Kur i hapet goja (është si përgjumësh) një njeriu, u hapet edhe të tjerëve përreth. Pse? Është e çuditshme, por nga studimet e fundit, del se shkaqet nuk janë të karakterit fiziologjik, por kanë, në radhë të parë, bazë social-psikologjike. Shkencëtarët kanë bërë një eksperiment interesant. Një grupi njerëzish u kanë shfaqur një video e cila tregonte se njerëzve në ekran u hapej njërit pas tjetrit goja përgjumësh. Të njëjtin veprim filluan të bënin edhe ata që ndiqnin pamjet në video, por jo të gjithë: Një pjesë hapnin gojën, duke pritur gjumin e ëmbël. Pjesa tjetër, ishin më indiferentë dhe më rezistentë ndaj “sëmundjes ngjitëse të hapjes së gojës”. Duke u nisur nga mënyra e reagimit, pjesëmarrësit në eksperiment i ndanë në dy grupe dhe iu bë një testim psikologjik. Doli se ata që “infektoheshin më lehtë” nga hapja e gojës së të tjerëve, ishin njerëz që kërkonin të lidhnin marrëdhënie shoqërore e miqësore (dhe i lidhnin ato) më shpejt se të tjerët. Kështu, specialistët arritën në përfundimin se ata që infektoheshin më lehtë nga hapja e gojës, ishin më të predispozuar për të lidhur shpejt marrëdhënie miqësore dhe shoqërore… Eksperimenti tregoi, pra, se shumica e pjesëmarrësve që u “infektuan” shpejt nga hapja e gojës, po kështu, shpejt, zinin miq dhe shokë. Dhe, e kundërta, sa më të vështirë ta kishin njerëzit të “infektoheshin”, aq më me vështirësi zinin miq e shokë. Këta janë në përgjithësi njerëzit e mbyllur në vetvete, skizofrenët, etj. Si përfundim, mund të themi se hapja e gojës kur imitohen të tjerët, është një fenomen psiko-social që tregon karakterin dhe temperamentin e njerëzve…
Advertisement