Tregim nga Jakup B. GJOÇA

Pjesa e parë

“Mamaja është shumë sëmurë në spitalin Onkologjik të Athinës. Duhet të bëjë një operacion, që kushton shumë. Nuk ka shumë kohë, për të jetuar. Mund ta ndihmoni?”….
E lexova disa herë mesazhin, që më erdhi në mesengerin tim. Ndonëse nuk kishim komunikuar asnjëherë, e njoha dërguesin. Është djali i Elsës. 
Doja të ndjeja keqardhje, por nuk mundesha. Ndjeva boshllëk në vetvete. 
Doja ta fshija mesazhin, por në çastin e fundit, nuk e kuptova as unë, përse hezitova…
Mbështeta kokën në ndenjësen dhe mbylla sytë, duke humbur në terrin e së kaluarës…
Kërkoja imazhin e Elsës. Të them të drejtën, kisha kohë, që e kisha strukur thellë humherës së kujtesës, sepse e dija, që nuk do të mundesha kurrë ta fshija. As ta harroja…
Të paktën, ta kujtoja sado pak, për të mos ndjerë lëngimin e një plage, të pashëruar kurrë…
E vetmja gjë, që nuk mundesha të gjeja fillin e së vërtetës, edhe pse fillimisht më dhëmbi shumë, saqë më dërmoi, është pyetja që ia përsërita vetvetes mijëra herë: “Përse? Përse? Përse?”.
Elsa nuk m’u përgjigj, sado që këmbëngula. Të paktën, të më thoshte, përse nuk mund të jetonim bashkë. 
…“Më vjen keq. Nuk mund të të shikoj si të dashur. Nuk mundem. Je shumë i shtrenjtë për mua, por jo i dashur. Prandaj…”- ishin fjalët e fundit të Elsës…
M’i tha këto fjalë, dhe iku në dhomën e saj, duke më lënë të vetëm në sallonin e shtëpisë së saj. Prita gjatë, ashtu në këmbë, ndonëse i zhveshur.

…Kur u zgjova, pashë që Elsa nuk ishte në krevat me mua…
U çova dhe e kërkova në dhomën tjetër të fjetjes. Nuk kishte aty. E gjeta në sallon, të strukur në kolltuk. U shqetësova dhe u ula pranë, duke I marrë kokën me pëllëmbë dhe e ktheva nga unë. 
Sytë e saj ishin të mjegullt. 
-Ke qarë?
Elsa nuk m’u përgjigj, por u përpoq të largohej nga unë. Unë e afrova pranë vetes dhe e putha. Elsa kishte ngrirë, sa jo vetëm që nuk lëvizi buzët, por buzët e saj ishin të ftohta, si një copë xhami e e ngrirë akull. 
-Çfarë ka ndodhë gjë, që qan?- e pyeta Elsën, duke e mbajtur në kraharorin tim. 
Elsa, sërish u mundua të çlirohej nga përqafimi im. Nuk e di, por ngriva edhe unë, sa nuk bëra më asnjë përpjekje ta mbaja në kraharor Elsën. 
-Çfarë ndodhi?- e ripyeta disa herë. 
– Nuk mundemi të jetojmë bashkë. Më fal.
-Pse?
– Nuk mundemi. Falmë.
– Si të të fal?
– Je shumë i shtrenjtë për mua. Por, nuk mund të të shikoj dot si të dashur. U përpoqa shumë, por nuk munda.
– Vërtet?
– Më fal.
– Po ty, mbrëmë ishe aq e zjarrtë në krevat. 
– U përpoqa…
– Dhe….
– Nuk mundem.
– Kur e kuptove që nuk mundesh? Tani në mëngjez?…- I thashë pakëz me ironi, sepse as vetë nuk doja të besoja fjalët e Elsës. 
– Po tallesh me mua?- e pyeta.
– Jo, besomë.
– Si të të besoj? Më ftove të vij kaq larg, te ty, dhe tani më thua, që nuk më do të dashur? 
– Më fal. 
– Vetveten tënde e beson, që më thua këto fjalë, që të të besoj edhe unë?
– Je kaq i shtrenjtë për mua, sa nuk dua të të humbas.
– Derisa më ndjek, nuk e kupton, që ty do që të më humbasësh?
– Jo, jo. Dua të mbetemi miq. 
– Vërtet?
– Po, je kaq i shtrenjtë për mua. 
– Sa një kushëri i parë? – i mëshova ironisë, sepse nuk doja të reagoja më keq, duke ndjerë llavën e zemërimit të më pushtojë përbrenda. 
– Të lutem shumë. Mos më ironizo. Kuptomë. 
– E kupton, që ty tallesh keq me mua?
– Jo, jo. Edhe unë vuaj tani, që nuk mundemi dot të jetojmë bashkë.
– Jo. Atë që unë kuptoj nga sjellja jote, është që ty tallesh. Ose, me ftove të jetoje një flert, edhe pse më ke premtuar deri tani dashurinë. 
– Hajde, të pimë një kafe. – më ftoi Elsa.
– Hajde, të shkojmë në krevat. Është ende herët. – e ftova, si një pëpjekje të harronim fjalët e Elsës.
– Të thashë. Nuk mundem më. Hajde të pimë një kafe. 
– Kafe? Pasi më thua, që nuk do të jesh më e dashura ime?
– Dua të jesh njeriu im më i mirë.
– Si shok?- nuk doja ta fshihja më ironinë. 
– Je kaq i shtrenjtë për mua, edhe pse nuk mundemi të jemi të dashuruar.
– Mund të më thuash, të paktën “Përse”? Ku fajësohem unë?
– Jo, jo, ty nuk fajësohesh. Je kaq i mirë më mua. 
– E kupton, që nëse nuk më thua përse, mund të hamendësoj mijëra gjëra?
– Unë fajësohem, jo ty. Unë nuk mundem. 
E dija, që sado të këmbëngulja, nuk mund të bëja asgjë, që t’i ndryshoja mendimin Elsës. 
– Hape derën të iki, atëhere.
– Hajde për kafe.
– Jo, jo, hajde hape derën, të iki, atëhere, – i thashë. Doja të shikoja, sa e vendosur ishte Elsa në fjalët që më tha.
Elsa u fut në kuzhinë, ndërsa unë prisja në korridor. 
Prita më shumë se 10 minuta. As unë nuk shkoja në kuzhinë, ku priste Elsa, as Elsa nuk erdhi të korridorm ku rrija unë. 
Humba durimin.
– Nëse do, që unë të iki, hajde hap derën, – i thashë Elsës.
Dikur, Elsa erdhi. Nuk foli, por hapi derën. 
– Të të çoj unë me makinë, ku do ty, meqë është akoma errët?- më tha Elsa, ndërkohë që hapi derën.
Nuk doja t’i përgjigjesha. 
Ika, pa e përshëndetur. Akoma nuk kishte aguar dielli i atij mëngjesi. 
Sa dola, bllokova në rrjetin tim social çdo komunikim me Elsën… 
U çova dhe hapa dritaren e zyrës. Ndjeva se merrja frymë me zorr. 
Kisha 4 vite nga ai mëngjez, që kurrë nuk interesova më për Elsën. Kohën e parë e kisha shumë të vështirë ta pranoja ndarjen. Më tepër, ashtu siç erdhi, njëanshmërisht nga Elsa. Pa u shpjeguar. Pa ditur, përse. 
Sado mijëra hamendësime bëja, nuk mund të gjeja shkakun, arësyen… Nuk u interesova, as nëse Elsa gjeti njeriun e saj. Veçse, te unë, prishi gjithçka. 
Ndodhia trazoi qënien time, aq sa fillova të shkruaja, thua se e shkruajtura është krisja që çau brendinë time, duke kërkuar rrugë, për t’u shpërthyer jashtë guackës time. Meditime. Pa personifikime. Pa ngjarje. Pa personazhe. Duke përjashtuar edhe vetveten. Ato ishin dallgë ndjenjash, që më ngacmonin përbrenda, pa gjetur dot qetësinë. 
Veçse, pa dashur unë, meditimet e shpërthyera nga qënia ime, u bënë saçma plumbi dhe ranë edhe mbi Elsën, derisa Elsa nuk mundi të duronte. Dërgoi mesazh te Beni për mua. Nuk guxoi ta dërgonte drejtpërdrejtë te unë. Ndoshta, donte që të më injoronte edhe më shumë, duke m’i dërguar mesazhet me të tretë. 
“Ju lutem, i thoni atij idioti, të merret me diçka të vleshme dhe të pushojë të shkruajë fëlliqësirat e shpirtit, duke më fyer vazhdimisht. Le të vejë te ndonjë doktor, që të harrojë mua…”. 
Nuk mora mundimin t’i përgjigjesha, ca më pak, me të njëjtën monedhë. Urrejtja e saj e madhe dëfton sa shumë e ka lënduar ndarjen tonë. Por, më tepër, edhe sa pak e vleshme ishte Elsa për dashurinë time. Veçse, i habitur nga vendimi i papritur i Elsës, nuk doja të besoja fjalorin e saj. Kur ishte student, ishte shumë e ndruajtur. Më shumë i qeshte syri, sesa i dëgjoja fjalë. Tani, është tjetërsuar kaq, sa, nga fjalët që më shkruajti, bie erë thartirë. Vallë, koha të fajësohet?… Duhej ta ritakoja pas 30 viteve, që të njihja nga afër ligësinë e mëshiruar te karakteri i Elsës? Kjo më dërmonte edhe më shumë vetveten, pse i dhashë besimin tim. Kaq lehtë?!… Dëshpërimi yt nuk të ndryshon dot karakterin, thjesht, të zbulon keqësinë e shpirtit, që nuk munda unë ta njihja më parë. Sado thika të më ngulësh me urrejtjen tënde, unë nuk mund të ndryshoj karakterin tim. As nuk mund të të përgjigjem me urrejtje. Derisa gjuan me thikën e urrejtjes, dëfton që kurrë nuk më ke dashuruar. Është vetë koha që të jep shuplaka shpirtkeqësisë tënde, sepse ty nuk mund të mësosh nga pësimet, ngaqë je faji, jo viktima, – ishte përgjigja ime e heshtur. 
Diçka shkruajta, atëkohë, në rrjetin tim social. Si përgjigje. Të drejtpërdrejtë. Qoftë edhe publike, edhe pse i kodifikuar, që e kuptonim pak veta. 
“NJË PËRGJIGJA E DETYRUAR
NDAJ NJĒ ZONJE
Zonjë, As marr mundimin të të lexojë statuset e tua. Çdo gjë që shkruaj, është krijim i imi. Asnjera nuk është PERSONAZH. Jeto e qetë, pa iluzione”.
Pranova përbrenda vetes, se kjo ishe erota jonë. E copëzuar. E thërmuar në shkëmbijtë e jetëve tona, si shkuma e bardhë e dallgëve, dritë dhe errësirrë bashkë, ndjenjë dhe lëngim njëkohësisht, e shkuara pa të tashme, me të nesërme të burgosur në dhimbjen e shpirtërave tanë. Derisa Elsa nuk guxoi të jetojë me mua, helmin e zbazi. Veçse, nuk e di pse, këtë helm ndaj meje, si e mbodhi kaq shpejt në shpirtin e saj, kur akoma ende ka në buzët e saj të puthurën time, vlagën e puthjes time. Veçse, kisha një bindje, që e afërt do të jetë koha, kur lotët e jetës së saj të mos kenë më vlerë, sepse do të jetë i kotë edhe mundimi që të mbledhë lotët e pendimit në shishen e shpirtit të saj…
U ndamë. Unë ika djathtas. Për të qenë sa më larg nga njëri –tjetri. Harruam, atëhere, që Toka qënka e rrumbullakët. Që, ja, një ditë si kjo, edhe mund të takohemi, qoftë edhe …rastësisht. Të takohemi, në të njëjtën rrugë…
Mesazhin ma dërgoi djali i saj. Kjo më merakosi më shumë. Mundet, apo nuk mund të jetë, kaq papritur, një lojë e Elsës? 
Nuk dija përse ka nevojë Elsa. Për lekë, besoj. Atëhere, ishte e papunë. Ndoshta edhe tani, e papunë do të jetë. Ma kishte thënë, që fëmijët i rriti e vetme, pasi u nda me burrin e saj. Askush nga vëllezërit dhe motrat nuk e ndihmuan kurrë, edhe pse i kishte aty afër…
Ngritya receptorin e telefonit të zyrës. 
– Beni, vjen dot në zyrën time?
– Tani? Jam në Durrës. Do të takohemi nesër në mëngjez?- m’u përgjigj Beni. 
– Kam nevojë tani, sa më parë. Të të pres?
– Po, ta prish dot ty? – më tha Beni. – Sepse ty, pastaj, nuk më flet më kurrë.
– Kam nevojë. 
– Ka ndodhë gjë?
– Flasim. Kur të vish. – i thashë Benit dhe e mbylla telefonin. 
Sekretares i thashë të ikte dhe të porosiste sportelistin, që të lejonte Benin të vinte në zyrën time. 
Kisha humbur konceptin e kohës, kur dera u hap dhe Beni u fut, pa trokitur. 
– Më bëre merak. Lashë gruan në Durrës dhe erdha urgjent.
– Ta marr unë tani telefon dhe t’i them, që je këtu me mua?
– Jo, jo, të dëgjoi në telefon. Çfarë halli ke?
– Më duhen një shumë euro.
– Ty, të kërkosh borxh? Po më habit.
– Pse? Nuk jam njeri unë?
– Shqetësohem. Ty kurrë nuk kërkon borxh për hallin tënd. Për kë i do eurotë?
– Thjesht, më thuaj. Mundesh të më ndihmosh? Është shumë e madhe dhe nuk di nëse do të t’i kthej ndonjëherë.
– Patjetër. Derisa ke hall, nuk mund të të braktis. 
– Është shumë e madhe. 
– Sa?
– As unë nuk e di tani për tani.
– Po më bën merak. Ke hall të madh?
– Elsa…
– Çfarë? Sikur e kishe harruar.
– Lexoje….- i thashë dhe i zgjata telefonin. 
Beni e lexoi mesazhin. La telefonin mbi tavolinë.
– Jo, jo. Nuk duhet të bësh asgjë. 
– Do më ndihmosh?
– Tani u kujtua për ty? 
– Do të më ndihmosh?
– Mos e lejo, të të vrasë sërish.
– Nuk është Elsa, që më kërkon ndihmë. Kuptoje. 
– Nuk i ke asnjë detyrim.
– Nuk mund ta braktis. Ndoshta lufton për të jetuar.
– Ajo nuk e meriton as tani, ndihmën tënde. Dëgjomë…
– Mirë, më duhet të dal.
– Atëhere, prit të të jap diçka. – më tha Beni, dhe po rrëmonte në celularin e tij. Dëgjoj mesazhin që mbërriti në celularin tim. 
“I thoni, ju lutem, të mos më shqetësojë më. Unë e kam gjetur njeriun e zemrës. Mos pranoni të bëni më ndërmjetësin. Ky muhabet është kot.” Pashë foton e Elsës te dërguesi. Ishte fotua që kishte vënë në rrjetin social vetëm për mua. Ende e mbante akoma, pas ndarjes tonë.
Beni nuk ma kishte treguar më parë këtë mesazh. As më kishte folur kurrë. E mbylla celularin, pa i dhënë përgjigje Benit. Shkova dhe hapa dritaren, shpinëkthyer. 
– Nuk mundem të të bind. Ti e ke vendosur. 
– Po.
– Lexo edhe këtë. Mbase kupton më mirë. – më tha Beni, dhe sakaq dëgjoj mesazhin në celularin tim. 
“Më kupto…nuk kam kohë për gjëra që nuk kanë shpirt. Kjo është për ty, që shkruan për mua çdo ditë në facebokoon tënd. Një femër tjetër do ta lumturonte kjo, po jo mua. Mua më rrënqeth. Mendja është gjë e madhe, or ty, Nuk blihet, ose e ke, ose nuk e ke. Dhe ty, më vjen keq, po nuk eke. Ndryshe do ta kuptoje që dashuria e njerit nuk mjafton që të shpëtojë atë… që nuk shpëtohet. Të ma falësh, po nuk është në karakterin tim t’u jap mundësinë KURRË disa njerëzve të kthehen mbrapa. Do të të mungoj, e di. Po nuk ke shans. Njerëzisht, ta them”…
– Asgjë nuk më thotë kjo, – I fola Benit, duke e parë në sy.
– Elsa të ka njohur kaq mirë, derisa të thotë, që nuk ke mendje. Tani pot ë kuptoj edhe unë. 
– Nuk hyn logjika këtu. 
– Ah, po. Harrova, që zemra jote mund logjikën, kështu?…
– Nuk të thirra ta diskutojmë. Nuk kam nevojë debatin…
– Ajo nuk të jep mundësinë të kthehesh te ajo, ta thotë qartë.
– Nuk të thashë, që dua të kthehem te ajo.
– Ajo e di që do të të mungojë. Prandaj, do ta ndihmosh tani?…
– Beni, kuptomë. Nuk ushqej iluzione. Po nuk mund ta braktis, tani që ajo lufton për të jetuar. Më kupton?
– Po ti je jashtë jetës së saj. Nuk të përket.
– Ty do ta bëje, po të të kërkonte ndihmë?
– Jo, jo. 
– Nuk të detyroj. As të gjykoj. 
– Atëhere, nuk mundem të të mos ndihmoj. 
– Të falenderoj.
– Do ikësh nesër?
– Jo, tani do të iki. 
– Merr, atëhere makinën time. Mos ik me makinën e punës.
Mbërrita herët në spitalin e Onkologjisë të Athinës. Pyeta për Elsën. Mjeku i saj do vinte pas orës 8. Fëmijët e Elsës nuk i kisha takuar asnjëherë, por ndoshta ata mund të më njihnin, ndaj, nuk doja të takoja asnjë, pa biseduar me me mjekun e saj. Ca më pak, nuk doja të takoja Elsën, ca më pak, në gjëndjen e tanishme të saj shëndetësore. 
Pyeta për Elsën. Ngurova një çast, kur infermierja më pyeti çfarë e kam. Nuk e kisha përgatitur vetveten, për një përgjigje të tillë. 
– Është e njohura ime. 
– Nuk mund t’ju jap informacion. Takoni familjarët e pacientes, – ma ktheu infermierja, duke më treguar derën.
– Jam ish-shi i saj. Vij nga Tirana, ta ndihmoj.
– Ashtu?- më pyeti me habi infermierja. – E keni braktisur dhe tani vini ta mëshironi?
– Cili është mjeku? – i thashë prerë. 
Infermierja belbëzoi diçka nëpër dhëmbë, “ më falni” dhe më tha emrin e mjekut, duke më ftuar të ulesha dhe ta prisja në zyrën e tij. Nuk do vonoheje të vinte.
Mjeku erdhi dhe më takoi, pasi e kishin njoftuar. 
– Ju, çfarë e keni pacienten? – më pyeti mjeku.
– Dua të bëj gjithçka, që t’i japim mundësi të jetojë, – iu përgjigja mjekut. 
– Pacientja ka një puçër në tru.
– Sa kohë?
– Ajo që na shqetëson është se madhësohet. Ndaj, duhet ndërhyrë sa më shpejt. 
U preva. Kuptova që jeta e Elsës rrezikohet kaq shumë. 
– Mund të ketë pasoja postoperacioni?
– Mundësitë më të mëdha janë që edhe opercioni që të mos bëjë asgjë. Ka shumë mundësi që edhe të mbetet e paralizuar. Edhe mund të mos flasë më. 
Dora më ra instiktivisht mbi tavolinë, si një copë e shkëputur nga trupi. 
– Do ta operoni këtu?
– Ka nevojë për një operacion të specializuar. Më mirë është që ta bëjë në një klinikë të specializuar në Zvicër, në Zyrih. Është mundësia më e mirë për gjëndjen e pacientes.
– Ju keni mundësi të komunikoni tani me klinikën?
– Po, nëse ju mund të përballoni shpenzimet financiare. 
– Dakord. Bëni gjithçka, që ta çojmë që tani pacienten aty. – iu përgjigja mjekut. 
– Të thërras fëmijët e pacientes?
– Po. Bëni gjithçka, që ta çojmë sa më parë aty.
Mjeku u çua dhe doli nga zyra. Kur erdhi, më tha.
– Do të duhet të merrni një çarter, që pacienten ta dërgojmë sa më parë. Mundeni ta paguani dhe aeroplanin?
– Po, po. 
– Shumë mirë atëhere. Ja, të vijë fëmija e pacientes.
Dera u hap dhe dikush hyri brënda. Unë nuk munda të shikoja, pasi isha shpinëkthyer nga dera.
– Mamanë tuaj do ta çojmë nesër në Zvicër. Ju sillni dokumentat tuaja, për 2 shoqërues.
– Doktor, kush do paguajë? 
– Zotëria këtu, – u përgjigj mjeku. 
Bashkëfolësi i mjekut erdhi pranë meje. Ishte hera e parë, që shikoja përballë djalin e Elsës. 
– Ju, erdhët kaq shpejt? – më pyeti djali i Elsës dhe më zgjati dorën.
– Të shkuara mamasë tuaj. – i thashë dhe i zgjata dorën. 
– Ju falenderoj.
– Të shkuara. 
– Mamaja nuk di asgjë për ju. Unë ju kërkova ndihmë, sepse mamaja nuk do të pranonte kurrë. 
– Sa kohë ka Elsa me këtë sëmundje?
– Ka mbi një vit që kurohet.
– Një vit, dhe nuk më tha asgjë?…
– Mamaja e di mirë gjëndjen e saj shëndetësore. Edhe që ka pak shpresë për të jetuar…
– Nuk dua ta besoj. 
– Do vini ta takoni mamanë?
– Çfarë? – pyeta i zënë ngushtë, i papërgatitur të dëgjoja një ftesë të tillë nga djali i Elsës. 
– Një natë, kur mamaja ishte shumë e sëmurë, dëgjova të fliste me vete, që ti nuk do ta besosh kurrë atë, pse të tha “Ik”. Kur u zgjua, e pyeta. Mamaja nuk m’u përgjigj më kurrë. 
– Nuk është momenti, po meqë ma përmende, urdhëro këtë, – i thashë djalit të Elsës dhe i zgjata në një fletë të prinduar mesazhin që Elsa i dërgoi Benit për mua. 
Djali i Elsës nuk mori mundimin ta mërrë fletën që i zgjata. 
– E kam lexuar. Më mirë, pyet vetë Elsën. Qoftë edhe tani. 
– Nuk erdha për të dëgjuar ndonjë përgjigje. Le ta ndihmojmë të jetojë. – iu përgjigja. 
– Do vish ta takosh? – këmbënguli djali i Elsës.
– Do ta gjej kohën, – iu përgjigja, pa dashur t’i them, që nuk dua ta takoj më.
– Djali i Elsës u largua. 
Hapa mesengerin dhe i dërgova mesazh Benit të shkojë urgjentisht në Zyrih.
U largova nga zyra e mjekut dhe shkova te restoranti i spitalit, duke zënë një kënd të larguar nga rrëmuja. Kisha humbur konceptin e kohëpritjes, sa as uri nuk ndjeja, veçse pija kafe pa mbarim, sa ndjeva mpirje në gjysmën e kokës. Beni më dërgoi përgjigje, që u nis për në Zyrih. U lehtësova disi. 
Dikur pashë që erdhi drejt meje djali i Elsës, duke mbajtur në dorë disa fletë.
– Të kërkoj gjithandej. – më tha.
– Ka ndonjë problem? – e pyeta.
– Duhet të paguani, që të niset çarteri të vijë këtu. – më tha djali i Elsës dhe më zgjati disa fatura. I mora faturat, i dhashë andresën time të mesengerit, të më lajmëronte për ardhjen e aeroplanit dhe dola nga spitali…
Afër mbrëmjes, djali i Elsës më dërgoi mesazh, duke më thënë, që për 30 minuta Elsën do ta çojnë në aeroport me ambulancë. 
Kur mbërrita në oborrin e spitalit, pashë një ambulancë që prite përpara derës. Mendova se ishte për Elsën, ndaj u struka diku, ku mund të mos bija në sy, por të vëzhgoja gjithçka. Duke pritur, hapa rrjetin social dhe kërkova profilin e Elsës. Pashë foton e profilit të saj, një grua me vello të bardhë, që hedh buqetën me lule trëndafilash të kuq në ajër… Më kishte thënë, që kurrë nuk veshi vello nusërie. “Edhe unë nuk bëra dasëm, sepse ika në emigrim, – i thashë. – Kur u ktheva, gjeta në shtëpi vajzën 3 muajshe.” “ Nëse martohemi, a do që të bëjmë dasëm?, më pyeti dikur”. “Pse e do dasmën? Tani është moda të bashkëjetojmë.- iu përgjigja”. “Do të doja të vishja një herë vello nusërie. Po, s’ka gjë. Më mjafton të jetojmë bashkë, edhe pa veshur vello, – m’u përgjigj Elsa dhe kurrë nuk më foli për martesë e vello”. Një çast, mendova, se mos Elsa është martuar, pasi iku nga unë, ndaj ka vënë edhe foton me vello në profil. Po nuk guxova të shfletoja më tej në profilin e saj në rrjetin social. 
Kur dikush hapi portën e ambulancës, unë u afrova pranë hyrjes, duke u strukur në një cep të saj, diku i larguar. Nuk vonoi dhe infermierët sollën te ambulance Elsën të shtrirë në krevat. Nuk lëviza, por ndiqja me shqetësim. U mundova të dalloja fytyrën e Elsës, por nuk munda. 
Kur Elsën e futën në ambulancë, ndjeva dikë që u afrua pranë meje. U tregova shpërfillës, duke kujtuar se do të ishte ndonjë i rastësishëm. 
– Përse e ndihmon tani Elsën? – dëgjova të më pyeste ai që u afrua te unë. 
E pashë në sy. Nuk e kisha takuar ndonjëherë. Duke paralelizuar moshën, mendova se do të ishte vëllai i madh i Elsës. Asnjëherë nuk e kisha takuar, por kujtova në çast se dikur, kur isha student, xhaxhai im më tha, kur isha me pushimet verore, se një zetorist e kishte pyetur atë (xhaxhain tim) për mua, duke i thënë se ka lidhje me motrën e tij. Unë atëhere, u zemërova shumë me Elsën, se vërtet shoqëroheshim, por akoma nuk i kisha shprehur dashurinë time. Ngutja e saj, t’u thoshte njerëzve të saj për lidhjen tonë, ngacmoi keq egoizmin tim. Mbaj mend, që sa u kthyem në universitet, u zumë me Elsën…
Edhe tani, të zemëruar me Elsën, si dikur. Dhe vëllai i saj, tani pyet mua, përse e ndihmoj. Rastësi e kohës?…
– E do që ta kesh dashnore tani?…- dëgjova tjetrin të më thoshte, ndërkohë që unë heshta ndaj pyestjes së parë. Ndjeva një llavë morvica të më përshkonin trupin. Ndjeva kaq urrjetje, sa doja ta qëlloja. Por, ende ambulanca nuk ishte larguar nga hyrja e spitalit. 
– Dhe flet ty? Që tërë jetën Elsën e keni braktisur, sa edhe tani e lini të vdesë?… – e kisha ngritur tonin e zemërimit, dhe me vrull përplasa supin tim me supin e folësit, duke u larguar. Pashë, që pranë nesh ishin afruar fëmijët e Elsës. Djali u mundua të më ndalojë, por unë e shkëputa dorën e tij nga krahu im. Nuk e ktheva më kokën dhe u largova nga spitali…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *