DEPUTETËT E QARKUT TË SHKODRËS
Të gjithë e kemi ndjekur me ankth këtë javë aksionin e policisë në Dukagjin, ose, siç e ka quajtur shtypi, në Lazaratin e Veriut. Qindra forca policie po bëjnë një luftë të vërtetë kundër prodhuesve e trafikantëve të drogës. Nuk mungojnë në këtë luftë as të shtënat me kallashnikovë e as helikopterët e rrëzuar, por ajo që na bën përshtypje është heshtja e disa politikanëve. Nuk e kemi fjalën këtu për Presidentin e Republikës, apo kryetarin e PD-së. Ata nuk folën as herën e parë, në “luftën e Lazaratit” e as nuk prisnim që të flisnin tani. Fjalën e kemi për 11 deputetët e qarkut të Shkodrës. Asnjë prej tyre nuk ka thënë asnjë fjalë për të mbështetur policinë në këtë aksion, sa të rëndësishëm, aq edhe të vështirë. Pse ka ndodhur kështu? Pse nuk flasin? Me kë janë ata, me prodhuesit e trafikantët e drogës, apo me policinë? Mos vallë me heshtjen e tyre duan të fitojnë votat e prodhuesve të drogës që, siç duket, qenkan të shumtë? Apo kanë pjesën e tyre në parcelat e mbushura me marijuanë?! Ja, për këto deshëm të pyesnim 11 deputetët e qarkut të Shkodrës, por nuk mundëm të takonim as Agron Çelën, as Mark Frrokun, as Mimoza Hafizin, Nard Ndokën, Paulin Sterkajn, Tom Doshin apo edhe Jozefina Topallin. Asnjëri prej tyre nuk e hap telefonin këto ditë për gazetarët…
RIDVAN BODE
Nuk e takuam dot këtë javë as ish-Ministrin e Financave, Ridvan Boden. Zotin Bode deshëm ta pyesnim për vjedhjen e thesarit në Bankën e Shqipërisë, meqë siç duken bathët, ajo ka ndodhur në kohën kur ai ishte në krye te Ministrisë së Financave. Deshëm ta pyesnim veçanërisht për një deklaratë të tij në lidhje me këtë vjedhje. Ai ka deklaruar se, për atë, më e rëndësishme sesa vjedhja, është pavarësia e bankës… Ai thotë se sikur qeveria të bëjë diçka për të vënë në vijë punën në bankë, sikur të rishikojë ndryshimit të Guvernatorit apo Këshillit Mbikqyrës, kredibiliteti i Bankës dëmtohet 10 herë më shumë sesa është dëmtuar nga vjedhja e thesarit. Pra, sipas zotit Bode, më mirë të vazhdohet me vjedhje e me zotin Fullani në krye, sesa të bëhen ndryshime. Një pyetje kishim për zotin Bode: A nuk mund të jetë edhe e pavarur, edhe në rregull, Banka e Shqipërisë? A nuk mund të jetë edhe e pavarur, edhe e miradminstruar, pa vjedhje apo shpërdorime miliona dollarëshe nga ato që bën zoti Fullani? Ç’vlerë ka pavarësia e Bankës kur asaj i fluturojnë paratë majtas e djathtas?! Apo, siç ka thënë shoku Enver Hoxha, se parimet janë më të rëndësishme se gjithçka, se ne vdesim, bar hamë, e parimet e pavarësinë tonë nuk e shkelim?
EDI PALOKA
Një pyetje, vetëm një pyetje deshëm t’i bënim këtë javë kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, zotit Edi Paloka. Çfarë kupton ai me shprehjen “çdo mënyrë”, kur deklaron se: “Nëse kjo maxhorancë do të vazhdojë me këtë rrugë, ata do të delegjimitohen nga opozita, nuk do të konsiderohen më të ligjshëm dhe, ata që nuk janë të ligjshëm, largohen me çdo mënyrë. Jo vetëm me protesta, por me çdo mënyrë”, përsërit ai, për ta theksuar. Por, a e di ai se në demokraci nuk luftohet me çdo mënyrë, por me rrugë demokratike? A e di ai se kjo gjuhë është gjuhë komuniste që ngjan si dy pika uji me thirrjet e Enver Hoxhës: Të luftojmë me të gjitha mënyrat armikun e jashtëm e të brendshëm”?! A e di ai se në baze të Nenit 223 të Kodit Penal, thirrjet publike për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues dënohen me gjobë ose burgim gjer në 3 vjet?!
MILENA HARITO
Prapë këtë javë, PD-ja denoncoi një tjetër rast të përfshirjes në administratën shtetërore, të personave të lidhur me krimin. Fjala është për Erjon Bojaxhiun, që në vitin 2009, u ndalua nga policia në Rinas pasi po tentonte të nxirrte nga Shqipëria 200 mijë euro, 101 mijë korona norvegjeze dhe 20 mijë dollarë. Pikërisht ky njeri, këto ditë, është emëruar kontrollor në Rinas. Është bërë me qëllim që të vazhdojë nxjerrjen jashtë të parave, apo është e vërtetë që në adminstratë nuk emërohesh po të mos jesh dënuar më parë? Ja, për këto deshëm të pyesnim Milena Hariton, Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike.
LULZIM BASHA
As Lulzim Bashën, kryetarin e PD-së, nuk e takuam dot këtë javë. Zotin Basha deshëm ta pyesnim pak për ato çka shkroi në Facebookun e tij të enjten se: “Pasiguria në rritje dhe krimi në ngjitje, janë prodhim i drejtpërdrejtë i keqqeverisjes që shkatërroi policinë dhe promovon krimin deri në Kuvend! Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin!”. Si mendoni, zoti Basha, kjo është opozita që kërkohet sot në Shqipëri? Të rrish nën hijen e çadrës së diellit, buzë pishinës dhe të përçartësh fjali në Facebook?! Të shkruash me fjalë të përgjithshme, pa treguar asnjë fakt apo opsion tëndin? Nëse është kështu, atëherë në Shqipëri kemi 1.086.600 politikanë, aq sa përdorues ka Facebook… Ah, edhe për diçka tjetër deshëm të pyesim zotin Basha: Ku e ka dëgjuar atë shprehjen me gishtin dhe hënën, në Hollandë? Ne që kemi qenë në shumë shtete të Europës e që dimë ato gjuhë që di zoti Basha (me përjashtim të hollandishtes), nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë… Dhe pastaj, për çfarë gishti e ka fjalën ai, për atë të mesit, apo gishtin e madh?