur me të…
Fabjola Kuburi: – Kush është Zelma bukuroshe që ka fituar zemrat e fansave, që me klipin e pare?
Zelma: – Një vajzë 17 vjeçare nga Kosova e cila jeton në Suedi! Kam filluar të merrem me muzikë në moshën 4 vjeçare dhe talentin tim sapo kam filluar ta shfaq me këngën “Një moment”, këngë e cila u prit mjaft mirë nga publiku.
– Emër i bukur Zelma, i veçantë!
– Emri im i vërtetë është Selma, mirëpo me hyrjen në botën e muzikës kam vendosur ta konvertoj emrin në Zelma, që do të thotë: E madhërishme.
– Ishe nervoze para xhirimit të klipit?
– Nervoze, aspak, por ishte pak emocionuese sepse ishte hera e parë. Nuk jam mësuar me xhirimin e një klipi tërësisht timin. Gjithsesi, gjithçka shkoi shumë mirë.
– Ti je ende shumë e vogël. Pse i hyre botës së muzikës? Për ambicie?
– Jo, nuk i hyra për ambicie, por ngaqë muzika më pëlqen shumë…
– Ka ndryshuar jeta jote tani?
– Ka ndryshuar atë ditë kur është publikuar videoklipi dhe kënga “Një Moment”, kur kam marrë shumë urime nga publiku dhe nga fansat, tashmë, vetëm të mitë! (Buzëqesh)
– Shoqëria jote…
– Shoqëria ime më e ngushtë është në Suedi, në vendin ku unë jetoj. Po ashtu, kam shoqëri mjaft të mirë edhe në Kosovë.
– Çfarë gjete ti te kompozitorët e kësaj kënge, që nuk e kanë të tjerët?
– Së pari gjeta stilin që më përshatet mua, por këta janë edhe njerëz që e njohin shumë mirë zhanrin RNB, një zhanër mjaft i vështirë ta punosh dhe realizosh mirë.
– Pse kjo tendencë drejt muzikës së “zezë”, stili i Rihanës?
– Nuk do të thoja stil i Rihanës… Është stil ku unë e gjej veten shumë mirë, stil të cilin e pëlqej dhe që e jetoj.
– Kush të ka sugjeruar për garderobën, ose më mirë, kujt ia ke besuar atë?
– Për garderobën ka qenë e gjithë zgjedhja e imja; unë i kam kombinuar të gjitha stilet…
– Ke marrëdhënie me këngëtarët e tjerë?
– Ngaqë sapo kam hyrë në botën e muzikës, nuk kam pasur ndonjë kontakt të veçantë me këngëtarët e tjerë, por janë disa këngëtarë që e kanë pëlqyer këngën time dhe unë u jam shumë mirënjohëse për mbështetjen që po më japin!
– A ka xhelozi mes tyre?
– Nuk do të preferoja të flisja shumë për këtë temë sepse unë sapo jam futur në botën e muzikës dhe nuk më takon realisht mua të flas. E rëndësishme është që unë kam respekt për të gjithë këngëtarët.
– Sa ngjajnë këngëtarët kosovarë me ata të Shqipërisë?
– Këngëtarët janë këngëtarë dhe mendoj se secili ka stilin e tij të veçantë. Mua më pëlqejnë të gjithë dhe kam respekt për të gjithë.
– Çfarë pretendimesh ke për këtë këngë, edhe pse nga klikimet duket që po ecën me hapa të vrullshëm?
– Pretendimet në fillim i kam pasur të mira sepse teksti ka qenë i mirë e po ashtu edhe muzika, por nuk kam pritur të ecë kaq mirë, gjë që po më befason dita-ditës. U jam shumë mirënjohëse të gjithë atyre që po e pëlqejnë dhe po e dëgjojnë këtë këngë!
– Cila është gjëja e parë që bën kur zgjohesh në mëngjes?
– Falënderimi ndaj Zotit që më bëri të zgjohem shëndoshë e mirë dhe më pas, shikoj telefonin… (Buzëqesh)
– Edhe pse je e vogël, mund të themi që ke ato simpatitë e para, besoj… Do të na tregosh ndonjë sekret?
– Nuk kam pasur simpati dhe të them se as tani nuk kam. Simpati të veçantë kam për këngëtarin Kris Braun, të cilin e kam simpatizuar kur kam qenë më e vogël dhe vazhdoj ta simpatizoj.
– Sa e gjen veten te muzika?
– Do ta shkrij edhe atomin e fundit për të!
– U beson më shumë djemve apo vajzave?
– U besoj më shumë djemve!
– Cilat janë tre gjëra që nuk mungojnë kurrë në çantën tënde?
– Portofoli, celulari dhe çamçakëzat!
– Pa çfarë nuk do jetoje dot?
– Përfundimisht, vetëm pa familjen time.
– Është më e bukur Tirana apo Prishtina? A do të jetoje në Tiranë?
– Mendoj se edhe Prishtina, edhe Tirana kanë bukuritë e veta të veçanta dhe vlerat e tyre; janë dy kryeqytete të mrekullueshme, ndërsa për faktin nëse unë do të jetoja në Tiranë, për momentin nuk mund të them asgjë, ende është herët të flas.
– Përveçse me Zzap &Kriss, do kesh bashkëpunime të tjera?
– Për momentin, kam kontratë 5-vjeçare me Zzap&Kriss. Për të ardhmen ende nuk e di nëse do të kem bashkëpunime me të tjerë apo do të vazhdoj me ta.
– Cili tip mashkulli do të ishte “princi” i Zelmës?
– Tipi ideal apo princi, do të kishte qenë një djalosh i cili së pari do të më respektojë mua, të mbështesë karrierën time muzikore, ndërsa pamjen e jashtme nuk e shikoj shumë. E vlefshme për mua është të ketë bukuri shpirtërore, edhe pse përsëri e them se është herët të mendoj për “princin”…
– Cili është komplimenti më i bukur që të kanë bërë?
– Komplimente të bukura kam marrë nga të gjithë, mirëpo do ta veçoj komplimentin që kam marrë nga këngëtarja jonë e mirënjohur Dafina Zeqiri, e cila më cilësoi si një yll muzike dhe që më dha mbështetje të vazhdoj gjithmonë me këtë ritëm në fushën e muzikës.
– Kë do të merrje me vete në një ishull të vetmuar?
– Shoqen time të ngushtë, Albulenën, sepse shoqëria me të nuk më bën të ndihem asnjëherë e vetmuar.
– Më mirë pushimet në det apo në mal?
– Pushimet, gjithmonë në det!
– Kjo verë, për shembull, me çfarë planesh të gjen?
– Vera do të më gjejë së pari në Kosovë, ku do të mbaj disa koncerte, pastaj do të veçoj Ulqinin, pasi në bregdetin e Malit të Zi do të promovoj këngët e mia. Po ashtu, këtë verë pritet të lançoj edhe disa këngë të reja…
– Cila është cilësia jote më pozitive?
– Kam shumë gjëra pozitive, por do të veçoj sinqeritetin.
– Çfarë nuk bën dot Zelma?
– Zelma nuk di t’i bëjë keq ndokujt!
– Cila mendon se është vlera jote kryesore?
– Karakteri i fortë.
– Çfarë do t’u premtosh fansave të tu?
– Fansave u premtoj që do të sjell gjithmonë për ta muzikë të mirë, videoklipe të bukura dhe që do t’u qëndroj gjithmonë afër atyre.
– Në fund, do shtosh ndonjë gjë që na ngeli pa thënë?
– Në fund, dua t’ju falënderoj për këtë intervistë interesante. Premtoj shumë këngë dhe klipe të reja, po ashtu, edhe bashkëpunime më këngëtarë të rrymave të ndryshme! Zelma