Kaso Kosa: – Zoti Basha, dukeni i lumtur që e mbyllët me sukses fushatën e zgjedhjeve në parti…
Lulzim Basha: – Jo i lumtur, por shumë i lumtur, sepse ishte një fushatë shumë e gjatë dhe e suksesshme në të gjitha drejtimet, si për mënyrën se si u konceptua, ashtu edhe për cilësinë e atyre që u zgjodhën dhe që do ta çojnë Partinë Demokratike në fitore të sigurta.
– Cilat ishin ata elementë që e bënë të veçantë këtë fushatë? Media nuk konceptoi ndonjë risi…
– Media nuk është në gjendje të futet në detaje, Kaso, sepse rend pas sensacioneve, ndërsa unë, si kryetar legjitim i kësaj partie, për një vit me radhë planizova një fushatë që të ishte model jo vetëm për këto zgjedhje, por për sa të jetë jeta. Një ndër këto risi ishte zgjedhja e kryetarëve të seksioneve përmes një konkurrence të jashtëzakonshme. Mjafton të them se vetëm për kryetar seksioni në Rroskovec konkurruan plot 27 kandidatë. Dhe, të mendosh që në Rroskovec kemi vetëm 54 anëtarë. E kuptoni risinë që solla unë? Shansin që në konkurrim për kryetar të futeshin mundësisht, të gjithë anëtarët e partisë…
– A nuk bie cilësia e të zgjedhurve me një metodë të tillë, pasi mund të konkurrojnë edhe njerëz të mirë, por pa nivel arsimor…
– Përkundrazi, konkurrenca sjell vetvetiu cilësinë dhe kjo ishte risia e dytë që promovova unë në këtë fushatë. Shumica e të zgjedhurve me metodën “një anëtar-një votë”, janë jo vetëm me arsim të lartë, por edhe me grada shkencore, si doktor Xhelal Mziu apo shumë të tjerë, sidomos të rinj, të cilët do t’i japin rini e gjallëri partisë, për të shkuar të sigurtë drejt fitores plebishitare në zgjedhjet e ardhshme. Mjafton t’ju them se vetëm gjatë fushatës sime për këto zgjedhje, partia është rritur me mbi njëqind mijë anëtarë të rinj nga radhët e rinisë demokratike që aspiron ta nxjerrë nga koma vendin, ekonominë, kulturën dhe arsimin.
– Meqë ra fjala për arsimin, si e çmoni vendimin e qeverisë për të mbyllur e pezulluar shumë universitete të vendit?
– Pa dyshim, është veprimi më skandaloz që mund të ndërmarrë një qeveri! Ky veprim tregon se Rama nuk është arsimdashës dhe ka fobi ndaj njerëzve të arsimuar e të kulturuar. Krimi që po kryen Rama me mbylljen e universiteteve kaq të suksesshëm si UFO, Kristal, Dardania, Politekniku e shumë të tjerë, do të mbahen mend në histori si terrori më i madh shqiptar ndaj dijes e arsimit. A mund të mbyllej Universiteti Kristal që ka diplomuar mijëra e mijëra studentë nga të gjitha anët e botës, italianë, grekë e sidomos shqiptarë që punojnë nëpër botë për të mbajtur familjet me bukë? Këto universitete ishin burim financiar për ekonominë e vendit, përmes pagesave të studentëve dhe familjeve të tyre, por ai po i mbyll që të rihapë të tjera me klanin e kriminelëve që ka në parlament e në parti.
– Keni të drejtë për diplomat e shumta, ama cilësia e arsimimit ka qenë e ulët…
– Jeta në këta 24 vjet demokraci na ka mësuar se mund të dalësh në shkollë me mesatare 5,5 dhe pastaj të bëhesh kryetar partie, biznesmen, ministër. Unë mund t’ju sjell shumë shembuj nga jeta këtu, në vendin tonë. A nuk ka dalë me 5-a dhe 6-a zonja Topalli në shkollën e mesme dhe të lartë, por bëri karrierë të lakmuashme duke qëndruar 8 vjet kryetare parlamenti? Ose zoti Fullani, vërtet ka mbaruar me mesatare 5.2 shkollën e lartë, ama sot është një guvernator shumë i suksesshëm i Bankës Shqiptare. Gjin Gjoni, me nëntë muaj kurs në plepat e Durrësit, është sot një nga kokat më të mëdha të drejtësisë shqiptare. Zoti Nishani, dy vjet shkollë për oficer ka bërë, por është modeli i një presidenti që e ka zili bota perëndimore! Edhe unë, nuk kam shkëlqyer në shkollën e mesme e të lartë, por sot jam në majat e politikës shqiptare…
– Në fakt, për ju thuhet se keni “lindur me këmishë”, pasi keni bërë karrierë rrufe…
– E pranoj që kam qenë njeri me fat, por unë jam edhe njeri karizmatik. Me një buzëqeshje i bëj të më vijnë pas të gjithë, qëkur isha kamerier në Rinas. Edhe në Hollandë, pas më vinin, sa nuk kisha kohë të studioja. Edhe në Kosovë, ata të EULEX-it, nuk më shqiteshin. Sekreti? Thjesht, buzëqeshja ime. Ti shiko fushatën e PD-së kësaj radhe që e drejtova i vetëm; nuk guxoja të rrija pak vetëm, se më mbysnin simpatizantët. Kam mbi dy vjet që nuk shkel në Bashkinë e Tiranës dhe ia kam lënë të gjitha punët Enos, se jam i sigurtë që populli do të pushtojë godinën nga simpatia dhe dashuria për mua. Edhe kur kam prerë ndonjë shirit në inaugurim rrugësh, badigardët e mi e dinë se ç’heqin për të mbajtur larg simpatizantët.
– Prokuroria ka marrë në shqyrtim çështjen e marrëveshjes detare me Greqinë, duke hetuar negociatorët, por juve jo…
– Tiku e di që unë vetëm firmën kam hedhur si ministër, pasi gjithçka është bërë nga Doktori, për të forcuar miqësinë greko-shqiptare. Ai është miku i Doktorit dhe nuk ka si të më hetojë mua apo Doktorin. Llalla nuk është nga ata që ha bukën e përmbys kupën. Doktori e emëroi Kryeprokuror dhe ai i është mirënjohës për tërë jetën. As Fullanin nuk e ka në listën e atyre që do të hetohen dhe motivi është po i njëjti; detyrimet njerëzore e miqësore ndaj Guvernatorit. Madje Fullanin as Rama nuk e ka prekur, se edhe ai e ka ngrënë peshkun e Fullanit si Meta e shumë të tjerë.
– Pse ishit aq kundër reformës territoriale, sa nuk morët pjesë as në diskutim, as në votim?
– Unë e kisha një mendim për reformën, duke e reduktuar deri në 100 bashki, por Doktori ishte kundra sepse këtë ide e hodhi Rama dhe Doktori nuk duron të hedhë dikush ide përpara tij, ndaj nuk më lejoi të shprehem. Ai më ka dhënë urdhër që të mos e njoh si reformë. Mosnjohja e reformës, më krijon mundësinë që të mos marrim pjesë në zgjedhje dhe këtu unë dal i fituar, sepse akoma nuk e kam konsoliduar partinë. Aq duan kundërshtarët e mi brenda partisë, që të më kërkojnë dorëheqjen, mirëpo unë jam i zgjuar dhe nuk do lejoj që të kënaqen ata që nuk më duan dhe që po më vënë gurë nën rrota që nga dita që Doktori më emëroi kryetar partie.
– Një pyetje të fundit: Me tramvajin e Tiranës, si do t’ia bëni?
– Tramvaji ishte pika ime më e fortë në fushatë, ndaj fitova me mbi 80 vota kundër Ramës. Dy vjetët e para u bë projekti nga një studio shumë serioze që na e gjeti Fahriu dhe që, kur të zbatohet, do të jetë një nga veprat që do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë. Vitin e tretë që unë desha ta zbatoja projektin, më pengoi Rama, nga zilia që nuk arriti ta bënte vetë. Tani e nisa në Kombinat, por ai plasi dhe ka pezulluar punimet, ka ndërprerë fondet dhe rrezik të më detyrojë ta rimbuloj kanalin që kam hapur në të dy anët e rrugës kryesore. Por, nuk do të jetë e largët dita që do ta largojmë me protesta popullore nga pushteti i vjedhur, unë do të bëhem Kryeministër dhe jo vetëm do e bëj tramvajin, por që tani kam vënë në punë njerëzit e mi të bëjnë studimin për një metro ultramoderne. Nëse ai nuk më lejon sot të bëj një linjë tramvaji, kur të jem njëshi i Shqipërisë, do ta kthej Tiranën në një nga kryeqytetet më të bukura të Evropës. Për këtë jap fjalën e nderit dhe kur unë jap fjalën e mbaj si burrat; e kam treguar këtë me lulëzimin që i bëra Tiranës në këta tre vjet si kryebashkiak.