Disa eksperienca duhet t’i përjetosh të paktën një herë në jetë. Kësaj radhe po ju bëjmë një shëtitje me anije në 8 qytete të cilat ia vlen t’i njihni, nisur nga kjo perspektivë e re…
1. Dashuri mbi Senë
Simboli i Parisit është edhe një nga atraksionet më të rëndësishme të qytetit. Lumi i Senës është i lundrueshëm në pjesën më të madhe të tij dhe përfaqëson një rrugë të rëndësishme tregtare si për Parisin, ashtu edhe për të gjithë Francën. Si e ka marrë emrin? Emri i tij vjen nga latinishtja, Sequana, që ka rrënjë kelte dhe do të thotë “lumë i shenjtë”. Ia vlen të shihni Parisin me një nga bateau-mouche (anijet-miza) që bëjnë kruaziera në të dhe të ofrojnë mundësinë ta kundrosh qytetin nga një pikëvështrim tjetër.
2. Kanotazh në Strasburg
Qendra historike e Strasburgut është ajo që ju nevojitet për një shëtitje romantike me barkë. Jo më kot e quajnë “Venecia e vogël”! Këtu do të shijoni shëtitje përrallore me barkë dhe do të shihni ndërtesa të mrekullueshme, si dhe shtëpiza piktorekse me arkitekturë të veçantë, që janë ndërtuar gati mbi lumë.
3. Shijoni xhazin mbi lumin Moldava
Kjo është mënyra më romantike për të parë Pragën, që pritet në mes nga lumi Moldava. Një ide e bukur është të hipni në një “Jazz Boat” (anije xhaz), që e fillon udhëtimin e saj nga Ura e Karlit. Do të shijoni pamjen e kështjellës Hradcany, më të madhes në botë, nën tingujt e xhazit live, duke pirë pijen tuaj dhe duke kundruar kështjellat mbresëlënëse, që kalojnë para jush! Praga e Kafkës, e “revolucionit të kadifenjtë”, e gëzimit, është një qytet që do të ngulitet në kujtesën tuaj dhe momentet e veçanta janë ato që përbëjnë eksperiencën e jetës!
4. Në Danubin Blu
Vienezët bëjnë shaka, duke thënë se kur Shtrausi kompozoi të mirënjohurin vals vienez, “Danubin Blu”, duhet të ketë qenë i dehur. Nëse i shihni ujërat e tij, vetëm blu që nuk janë! Ekziston edhe një teori që thotë se Danubi, duke kaluar nëpër qytetet e Evropës Qendrore, mund të “mbartë me vete” lotët dhe shqetësimet e njerëzve, duke ua pastruar ato…
5. Nëpër lumin Ron
Lioni është një qytet me një interes të fuqishëm kulturor, rrënoja romake, rrugë moderne dhe restorante të njohura gastronomike, për ata që janë njohës të kësaj fushe. Qyteti i Vjetër bën pjesë në Trashëgiminë Kulturore Botërore të UNESCO-s, falë të famshmeve “traboules”, kalimeve të ngushta që të çojnë nga njëra rrugë në tjetrën. Shiheni duke bërë një shëtitje me anije, duke marrë me vete në çantë ushqime të shijshme franceze dhe mos harroni shprehjen: “Jeta është një aventurë e madhe”.
6. Të vozitësh mbi lumin Neva
Si thoni të bëni një shëtitje natën me barkë, atje ku rrjedh lumi Neva, i mbështjellë mes rrjedhave të ujit dhe ishujve të vegjël? Shën Peterburgu shfaqet para jush ashtu si e ëndërronte Pjetri i Madh: Një qytet-muze, njëkohësisht edhe dritarja e Rusisë në botën perëndimore. Nëse Moska është me siguri zemra e vendit, Shën Peterburgu është kurora e tij perandorake…
7. Nëpër ujërat e qeta të Ljubljanës
Kryeqyteti i Sllovenisë është një atraksion më vete dhe një mënyrë e mirë për ta njohur është: Në një udhëtim me anije! Lumi Ljubljanica përshkon qendrën e qyteti, ndërmjet një përzierjeje ndërtesash me stil barok, art nouveau dhe stile më të vonshme. Qyteti i ri dhe qendra e tij tregtare gjendet në perëndim të lumit, ndërkohë që qyteti i vjetër dhe kështjella gjenden në anën lindore të tij. Shumë ura lidhin dy brigjet e lumit, por ndër to, më e njohura është Tromostvoje, e projektuar nga arkitekti Jozhe Pleçnik.
8. Shëtitje nëpër Tamiz
“Tamizi plak”, siç e quajnë britanikët, fillon nga katër përrenj të vegël në kodrat piktoreske Kotsuollts të Anglisë Jug-Qendrore. Në anije mund të hyni nga platforma e Uestminsterit. Kruaziera nëpër lumë zgjat 45 minuta dhe në vazhdim, mund të zbrisni në Grinuiçin e njohur, për të vizituar observatorin që përbën një referencë për orën botërore dhe që sot funksionon si muze…