Të dhembin këmbët, të gjithë muskujt e trupit dhe çdo lëvizje, sado e vogël të jetë, është një torturë e vërtetë? Kjo ndodh ngaqë ke bërë shumë sport.

Në këtë rast, njerëzit do të buzëqeshin dhe do të të thonë: “Vazhdo të bësh fizkulturë se do të të kalojë”, ose: “Duhet të bëje pak tërheqje muskujsh para dhe pas fizkulturës”. A është e vërtetë kjo? Ekzistojnë me mijëra thënie në lidhje me sportin, që ne nuk e dimë sa të vërteta janë. Kemi analizuar 13 prej tyre dhe ja cilat janë rezultatet:

1. Nëse bën ngritje peshash të rënda, të fryhen muskujt

Çfarë është e gënjeshtërt? Është krejtësisht e gabuar të mendosh se një seancë fizkulture me ngritje peshash, të fryn muskujt. Kjo ndodh me burrat, sepse organizmi i tyre prodhon më shumë testosteron sesa i grave dhe ky hormon, është përgjegjës për rritjen e muskujve.

Çfarë është e vërtetë: Ushtrimet me pesha ndihmojnë në zhvillimin e muskulaturës së trupit dhe forcimin e saj, duke bërë të kesh një trup të tonifikuar dhe jo të lëshuar. Ideale do të ishte të bësh një seancë fizkulture duke përfshirë ushtrime me peshat, të cilat duhet t’u përshtaten nevojave të secilës grua.

2. Sporti eviton celulitin

Çfarë është e gënjeshtërt? Celuliti dhe lëkura e ashtuquajtur “e portokalles”, prek 80% të grave pasi mbushin të 30-tat. Përgjegjës për këtë janë faktorët gjenetikë dhe zakone jete jo të shëndetshme, si konsumi i alkoolit, kafesë, duhanit, pirja e një sasie të vogël uji dhe jeta sedentare. 

Çfarë është e vërtetë? Mungesa e sportit nuk është përgjegjësja kryesore për shfaqjen e celulitit, por, pa dyshim, ndikon në të. Kur bën fizkulturë, përfundoji seancat e aerobisë me ushtrime ngritjeje peshash (të paktën 3 herë në javë). Përveç kësaj, kujdesu për atë që ha dhe konsumo fruta, perime e shumë vitaminë C (kivi, speca, agrume), që ndihmojnë në kontrollin e thithjes së yndyrnave. Banjot me ujë të alternuar, të ftohtë dhe të nxehtë, të ndihmojnë në qarkullimin e gjakut dhe për të patur një lëkurë tonike.

Këshillë: Përdor një dorezë për të masazhuar këmbët, kur lahesh në dush.

3. Ushtrimet e tërheqjes evitojnë dëmtimet

Çfarë është e gënjeshtërt? Ushtrimet e tërheqjes para se të bësh sport, nuk janë të domosdoshme, madje, ka raste që preferohet të mos i bësh, sepse tërheqja e tepërt mund t’i relaksojë kaq shumë muskujt, sa të mos ndjesh dhimbje dhe në këtë mënyrë, ato mbingarkohen e mund të shkaktohen dëmtime të panevojshme.

Çfarë është e vërtetë? Shtriqja apo tërheqja e muskujve pas një seance fizkulture është shumë e rëndësishme për të evituar dëmtimet, mpirjet dhe për të relaksuar muskujt, pas sforcimit. Gjëja më e mirë është ta bësh çdo tërheqje për të paktën 20 sekonda.

4. Vrapi në asfalt dëmton kyçet

Çfarë është e gënjeshtërt? Realisht, nuk ekziston ndonjë studim shkencor që vërteton se vrapi në asfalt dëmton kyçet e këmbës, gjunjët, këmbët, apo ijet. 

Çfarë është e vërtetë? Në fakt, vrapi në asfalt është më i sigurtë, më komod dhe më efikas. Vrapuesit e rregullt i forcojnë muskujt dhe i mbrojnë në këtë mënyrë kyçet nga impakti. Vish një pale atlete të mira dhe dil në rrugë.

5. Sporti e kthen dhjamin në muskuj

Çfarë është e gënjeshtërt? Dhjami dhe muskujt janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Duhet të punosh për çdo pjesë të trupit në formë të pavarur dhe me ushtrime të caktuara. Por, është e qartë se kur bën fizkulturë, punon gjithë trupi.

Çfarë është e vërtetë? Për të djegur dhjamin, duhet të kesh muskuj. Idealja është të bësh ushtrime aerobie që të ndihmojnë të djegësh dhjamin dhe të biesh në peshë, me ushtrime force dhe pesha për të forcuar muskujt e për të patur një trup të tonifikuar dhe të fortë.

6. Vrapi të dobëson

Çfarë është e gënjeshtërt? Bërja e ushtrimeve të bën të biesh në peshë, sepse digjen kalori, por, që rezultati të jetë pozitiv, duhen kombinuar seancat e sportit me një jetë të shëndetshme në të cilën është e rëndësishme të kujdesesh për atë që ha, pasi të gjithë e dimë se fizkultura hap edhe oreksin. Gjatë një ore ushtrimesh aerobike, digjen afro 600 kalori dhe nëse konsumon në darkë hamburger me patate të skuqura e koka-kola, merr 1600 kalori. Përfundimi: Për të rënë në peshë, duhet të bësh shumë sport.

Çfarë është e vërtetë?  Objektivi i vrapit nuk ka pse të jetë ekskluzivisht djegia e kalorive. Falë ushtrimeve, përmirësohet oksigjenimi i indeve, forcohen muskujt, tonifikohet trupi dhe përmirësohet gjendja shpirtërore. Përveç kësaj, digjen edhe kalori! Përfundimi: Ia vlen të bësh fizkulturë!

7. Sporti shkakton rënien e gjoksit

Çfarë është e gënjeshtërt? Kur bën sport, tundet gjithë trupi, gjithë muskujt dhe indet. Gjithashtu, lëviz edhe gjoksi, por kjo nuk do të thotë se rezultati është rënia e gjoksit. Mund të ndodhë të kesh dhimbje të gjoks ose në qafë, por sporti nuk ndikon në formën e gjoksit, në të cilën ndikojnë faktorët gjenetikë.

Çfarë është e vërtetë? Gjoksi forcohet më shumë me sport dhe bëhet më tonik. Përveç kësaj, ushtrimet e peshave forcojnë muskujt e gjoksit. Nëse vazhdon të jesh e shqetësuar, bli një palë sutjena për sport, që reduktojnë lëvizjet e gjoksit gjatë stërvitjes, në masën 74%.

8. Magnezi ndihmon në evitimin e ngërçeve të muskujve

Çfarë është e gënjeshtërt? Shumë vetë mbajnë tableta magnezi në shtëpi për të evituar ngërçet dhe tensionet e muskujve, por kjo është vetëm një legjendë, sepse efekti i këtij minerali te ngërçet, është praktikisht zero. Që kjo të funksiononte, një sportist duhet të konsumonte 400-600 mg magnez në ditë, por rezultati do të ishte diareja dhe lodhja, prandaj duhet evituar.

Çfarë është e vërtetë? Ngërçet mund të tregojnë një mungesë substancash elektrolite në organizëm. Më mirë është të konsumosh lëngje frutash me pak kripë ose pije speciale për sportistët. Kjo ndihmon në ngritjen e nivelit të elektroliteve. Në këto raste, uji nuk shërben sepse bën të humbin elektrolite. Më mirë është të stërvitet zona e prekur me ushtrime specifike tërheqjeje dhe të ndiqet një dietë e ekulibruar, që të mos kesh mungesa të asnjë lloji.

9. Lëngu i frutave është pija më e mirë për një sportist

Çfarë është e gënjeshtërt? Lëngjet e frutave, në përgjithësi, kanë shumë sheqer e kjo mund të shkaktojë grumbullim të dhjamit në organizëm. Edhe pijet e sportistëve, që supozohet se sjellin kripëra minerale dhe elektrolite për të rigjeneruar organizmin pas një seance fizkulture, nuk rekomandohen.

Çfarë është e vërtetë? Pas një seance sporti, gjëja më e mirë është të hidratohesh me ujë.

10. Dhimbja dhe mpirja e muskujve janë pozitive

Çfarë është e gënjeshtërt? Fizkultura duhet të jetë një eksperiencë e kënaqshme e zbavitëse dhe nuk ka pse shkakton dhimbje, megjithatë, ne mendojmë se kemi punuar mirë, vetëm pasi ndjejmë dhimbje muskujsh. Në realitet, dhimbja e muskujve tregon që ato janë mbingarkuar dhe janë shkaktuar këputje mikroskopike në fibrat muskulare.

Çfarë është e vërtetë? Mos e ngarko trupin me ushtrime të tepruara. Është më e shëndetshme të fillosh me seanca të lehta dhe ta shtosh intensitetin ndërkohë që trupi yt u përshtatet ushtrimeve. Rezultati do të jetë më efikas. Nëse ke dhimbje, mos bëj më shumë ushtrime, me shpresën se do të kalojnë. Më e mira është të çlodhesh nja dy ditë dhe të shtosh proteinat në dietën tënde.

11. Sportet më të shëndetshme janë biçikleta dhe noti

Çfarë është e gënjeshtërt? Të gjitha sportet janë të shëndetshme nëse bëhen siç duhet dhe niveli, u përshtatet kushteve fizike të gjithësecilit. Noti është shumë i shëndetshëm, për këtë nuk ka dyshime, por nëse ke probleme me gjurin ose ndonjë patologji të shtyllës kurrizore, ai nuk këshillohet. Biçikleta, gjithashtu, nuk rekomandohet për personat me probleme të shpinës ose të kyçeve të duarve, për shembull. Kjo nuk do të thotë se sportet nuk janë të shëndetshme. E rëndësishme është të gjendet sporti i përkryer për çdo person.

Çfarë është e vërtetë? Sporti duhet të jetë një eksperiencë pozitive dhe që sjell përfitime. Nëse vuan nga ndonjë dëmtim ose nuk di cili është i përshtatshëm për ty, kërko ndihmën e një profesionisti.

12. Ecja është sporti i të moshuarve

Çfarë është e gënjeshtërt? 25, 40 apo 70… nuk është çështje moshe. Nëse nuk ushtron muskujt e trupit, humbet formën, forcën dhe energjinë. Këshillë: Gjej sportin që të pëlqen dhe praktikoje rregullisht.

Çfarë është e vërtetë? Muskujt nuk janë të aftë të njohin moshën e personave. Ato rinovohen krejtësisht çdo 15 vjet dhe vetëm brenda 12 muajve, mund të shtohet me 100% forca e tyre (dhe kjo, në çdo moshë). Kjo do të thotë se me fizkulturë të moderuar dhe të rregullt, mund të shtohet rendimenti, forca dhe lëvizshmëria. Në këtë formë mund të përmirësohet gjendja fizike e njerëzve të moshuar, duke arritur që të jenë të pavarur për më shumë kohë.

13. Kaloritë fillojnë të digjen pas 30 minutash fizkulturë

Çfarë është e gënjeshtërt? Duke bërë fizkulturë digjen kaloritë dhe dhjami, që nga momenti i parë që fillon të ushtrohesh.

Çfarë është e vërtetë? Trupi ynë konsumon energji dhe djeg dhjamë edhe kur jemi ulur ose duke u çlodhur. Sasia varet nga intensiteti i aktivitetit që bëhet dhe nga koha që i dedikojmë atij. Përveç kësaj, konsumi i dhjamit shtohet progresivisht me kohën e stërvitjes.        

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *