Kemi folur shpesh për mungesën e dëshirës nga ana e burrit dhe e gruas dhe, megjithëse më shumë i është mëshuar kësaj të fundit, rezulton se gjithmonë e më shpesh, tashmë, dëshira po mungon nga ana e seksit të fortë. Një grua e ka të vështirë ta pranojë këtë sepse presupozohet që burrat të jenë gjithnjë gati për seks, megjithatë, nuk është e vërtetë. Edhe ata kanë ulje-ngritjet e gjendjes së tyre shpirtërore dhe, sido që të jetë, gruaja nuk duhet t’ia hedhë fajin vetes, nëse burri nuk e dëshiron më si dikur. Kjo nuk do të thotë se atë nuk mund ta dëshirojë më askush… Fakt është se ka me qindra arsye që mund ta pengojnë një burrë të jetë aktiv në shtrat dhe ne, më poshtë, po ju ndihmojmë duke ju përshkruar vetëm disa prej tyre:

1. Një fazë e vështirë në lidhje

Nëse dëshira e tij është e zbehtë, lidhja juaj mund të jetë duke kaluar një fazë të vështirë. Në këtë rast, nuk ka faj askush, por secili prej jush mund të veprojë që ta zgjidhë  problemin që në origjinë. Nëse përpiqeni dhe ndryshoni lidhjen mes jush, dëshira e tij do të rilindë.

2. Ka frikë nga ti…

Padashur, pa e patur as vetë si qëllim, ti e impresionon. Ti i dukesh shumë e bukur, shumë inteligjente, ai sikur të vë në një piedestal, sa për të je gati një perëndeshë. Është e vështirë ta ndjesh veten në lartësinë e duhur për një femër që të duket pothuajse e pakapshme! Mos hezito t’i tregosh atij dobësitë e tua, thembrën tënde të Akilit. Kështu, ai do ta ketë më të lehtë të të konsiderojë njeri si gjithë të tjerët që ka nevojë për dashuri dhe përkëdhelje.

3. Është zemëruar me ty

Ai është zemëruar për diçka, që mbase ty të duket diçka e parëndësishme, por nuk është kështu edhe për të. Është e pamundur për një burrë, ashtu si për një grua, të dëshirojë një person që e ka zemëruar. Mundohuni të sqaroni problemin për t’u nisur nga baza të mira, përndryshe, dëshira e tij do të mbetet e bllokuar.

4. Ka dështuar disa herë…

Mbase ai ka patur ndonjëherë probleme në shtrat, si për shembull mungesë ereksioni ose ejakulacion të parakohshëm. Nëse kjo situatë është përsëritur disa herë, ai është në ankth dhe ka frikë se mund të mos jetë në lartësinë e duhur. Për shkak të kësaj frike, ai nuk do të bëjë dashuri me ty, nga frika e një dështimi në ri. Duket sikur ai nuk të dëshiron më. Në të vërtetë, ka frikë mos të të zhgënjejë. Zgjidhja e vetme do të ishte ta siguroje dhe, nëse është e mundur, ta ndihmoje ta rregullonte problemin e tij, nëse është vërtet një problem. Një konsultim me seksologun ose psikologun mund ta zgjidhë situatën.

5. Ai ka probleme shëndetësore

Dëshira kalon se pari nga truri. Kjo është e vërtetë, por edhe trupi luan një rol thelbësor. Nëse ai ka ndonjë problem shëndetësor, edhe dëshira largohet. Atëherë, para se të flisni për probleme psikologjike, është mirë të takoni ndonjë doktor.

6. Ai ka probleme hormonale

Nëse, pa asnjë arsye të dukshme ai fillon të mos ketë më dëshirë për të bërë seks (situatë që zgjat mbi 2-3 muaj) është mirë që ai të bëjë një bilanc hormonal. Te disa burra niveli i testosteronit ulet me kalimin e viteve, sa nganjëherë flitet madje edhe për andropauzë. Pastaj, problemet e tjera shëndetësore mund të ndikojnë negativisht te mekanizmi i brishtë i dëshirës. Atëherë, zgjidhja mund të jetë konsulta me mjekun.

7. Është në trajtim me ilaçe

Ka trajtime të tilla me ilaçe si kundër kolesterolit, ulçerës së stomakut, depresionit, glaukomës, hipertensionit arterial, që ndikojnë negativisht në dëshirën e tij. Nuk ka asnjë shkëndijë dëshire në sytë e tij dhe në darkë, atë e zë gjumi pasi keni parë filmin në televizor. Duket se ai e ka harruar seksin fare! Para se të mendoni për më të keqen, propozojini të konsultohet me mjekun dhe ta pyesë nëse ndonjëri nga ilaçet ndikon negativisht në dëshirën e tij. Nganjëherë mjafton të ndërrosh një ilaç dhe gjithçka rifillon! Nëse ilaçi nuk mund të ndërrohet, atëhere durim derisa të mbarojë trajtimi (të paktën e dini se nga i vjen e keqja).

8. Vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë

Në këto raste, dëshira për seks është gjëja e fundit që të shkon nëpër mend. Gjithë forca vitale e njeriut përqendrohet te përpjekjet për mbijetesë. Bile, edhe kur sëmundja është e shërueshme, ajo kërkon shumë energji fizike për t’u shëruar. Energjia e tij kanalizohet drejt shërimit të trupit. Atëherë, më mirë luani rolin e infermieres dhe, kur të jetë më mirë, do ta kuptoni menjëherë!

9. Është diçka personale!

Nëse ai nuk ju dëshiron më, kjo nuk do të thotë që nuk jeni e dëshirueshme për askënd. Mos nxirrni një përfundim të tillë që do të shkatërrojë gjithë besimin që keni te vetja. Mbase ka arsye që vijnë thellë tij dhe pengojnë dëshirën e tij për t’u ndjerë i kënaqur. Ndihmojeni që të pyesë vetveten, për të përfituar të dy.

10. Është i dëshpëruar

Depresioni është shkaku i parë dhe më i shpeshtë i mungesës së dëshirës seksuale. Ulja e dëshirës është e para që del në pah kur dikush është i dëshpëruar. Dëshira jetësore shuhet dhe ajo për të bërë dashuri, zbehet. Edhe kur gjithçka rregullohet, dëshira seksuale është e fundit që del në pah. Kur ai të të dëshirojë përsëri, depresioni i tij është shëruar.

11. Ai ka frikë se mos është agresiv

Agresiviteti dhe dëshira seksuale janë të lidhura bashkë. Kujdes, nuk po flasim për dhunë, por për agresivitet. Penetrimi është një veprim që kërkon pak forcë dhe brutalitet, ndërkohë që burri shumë xhentil, shumë i sjellshëm dhe i kujdesshëm, nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë dhe dëshira e tij nuk ka as forcë, as energji. Është sikur ai të kishte përshtypjen që dëshira e tij është shenjë dhune kundrejt teje. Atëherë ai e mban brenda. Ai ka nevojë të mësojë ta pranojë si diçka të natyrshme.

12. Një emocion negativ pengon dëshirën e tij

Urrejtja, zemërimi, xhelozia, tërbimi, dëshpërimi, trishtimi, irritimi… Një nga këto emocione negative e bën që ta shohë jetën të zezë dhe dëshira e ka të vështirë të ngrejë krye. Ajo fshihet thellë brenda tij dhe del vetëm pasi të ketë kapërcyer ndjenjën negative.

13. Diçka e jashtme pengon dëshirën e tij

Nuk është as faji i tij, as yti, megjithatë dëshira e tij është “në grevë”! Megjithëse ju të dy jeni të dashuruar, nuk jeni të vetëm në këtë botë. Ka arsye që qëndrojnë jashtë jetës së çiftit tuaj, që mund të ndërhyjnë në jetën dhe dëshirën tuaj, por kur i di, të paktën mund të përpiqesh të gjesh zgjidhjet e duhura.

14. Ai ka halle

Ai është shumë i shqetësuar, në ankth dhe arsyet për këtë mund të jenë të shumta. Fëmijët kanë probleme me shëndetin, shefi ia nxin jetën në punë, prindërit s’e lënë rehat, motrat dhe vëllezërit përfitojnë prej tij, ka halle parash, etj. Kur një shqetësim ju rëndon shumë, ai zë kaq shumë vend në trurin tuaj sa e dëbon dëshirën. Por, mos u futni në panik: Dëshira nuk ka vdekur, thjesht është futur në një cep të harruar të trurit, në pritje të ditëve më të mira. Zgjidhja më e mirë: Duhet gjetur si të dalësh nga një situatë e tillë dhe atëherë seksi do të kthehet në një kënqësi të vërtetë.

15. Është shumë i lodhur dhe i stresuar

Ai ka kaluar net të tëra mbi një projekt pune, punon shumë gjatë gjithë javës… Atëhere ai lodhet, sepse energjia e tij nuk është e pashtershme. Nëse ai i kushton shumë kohë e vëmendje punës, nuk i mbetet për t’i kushtuar dashurisë. Është për të ardhur keq, por është diçka që ndodh. Ai mund të jetë duke kaluar një fazë të vështirë në punë dhe ka nevojë për mbështetjen tënde, ose zhytet në punë për t’iu larguar lidhjes me ty. Në rastin e fundit, bëjani të qartë se nuk mund të vazhdoni gjatë kështu!

16. Ai e kanalizon gjetkë energjinë e tij seksuale

Mbase është një sportist profesionist që stërvitet për një garë ose ka një pasion që i merr gjithë energjinë që ka. Dëshira e tij ekziston, por ai e ka kanalizuar energjinë e tij në funksion të pasionit që ka: Peshkimi, futbolli, shahu, etj. Kujdes, diçka e tillë mund të prishë harmoninë e çiftit. Është mirë të ketë një aktivitet që i intereson, por, nëse kjo ndikon në lidhjen tuaj, çifti është në rrezik. Duhet të flisni me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *