E shtyrë nga ato që i tha Jasini, Feridja përpiqet të mësojë nga Turguti më shumë për çështjen e trafikimit të armëve, por më kot.
Bahari mëson se dikush ka dëshmuar që ajo po mbulon dhe po ndihmon Mahirin dhe ka kërkuar që ajo të hiqet nga puna. Feridja mendon menjëherë se pas kësaj dëshmie qëndron Turguti dhe shkon ta pyesë atë, por ai e mohon. Atëhere, ajo ngarkon dikë që të kërkojë në dosje emrin e personit që e ka bërë atë kërkesë në gjykatë.
Bylenti mërzitet në dyqan dhe shkon në shtëpi, por aty e pret Ilknuri, që i kërkon llogari dhe ai largohet edhe nga shtëpia e shkon te dashnorja.
Serra habitet kur mëson se deklarata që ajo ka dhënë kundër Ferides, nuk ka rënë në dorë të jurisë, ndërkohë që dikush tjetër ka ngritur një pretendim kundër saj, duke e akuzuar për një marrëdhënie të papërshtatshme në pune, me një person të gjykatës, ndërkohë që ishte ende e martuar.
Jasini i tregon Mahirit se është takuar me Feriden, por ajo i tha se nuk mund të bënte asgjë për të. Mahiri zbulon adresën e molit ku Ibrahimi ka blerë një anije dhe shkon atje bashkë me Jasinin, duke e kapur Ibrahimin para se të largohej. Ibrahimi i rrëfen se personi që i ka dhënë urdhër të qëllojë Mahirin është pikërisht Nexhdeti.
Kaderi shkon të takojë Nazifin në burg dhe i tregon se ka shkuar te njerëzit e saj pas shumë kohësh dhe është ndjerë shumë keq kur ka mësuar se gjithë jetën ka jetuar me një gënjeshtër si ajo, ashtu edhe ai dhe se për shkak të kësaj gënjeshtre, i biri është rritur pa të. Kaderi i kërkon të falur Nazifit dhe i jep fjalën se do të bëjë gjithçka që ta ndihmojë të dalë nga burgu.
Turguti takohet me Serrën që është shumë e trishtuar dhe që i tregon për pretendimin që është ngritur kundër saj. Turguti hiqet sikur po e mbështet në këtë dhimbje, por kur ajo i thotë se normalisht në atë kërkesë duhet të përfshihej edhe ai, sepse ajo lidhjen me atë e kishte, Turguti i thotë prerë se ai nuk mund të krahasohet kurrsesi me të, sepse ajo është thjesht një sekretare, që mund të zëvendësohet nga gjithkush, kurse ai është i pazëvendësueshëm.
Ajteni përpiqet të vrasë veten duke u hedhur nga dritarja, por mjeku e ndihmon në momentin e fundit. Ai e pyet nëse dikush e ka përdhunuar dhe ajo nis të qajë me dënesë. Personi i ngarkuar nga Feridja, i telefonon dhe i tregon se personi që ka ngritur një akuzë kundër Baharit është pikërisht Turguti!
Feridja shkon t’i kërkojë llogari Turgutit, por ai i thotë se e ka bërë për të mirën e saj dhe nuk i ka treguar sepse do të mbajë sekrete, ashtu siç mban edhe ajo.
Mahiri shkon të takojë Nexhdetin në klubin e natës, por nuk e gjen aty dhe personi që ndodhet aty i thotë se ai mund të jetë në kazino. Mahiri shkon edhe atje, por nuk e gjen.
Nexhdeti shkon në spital dhe e pyet Ajtenin se kush e ka përdhunuar. Ai i betohet se kushdo që të jetë, ai do të marrë hak, edhe sikur t’i duhet të shkojë në ferr për këtë arsye. Nexhdeti i thotë Orhanit se është i sigurtë se dy motrat po kalojnë një moment të vështirë, por ato nuk duan që të tregojnë. Orhani i kërkon sërish një armë Nexhdetit dhe i thotë se e do për ta përdorur kundër Jasinit, pasi ai po i hiqet si shok të vëllait, por po punon pas shpinës së tij.
Mahiri takohet me Jasinin, që i tregon se Nexhdeti po i fshihet sepse e di se ai po e ndjek. Jasini i thotë se pasi ai është larguar, Jasini ka luftuar me Ibon dhe ka humbur ndjenjat. Kur është ngritur, ka parë se Ibrahimi ishte i vdekur dhe me siguri, e ka vrarë Nexhdeti.
Kaderi vendos të kontrollojë në sendet e Sulejmanit dhe gjen në të një dokument ku Sulejmani ka shkruar se bashkëpunëtori i tij më i ngushtë është i korruptuar dhe merret me tregti armësh, gjë për të cilën ai i ka provat.
Kaderi i telefonon Safijes dhe i tregon se ka gjetur një dokument që do t’ia japë menjëherë Mahirit, por Safija i tregon se nuk ka asnjë kontakt me të birin. Atëhere Kaderi i lutet që sa më parë të krijojë një kontakt me të dhe ta dërgojë Mahirin të vijë të marrë dosjen, pasi është shumë e rëndësishme për çështjen e tyre. Ilknuri e këshillon të ëmën që për këtë të lajmërojnë Erdalin.
Nexhdeti pranon të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij dhe shkon në burg.
Mahperi i kërkon llogari së ëmës se pse po e ndihmon vrasësin e babait të saj. Ajo i thotë se të gjitha këto po i bën që të lidhet edhe një herë me të birin. Kaderi përpiqet ta bindë se po bën atë që duhet, por ajo nuk i beson dhe niset për në shkollë.
Mahiri i thotë Jasinit se do ta takojë sërish Feriden, me gjithë këshillat e Jasinit që të mos e bëjë sepse ajo mund ta tradhtojë sërish.
Mahperi shkon në gjykatë të takojë Feriden. Ajo takon Baharin dhe i tregon se pse ka shkuar. Ndërkohë që Bahari shkon të takojë Feriden, brenda futet Turguti. Ai e pyet se çfarë po bën aty dhe ajo i tregon se e ëma ka gjetur një dokument të të atit dhe do që t’ua dorëzojë atë armiqve, ndaj ajo ka ardhur të flasë me gjykatësen e çështjes. Ajo i thotë se do që vrasësi i babait të saj të dënohet!
Turguti e pyet nëse e di se çfarë ka në atë dosje dhe ajo i thotë se nuk e di, por Mahiri do të vijë ta marrë dosjen në orën gjashtë atë mbrëmje. Turguti i kërkon asaj të ikë sepse do t’ia tregojë ai të gjitha Ferides, por ajo i thotë se do që t’ia thotë vetë Ferides. Atëhere ai e kap nga krahu dhe i thotë se ka diçka shumë të rëndësishme për t’i thënë ndaj duhet të shkojë me të menjëherë.
Mahiri i kërkon Baharit ta ndihmojë të takohet me Feriden, kur shikon Feriden me Turgutin. Mahperi nuk mund të presë më shumë ndaj largohet.
Mahiri takohet me Feriden, e cila i kërkon të largohet sepse Turguti do ta arrestojë. Ai i thotë se e ka marrë vesh kush e ka urdhëruar vdekjen e tij dhe i thotë se duhet të shkojë patjetër të flasë me Nexhdetin në burg. Turguti e shikon Mahirin dhe përpiqet ta arrestojë, por ai i ikën sërish…
Turguti i telefonon dikujt dhe jep urdhër që një shtëpi të digjet e tëra me të gjithë njerëzit që ka brenda. Ai jep adresën e shtëpisë së Kaderit…
Safija, duke mos u lidhur dot me Mahirin, vendos të shkojë vetë në shtëpinë e Kaderit për ta marrë dosjen. Mahiri më në fund vjen në shtëpi dhe Ilknuri i tregon ku ka shkuar Safija. Mahperi mbyllet në dhomën e saj. Kaderi i thotë se do të dalë pak dhe ikën. Safija vjen në shtëpi dhe e gjen derën hapur… Ndërkohë, zjarri ka nisur…