Në një nga lagjet më të famshme të Nju Jorkut, ne Manhatan, aktori dhe skenaristi i famshëm hollivudian, Billi Bob Thornton, do të organizonte një event special për miqtë dhe gazetarët e shou bizit. Ashtu, me natyrën rebele dhe me një humor të veçantë, ai do të miqësohej shumë shpejt edhe me ata që nuk i kishte takuar më parë. Këtë fat kishte edhe korrespondenti ynë, që i propozoi atij të bisedonin ekskluzivisht për ne dhe ai, pranoi me kënaqësi të fliste për herë të parë për lexuesit shqiptarë. Për arsye të angazhimeve, itenerari Los Anxhelos-Nju Jork është shumë i shpeshtë për të dhe ai tha se do t’i pëlqente që gjatë këtyre takimeve, të mësonte më shumë gjëra për Shqipërinë e, pse jo, një ditë edhe të shkruante për të…
Jeta e tij
Është një nga artistet më të famshëm të jetës hollivudiane. Lindi në një familje të varfër e në një kasolle alpine në Kanzas, Billi Bob Thornton u rrit madje pa elekricitet, por falë talentit të tij, ai u nis për studime në Los Anxheles, ku studioi për aktrim, gjë që në fillim nuk ka qenë aq lehtë për të. Me këmbënguljen e tij ai fillon dalëngadale të kapë majat e karrierës së tij si aktor dhe si skenarist. Në fillim, me rolet të vogla, për t’u bërë më vonë edhe protaganist në shumë filma. Filmi “Sling Blade” shënon kulmin e suksesit të tij, duke fituar disa çmime. Bashkë me filmin, një vend te rëndësishëm në jetën e tij zë edhe muzika, të cilën e kishte nisur që në fillimet e viteve ’70, me krijimin e grupeve të para muzikore. Ai ka qenë për tre vjet i martuar me aktoren me të famshme të Hollivudit, Anxhelin Zholi. Menjëherë pas ndarjes në paqe me aktoren, Billi do të bënte martesën tjetër, falë së cilës ka vetëm një vajzë, Bellen.
Marko Caka: – Zoti Bill, së pari, ju falënderoj që pranuat të jepnit një intervistë për lexuesit shqiptarë.
Billy Bob Thorton: – Oh, ju lutem, edhe për mua është një kënaqësi që me anë të gazetës suaj, më jepni mundësi të flas me lexuesit shqiptarë.
– E njihni Shqipërinë? Dini ndonjë gjë për të?
– Sigurisht që di. Kam dëgjuar se janë një popull i vuajtur, por shumë i dashur dhe bujar. Di që edhe vëllezërit Belushi janë shqiptarë dhe me shpirt humori. I ndjeri Xhon Belushi ishte ikona e brezit tonë; me humorin e tij, ai u dha gjithçka amerikanëve. Ishte një aktor i madh! Më vjen keq që të tilla talente të rralla u mungojnë amerikanëve dhe ekraneve tona. Për të, mund të flasë edhe miku im Kenky Fridman, i cili ka jetuar më shumë pranë tij. Xhoni ka qenë një nga frymëzuesit e tij në karrierën si humorist.
– Vijmë te familja juaj. Sa e rëndësishme është ajo për ju?
– Unë jetoj në Beverly Hills, në Los Anxhelos, bashkë me gruan dhe vajzën time, Bellen. Vajza është jeta ime dhe më duhet t’i përkushtohem më shumë asaj. Më pëlqen kur qëndroj pranë saj dhe dua të luaj me të. Ajo është shumë e dashur me të gjithë.
– Ju keni qenë i martuar me Anxhelin Zholi e cila, kuptohet, është shumë e njohur edhe për ne. Ç’mund të na thoni për të ju, që e keni njohur nga afër?
– Anxhelina është një aktore e madhe, por mbi të gjitha, një grua shumë e mirë dhe me shpirt të madh. Kur u njohëm së bashku, ajo nuk ishte aq e famshme, ndërsa unë isha shumë i famshëm. Lidhja jonë e ndihmoi më shumë që të afirmonte talentin e saj të madh, por edhe të tregonte shpirtin e saj human, në ndihmë të njerëzve dhe komuniteteve. Ajo është mbështetëse e vendeve të varfëra dhe kontributi i saj, është shumë i madh. Përsa i përket lidhjes, ne u ndamë se donim të bënim jetën tonë, por edhe ajo donte të ishte më e lirë. Rëndësi ka që nuk e kemi urryer njëri-tjetrin. Pra, vazhdojmë t’i respektojmë familjet tona. Unë ndjehem shumë i lumtur me zgjedhjen time, me gruan e tanishme dhe me vajzën që e dua shumë dhe është gjithçka për mua. Mendoj se edhe Anxhelina e do shumë familjen e saj të madhe, bashkë me bashkëshortin e saj, Bradin.
– A jeni penduar për ndarjen me të dhe a ju mungon?
– Jo, nuk ka arsye, se ne kemi vendosur me dëshirat tona; nuk mund të vazhdonim më së bashku. Edhe njerëzit atëherë shpreheshin se nuk e meritoja të qëndroja me të, pasi kishim shumë dallime nga njëri-tjetri, pak a shumë, mospërputhje karakteresh. Për sa kohë që ishim bashkë, e donim shumë njëri-tjetrin.
– Në një intervistë të sajën, edhe Anxhelin Zholi ka thënë se ju “keni një zemër të madhe dhe të bukur, që të bën të qeshësh derisa të të dhembin brinjët”…
– E falënderoj për komplimentin e saj dhe shpresoj që këtë mendim ta ketë edhe tani, madje e kam shkruar edhe në librin e fundit të autobiografisë sime. Në një periudhë unë kam kam qenë gjithçka për të dhe rëndësi ka që ne i respektojmë vlerat e njëri-tjetrit. Ndërsa për humorin, po, është e vërtetë që unë i pëlqej shumë batutat. Ato janë pjesë e jetës sime dhe i jetoj kudo që shkoj dhe në çdo moment. Po të jetosh mes njerëzve të thjeshtë, sigurisht që do të gjesh shumë dhe nuk do të ndahesh nga batutat, gjë që nuk më ka munguar. Pastaj, Anxhelina ka jetuar tre vjet me mua, e ka ndjerë në çdo momemt humorin tim dhe këshillat e mia, të cilat e ndihmuan për karrierën e saj.
– Këtë e konfirmova edhe gjatë fjalës suaj në eventin special në rrethin e miqve njujorkezë, kur çdo fjali kishte një batutë dhe njerëzit nuk pushonin së qeshuri…
– E vërtetë. Edhe ju tani që keni shumë pak kohë këtu në Amerikë, besoj se i doni batutat e mia! (Qesh)
– Sigurisht që po. Zoti Bill, ju keni qenë një personazh i famshëm në filmin tuaj “Sling Blade”, ku jeni vlerësuar me shumë çmime.
– Faleminderit! Ai film mbetet një nga arritjet e mia në kinematografinë e Hollivudit, e cila ndikoi dhe në rolet e tjera me artistët Penelope Kruz, Mat Dilan dhe Kenju Rivs. Unë jam shumë i lumtur që pas muzikës, pjesë e jetës sime u bë edhe kinematografia. Tani po u jap më shumë rëndësi skenareve të filmave dhe librave që shprehin edhe humorin tim. Humori është diçka që e kam në gjak dhe më shoqëron kudo që shkoj. Pastaj, ne amerikanët e duam shumë humorin dhe jemi një popull gazmor që çdo gjë duam ta marrim me të qeshur dhe jo seriozisht. Me Nju Jorkun më lidhin shumë gjëra që në vitet e para të karrierës sime ku kërkoja famën dhe ky vend ishte një pikë referimi i sukseseve të mia.
– Në vendlindjen time thonë: “Buzëqesh gjithmonë, edhe nëse një buzëqeshja jote është e trishtuar”. Banorët e qytetit tim janë të dalluar për humorin dhe batutat e tyre. Qyteti nuk jeton dot pa to. Sa qëndron kjo për vendet e tjera?
– Po, e saktë se pa buzëqeshjen, njeriu nuk jeton, por këtë e themi edhe ne amerikanët dhe besoj se edhe në vendet e tjera. Si quhet vendlindja juaj? Ia vlen të mësosh vendet që janë të lidhur shpirtërisht pas humorit…
– Quhet Shkodër dhe ndodhet në Veri të Shqipërisë. Është një vend me bukuri të rrallë, që laget nga deti, liqeni dhe lumenj. Atje, jeta pa humor, nuk ka kuptim!
– Uau, ia vlen ta eksplorohet! Duhet të jetë një vend interesant, meqenëse jeton me batutat dhe kjo tregon se njerëzit dinë të shmangin stresin e ditës me humorin e tyre. Mbase këtu ndikon edhe natyra e saj e rrallë. Të njëjtin mendim kam edhe për britanikët, sidomos irlandezët, të cilët e kanë në gjak humorin që e jetojnë në çdo moment. Prandaj edhe buzeqeshja është çdo gjë e bukur që mund të bësh në jetë. Me vjen mirë për qytetin tuaj që e trashëgon këtë motiv; është vetëm shëndet për njerëzit që jetojnë në atë qytet sepse jeta ka shume dallgë dhe probleme që njeriu duhet t’i kapëcejë vetëm me humor. Prandaj edhe njerëzit që kanë humor, janë me shëndet më të mirë dhe më jetëgjatë.
– Mund të na thoni diçka për lexuesit shqiptarë?
– Unë vij shumë shpesh në Nju Jork dhe më pëlqen të mësoj më shumë gjëra për shqiptarët. Kam dëgjuar fjalë shumë të mira për këtë popull, prandaj, pse jo, në të ardhmen do të shkruaj diçka për këtë vend në filmat e mi të ardhshëm.
– Shumë faleminderit, zoti Thornton!
– Faleminderit edhe juve.