Agron Canen, të akuzuarin për ngacmim seksual, e gjeta në qelinë e tij, në paraburgim, në gjendje të trishtueshme…
Kaso Kosa: – Përshëndetje zoti Cane! Doja nje interviste me ju, por më dukeni tepër i trishtuar dhe i rënë moralisht…
Agron Cani: – Si të mos jem i rënë moralisht, mo Kaso? S’e kupton që mora veten më qafë me këtë që bëra? Ia thashë edhe sime kushërire, se kjo që po bëjmë, do na marrë në qafë të dyve. Ja, tani, si u katandisëm. Unë pas hekurave dhe ajo e përgojuar në të gjitha format e mundshme të medies dhe të politikës. Dhe, ta mendosh që e morëm si një lojë, si një eksperiment që nuk do të merrte përmasa kaq tragjike. Na hëngrën në besë edhe mua, edhe atë! Dhe kush pa? Njerëzit tanë më të besuar…
– Nuk e kuptoj se për ç’ngrënie në besë po flisni, zoti Cane…
– Nuk e kupton ti dhe media shqiptare, ama politika e di shumë mirë se si u thur kjo rrjetë merimange ku rashë unë dhe ime kushërirë, si dy naivë të pafajshëm, si dy adoleshentë që nuk janë rrahur fare me jetën. Më vjen të shkul flokët me këtë që bëmë, edhe unë, edhe kushërira ime, duke qenë fare mirë, në punët dhe në hallet tona…
– Flisni më qartë, ju lutem, se nuk po kuptoj asgjë…
– I gjithë ky ishte një skenar i shkruar nga Artur Cani dhe i vënë në skenë nga Koço Kokëdhima. Miku im Koço më tha të bëja një sakrficë për hatër të shoqërisë sonë shumëvjeçare që nga koha kur ai ishte në Komitetin Qendror të Rinisë së Punës së Shqipërisë dhe unë, oficer i ri. “Je betuar si ushtarak që për atdheun do japësh edhe jetën, më tha, ndaj sot nuk të kërkohet jeta, por thjesht një sakrificë e vogël. Interesat e larta të atdheut kërkojnë të bëhesh objekt i medies për disa ditë, ndoshta edhe mund të arrestohesh, por mua më ke këtu dhe jo vetëm do dalësh i nderuar e i respektuar, por edhe do të të hapen perspektiva madhështore për t’u bërë kryetar bashkie e më vonë, edhe më lart”. Pyetjes sime se përse e gjithë kjo, iu përgjigj se i duhej të mbulonte skandalin që kishte plasur me grabitjen spektakolare në BSH dhe largimin e vëmendjes nga miku i tij, Fullani. Pranova me mëdyshje dhe, ja ku më doli: Kam mbi dhjetë ditë në qeli!
– Nuk mund ta besoj gjithë këtë që thoni. Ndoshta keni haluçinacione prej izolimit në qeli…
– Askush nuk e beson, por mjafton t’ju them një fakt: Si më arrestoi policia një ditë përpara se sa të publikohej rregjistrimi në video, pa u verifikuar në ishte i vërtetë apo i rremë? Pa një vendim gjykate? Jo, or mik, jo! Gjithçka ishte e përgatitur. Madje, në do ta dish edhe një sekret tjetër, po ta them tani. E shikon këtë copë litari të lidhur në hekurat e dritares së qelisë sime? Ata, miqtë e mi, ma dërguan para disa ditësh që unë të tentoja të varja veten. “Mos ki merak, më thanë, kur ti të tentosh vetvarjen, do të vijnë dy-tre policë e do të të shpëtojnë. Edhe kjo tentativë për vetëflijim, do të pasqyrohet në medie, si e gjithë ngjarja, se është pjesë e lojës sonë”.
– Dhe ju tentuat vërtet të vetëvareshit?
– Po, tentova, hodha litarin në qafë dhe si u vara aq sa të mos më merrej fryma, por që të më shihnin që nga dritarja e derës së qelisë, bërtita me të madhe. Do ti që policët, në vend që të vinin të alarmuar e të më hiqnin litarin, ia dhanë të qeshurës me të madhe dhe u larguan tutje korridorit? Ngela me litar në grykë, si Julius Fuçiku i famshëm çek. U trishtova shumë me rrengun që më kishin punuar dhe pashë-ç’pashë, e zgjidha. Por, po e lë varur që kur të vijnë hetuesit, t’ua tregoj si tentative vetëvarjeje. Tani që e kam kohën të lirë njëzet e katër orë në njëzet e katër orë, po analizoj çdo detaj dhe jam i bindur që u bëra viktimë e një prapaskene si ato të Edmond Dantesit, te romani “Konti i Montekristos”. Më vjen keq vetëm për faktin që më përjshtuan nga partia e zemrës dhe kam frikë se po bëhem unë shkak që qeveria Rama të rrëzohet nga pushteti. Opozita po ngre popullin në këmbë, në protesta e demonstrata të fuqishme antiqeveritare, sepse kushërira ime u përgojua keq!
– Siç po e tregoni ju, qenka vërtet një tragjedi që po luhet në kurrizin tënd e të sat kushërire!
– Ajo nuk ka faj, mor Kaso, se unë e futa në këtë lojë. Në të vërtetë, më erdhi mirë që do të luaja teatër, sigurisht, pak të rrezikshëm, por në fund të fundit, suksesi vjen përmes rrezikut. Kur mendoja karrierën që më priste përpara, nuk më dukej gjë fare loja që luajtëm ne dy kushërinjtë. Dhe, mirë më tha, ime kushërirë: “Mos t’i futemi kësaj loje se jemi kushërinj e nuk do të na besojnë, do ta quajnë trillim”. “Do ta besojnë, i thashë, se jemi të dy hallexhinj. Unë pa grua se e kam prej vitesh në Greqi dhe ti, pa burrë”. Do ti që vërtet të gjithë e besuan dhe sot jemi bërë gazi i botës? Po më del nga hundët gjithë guximi dhe besimi te miku im i rinisë dhe rrezik të kalbem në burg tërë jetën. Siç po shikoj, Fullani, miku i Koços shpëtoi, ama e hëngra unë!
– Thuhet në media se Koçoja ju ka dërguar avokatin e tij më të mirë…
– Ç’thua, mo? Ai avokat do të ma bëjë varrin mua! Që në takimin e parë, më tha se duheshin njëqind mijë euro që të mbyllej kjo mesele. “Pesëdhjetë do t’oa japim Sali Berishës, tha, që të shpikë ndonjë sensacion tjetër e të harrohet ngjarja jote, njëzetë e pesë i do e dëmtuara, jot kushërirë, si dëmshpërblim moral dhe njëzet e pesë, i do trupi gjykues që të të nxjerrë të pafajshëm, ndryshe do të të kalbin në burg”. Ku të mbytem unë? Miku im, Koçoja, jo vetëm nuk kujtohet më për hallin që më hodhi përsipër, por as telefonin nuk e ngre. Avokati më tha se ka ndërruar edhe numrin e celularit, që të mos ketë të bëjë më me mua. Kam që nga 15 korriku pa marrë as atë palo rrogë që më jepte Koçoja, se ma ndërpreu. Shto që rrezik të më lërë edhe gruaja e të më ndajë nga fëmijët. Jam në një udhëkryq që ka vetëm një zgjidhje dhe që po e mendoj gjerë e gjatë; vetëm litari më shpëton, ndaj po e ruaj si mjetin e vetëm për fundin tim tragjik.
Bisedoi me shaka: Kaso KOSA