Duke u parë në pasqyrë

– Në ëndërr pashë sikur shkova në tualet dhe ndërkohë që po kryeja nevojat e mia, shikoja veten në pasqyrë. E ndjeja që isha bërë një çikë keq nga barku (se më vjen turp ta them), sikur s’po dilja dot jashtë. Isha kthyer nga pasqyra dhe shikoja gjithë sforcimet e mia. A bën ndonjë parashikim kjo lloj ëndrre?

– Të shikuarit në pasqyrë në rastin tuaj tregon se si e shikoni ju veten dhe si ju shohin e gjykojnë të tjerët rreth jush. Ëndrra tregon që do të kaloni disa momente jo të mira dhe të padëshirueshme. Nuk keni pse të sforcoheni duke e mbajtur të keqen brenda; duhet të jeni më të çlirët dhe të shprehni gjithë opinionin e ndjesitë tuaja, sido që të jenë. Duhet të lironi gjithë negativitetin që keni brenda dhe keni për të parë që do të ndiheni të çliruar nga çdo lloj brenge apo trishtimi.

Më ra ylberi

– Isha në dhomën time të gjumit dhe po flija nga ana e dritares, kur më ra prej qiellit njëra nga anët e ylberit. Rrezet e tij më binin në fytyrë dhe më vezullonin si ato të diellit. Pastaj pashë sikur nëpër rrezet që lëshonte ylberi, zbriti një qen i vogël. Më vonë, ai u bë i madh dhe më mbronte prej diçkaje që dukej shumë e egër. Jam në pritje të parashikimit, pasi jam në ankth. Faleminderit. Ela.

– Dhoma përfaqëson jetën tuaj private. Ylberi, siç e kemi thënë edhe në ëndrra të tjera, përfaqëson shpresën, fatin e mirë dhe suksesin. Qeni në ëndërr ka shumë kuptime, por në këtë rast, ai simbolizon bujarinë, besnikërinë, intuitën e mbrojtjen. Dikush në jetën tuaj private mundohet t’ju këshillojë, por në fakt, ndikon shumë negativisht në vendimet tuaja jetësore. Ju jeni në konflikt me veten dhe me këtë person. Për këtë arsye, shpeshherë e lini veten në dorën e të tjerëve. Ëndrra ju këshillon ta merrni jetën tuaj në dorë dhe t’i merrni përgjegjësitë vetë, pa u ndikuar nga të tjerët. Mos u gënjeni nga pamja e parë sepse edhe nëse të ndodh që humbet dikë, kjo është në të mirën tuaj. Do të vijë dikush që vërtet ju përkrah, thjesht, duhet t’i hapni rrugën që të vijë drejt jush.

Nëna e shqetësuar

– Para dy netësh pashë nënën time e cila po flinte gjumë. Më pas e pashë sikur u tremb dhe u zgjua nga shtrati vetëtimthi. Më pas mori rrugën për në katin e parë të shtëpisë, po zbriste shkallët dhe thoshte: “Kuku për mua” e çonte duart te fytyra si me qenë duke u gërvishtur. Unë, e trishtuar, i thashë: “Po çfarë ke moj nënë, çfarë ka ndodhur?”. Ajo nuk më përgjigjej, thjesht, fliste me veten. E kam parë edhe një herë tjetër këtë ëndërr.

– Ëndrra është një lloj paralajmërimi: Rehatia dhe qetësia që ju karakterizojnë në familje, do të zhduken për ca kohë dhe ju do të keni disa shqetësime e pengesa. Mund të dëgjoni brenda fisit tuaj ndonjë fjalë jo të mirë, për të cilën do të vuani dhe do t’ju prishen shumë plane jetësore. Uroj që asgjë nga këto të mos jetë e vërtetë, por një ëndërr e tillë paralajmëron lajme jo të mira brenda njerëzve të njohur, jo në familje. E rëndësishme në të gjithë ëndrrën është që çfarëdo që të jetë, nëna juaj është ajo që do të ketë më shumë nevojë për mbështetje dhe kurajo. Gjithë të mirat!

Binin para nga qielli

– A mund të më thoni se çfarë do të thotë kur shikon në ëndërr sikur të bien para nga qielli; sikur ishte Zoti ai që po m’i dërgonte?

– Qielli simbolizon shpresën, përgjigjen e lutjeve, mundësitë, kreativitetin, paqen dhe lirinë e shprehjes, ndërsa paratë kanë shumë kuptime, por ëndrra që keni parë ju, tregon se suksesi dhe prosperiteti janë brenda mundësive tuaja. Periudha tani është në favorin tuaj, që do të thotë se çdo punë, plan apo projekt do të realizohet dhe ju do të keni të mira ekonomike. Përfitoni nga kjo periudhë që është komplet në anën tuaj dhe vini në përdorim aftësitë tuaja në jetën profesionale apo private.

Në ishull, me të dashurin

– Kam parë në ëndërr sikur isha në një ishull dhe sikur unë, bashkë me një person me të cilin jam njohur kohët e fundit, i shprehëm dashurinë njëri-tjetrit e u martuam, duke qenë dëshmitarë për ne, vetëm natyra. Më pas, sikur i thashë atij: “nuk të dua” dhe më pas, u zgjova. Ju lutem, më ktheni përgjigje.

Ishujt, në shumicën e ëndrrave, pavarësisht përmbajtjes, përfaqësojnë vetminë e trishtimin. Ju duhet të keni shumë kujdes që të mos u besoni lehtë njerëzve që keni rreth e rrotull ose edhe të dashurit tuaj. Besojuni instikteve tuaja. Nëse ndodh që ai do ketë ndonjë propozim, sidoqoftë ai, mos i besoni… Kjo është një këshillë që jua jep ëndrra dhe që në mënyrë të pandërgjegjshme ju në ëndërr, e keni refuzuar. Bëni kështu dhe në jetën reale, pasi është në të mirën tuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *