Jam Maria, një nënë nga një qytet jugor i Shqipërisë. Ajo që unë kam hequr, zor se mund të thuhet. Prej vitesh tashmë nuk fle dot natën, shoh ëndrra të këqija dhe i lutem Zotit që ta shkurtojë vuajtjen time, duke ma shkurtuar jetën.
U martova në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Babai më kishte vdekur kur unë isha ende e vogël dhe mua më rriti nëna ime, e cila përveç meje, kishte edhe shtatë fëmijë të tjerë. Nuk kemi qenë të pasur, ama kishim një pasuri akoma më të madhe: Dashurinë për njëri-tjetrin. Nëna ime më mësonte si të gatuaja, si të qëndisja dhe të qepja. Ajo më thoshte se si duhet të sillesha në shtëpinë e burrit me të dhe njerëzit e tij. Për një familje si ne, nderi ishte gjëja më e shtrenjtë që kishim. Kështu u rritëm dhe kështu do të vdesim. Kur nisa të shkoja te të pesëmbëdhjetat, filuan të vinin shkesët që më kërkonin për nuse. Të them të drejtën, kam qenë shumë e bukur dhe djemtë më pëlqenin shumë, por mëma ime ishte shumë e rreptë. Ajo donte një djalë të mirë dhe inteligjent për mua, ashtu siç ia kishte lënë amanet babai. Dhe ashtu u bë. Unë u fejova me një doktor, i cili i premtoi mamasë sime se do të më mbante në pëllëmbë të dorës. Dukej djalë shumë i mirë. Edhe unë e pëlqeva sapo e pashë. Ramë në dashuri, ndonëse u lidhëm me mblesëri.
Kur u fejova kam qenë njeriu më i lumtur në botë. E doja aq shumë Skënderin, sa mezi po prisja që të martohesha me të.
Megjithëse nuk kishim shumë para, mamaja më bëri një dasëm shumë të bukur. Nuk i harroj dot sakrificat që ka bërë për ne gjatë gjithë jetës së saj. Më dha një shembull shumë të mirë,se si duhet të jetë një nënë me fëmijët e saj. Kur isha e vogël doja të bëhesha si ajo, por nuk e dija që jeta është shumë e vështirë e nganjëherë të vë para provash të mundimshme.
Unë u martova dhe nisa jetën si nuse e re. Në fillim e pata pak të vështirë, pasi kisha edhe vjehrrën dhe vjehrrin në shtëpi. Ata ishin njerëz të mirë, por shumë pleq dhe mua më takonte që të kujdesesha për ta si të kisha dy fëmijë. Më pas linda dy djem dhe një vajzë, por jeta ime sa vinte e bëhej më e vështirë. Skënderi nuk po dilte burri që unë kisha imagjinuar. Ai nuk ishte më aq i dashur dhe i përkushtuar ndaj familjes. Kalonte shumë kohë me shokët dhe nuk ishte fare në shtëpi, por as në punë. Ua kishte varur që të gjithave. Sa herë që shkoja në spital, nuk e gjeja. “Ka lëvizur” më thoshin, po se ku shkonte, nuk e dija.
Një ditë, një infermiere që punonte me të, trokiti në derën e shtëpisë sime dhe më tha se donte të fliste me mua. Më shokoi me ato që më tha. Sipas saj, Skënderi më tradhtonte shumë shpesh.
“Shkon me infermieret e reparteve të tjera!”, më tha. “Unë të njoh për grua të mirë dhe të ndershme, ndaj dhe doja të ta thoja. Kjo situatë është shumë e vështirë për mua, por mendoj se ai ka nevojë që të mblidhet. Në repart kanë nisur të flasin shumë keq për të”.
Kjo më ra si bombë. Ne bënim një jetë normale. Vërtet nuk ishim të lumtur, por nuk ishim as aq keq sa Skënderi të vepronte kështu. Por nuk ishte kjo e keqja më e madhe që mund t’i ndodhte familjes sime. Ai nisi të pinte dhe të vinte në shtëpi tapë. Në fillim herë pas here, por më pas çdo ditë. Kjo e bëri të dhunshëm. Sillej shumë ashpër me mua dhe fëmijët, madje edhe i rrihte, ndërsa unë vazhdoja ta kaloja ditën duke u kujdesur për ta dhe prindërit e tij. Mamaja më kishte mësuar që çfarëdo gjëje të ndodhte në familjen time më mirë të duroja, sesa ta merrnin vesh të tjerët. Kështu, të gjithë vuajtjen e mbaja nga përbrenda. Kur nuk kishte njeri në shtëpi qaja sa më dukej sikur do të më dilte shpirti nga vendi, por nuk kisha forcë që t’i ndryshoja gjërat. Vesi i Skënderit kishte filluar të na rrënonte edhe ekonomikisht. Nuk kishim më asnjëherë para mjaftueshëm. Fëmijët donin të visheshin, të hanin, të shkonin në shkollë dhe ne asnjëherë nuk na dilte që t’ua plotësonim nevojat. Kur i shihja, më dhimbte në zemër. E dija që Skënderi i ishte futur një rruge pa kthim. Isha e pashpresë, derisa atij i erdhi nga Amerika një kushëri. Ai kishte shkuar atje që i vogël. Ishte një njeri shumë i pasur, beqar, që gjithë jetën ia kishte kushtuar qejfit. Kur erdhi në shtëpinë tonë u vura shumë në siklet, pasi ai më shihte si një i çmendur. Në fillim kisha frikë se mos e pikaste Skënderi, por ai as që e kishte mendjen tek unë.
Një ditë, ndërsa po bëja punët, ra dera. Ishte kushëriri i tim shoqi. Kur hapa derën nuk desha ta lejoja që të futej brenda. I thashë se Skënderi nuk ishte, ndaj mund të kthehej pasdite.
“Nuk erdha për Skënderin!”, më tha dhe u fut në kuzhinë. Nisi të më vinte rreth e rrotull. I kisha kuptuar qëllimet e tij, ndaj kisha frikë.
“E pashë që nuk jeni shumë në gjendje!”, nisi të më thoshte. “Unë mund t’ju ndihmoj. Jam shumë i lidhur me këtë familje dhe e kam për zemër!”.
Dukej aq i shpifur kur thoshte ato fjalë! Doja ta shporrja me shkelma nga shtëpia, por më erdhën në mendje fëmijët, fytyrat e tyre të vuajtura kur nuk kishin me çfarë të ushqeheshin. Nisa të qaja. Për t’u dhënë atyre gjërat që donin do të më duhej të shisja gjënë më të shtrenjtë që kisha, nderin. Ai njeri që kisha përballë ma shpifte, më bënte të villja, por duhet të bëja diçka për fëmijët. Një javë më pas, isha bërë si një njeri që sapo ka dalë nga çmendina. E vetmja gjë që më qetësonte ishin djemtë dhe vajza. Kushëriri ynë i dashur ishte edhe shumë i zgjuar. Ai asnjëherë nuk më jepte shumë para, në mënyrë që të kthehej shpejt. Vazhdova në këtë gjendje të ndyrë për disa kohë, derisa ai iku sërish në Amerikë. Aty gjithçka nisi nga e para. Skënderi vazhdonte të pinte, ndërsa ne të vuanim pasojat, por edhe pse të varfër, arrita atë që doja, që fëmijët e mi të bëheshin me shkollë. Dy djemtë e mi tani janë jashtë, ndërsa vajza është martuar. Unë vazhdoj të jetoj në shtëpi fillikat, pasi burri më shumë nuk është sesa është këtu. Jetojmë me pensionin e tij shumë të ulët. Ai vazhdon të pijë dhe e di që do ta bëjë derisa të mbyllë sytë. Ndoshta ky është ndëshkimi për atë që unë bëra në jetë…
Advertisement