Jam Jonida. Kam një shqetësim me kokën, sidomos qëkur kam lyer flokët me dekolorim dhe me bojë, brenda ditës. Më rëndohet koka, ka raste kur më bllokohet dhe më vjen për të qarë. Ka raste kur dëgjimi më zbehet dhe zëri më ndryshon. Kohët e fundit, sikur më dhemb edhe zemra. Kam bërë ezhenë dhe më ka dalë pak e acaruar, por asgjë e keqe. Kam marrë ilaçe dhe problemi më ka kaluar për momentin, por prapë kanë filluar shqetësimet. Ju lutem, doktor, më ndihmoni me ndonjë mjekim.

Dr.Abaz Quka, neuropsikiatër, Klinika mjekësore “Nertila” Tel: 0696524440:- E dashur Jonida! E lexova me vëmendje letrën tuaj dhe e kuptoj shqetësimin tuaj. Duke u bazuar në shqetësimet që ju referoni, do të mendoja se dhembjet tuaja të kokës lidhen me tensionimin e sistemit nervor. Edhe shqetësimet në kraharor, të qarat etj. mund të lidhen me ankthin dhe mbingarkesën emocionale. Ndoshta boja e përdorur për flokët ka qenë shkaku i fillimit të dhembjeve të kokës (dihet se kimikatet mund të shfaqin dhembje koke), por ankthi dhe mbitensionimi i sistemit nervor duket se e kanë precipituar situatën, dhe ju kanë futur në një qark vicioz. Në këto kushte, situatat duket kronike, dhe nuk mendoj se qetësuesit e përkohshëm janë një zgjidhje definitive. Lajmi i mirë është se ka medikamente të ndryshme të cilat mund t’ju bëjnë të dilni nga kjo situatë. Për këtë arsye, do t’ju rekomandoja të konsultoheni me një mjek neuropsikiatër për një vizitë të kujdesshme, për të përcaktuar mjekimet me të përshtatshme për ju. Ekzaminime të mëtejshme mund të jenë të nevojshme. Mbetem ne dispozicionin tuaj për pyetje të mëtejshme. Mund të më telefononi nëse dëshironi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *