– Çfarë roli luan kalciumi në trupin e njeriut?

– Kalciumi është kripa minerale më e bollshme në trupin e njeriut, kështu që nuk është e çuditshme që ajo ka funksione kaq të rëndësishme. Roli parësor i kalciumit është të ndërtojë kocka dhe dhëmbë të forta. Kalciumi ndihmon në kontraktimin e muskujve, mpiksjen e gjakut dhe kontraktimin e zgjerimin e enëve të gjakut. Këto funksione janë aq të rëndësishme, sa, nëse nuk e merr kalciumin nëpërmjet ushqimit, trupi ia merr atë kockave.

– Për sa kalcium kemi nevojë?

– Fëmijët nga 1-3 vjeç, kanë nevojë për 500-2500 mg kalcium në ditë, fëmijët 4-8 vjeç, 800-2500 mg ditë, ndërsa të rriturit, minimumi 1300 dhe maksimumi 2500 mg/ditë.

– Cilat janë ushqimet më të pasura me kalcium?

– Qumështi, djathi, kosi, brokoli, sallata dhe lakra. Nëse e keni problem yndyrën që ndodhet në qumësht dhe në nënproduktet e tij, zgjidhni nënprodukte me përqindje të ulët yndyre, të cilët zakonisht kanë të njëjtën sasi kalciumi. Mbase keni dëgjuar se kalciumi i marrë nga perimet nuk thithet aq mirë sa ai që merret nga nënproduktet e qumështit dhe kjo është pjesërisht e vërtetë. Kalciumi thithet pak nga disa perime si spinaqi, patatet, fasulet, etj. Për shembull, vetëm një e dhjeta e kalciumit thithet prej tyre, krahasuar me atë të nënprodukteve të qumështit. Megjithatë, ka perime, kalciumi i të cilave thithet nga trupi po aq sa nënproduktet e qumështit dhe kjo është familja e lakrave (brokoli, lakra, sallata). Megjithatë, ki parasysh se disa perime kanë më shumë kalcium për gram se të tjerët. Për shembull, duhet të konsumosh sasi më të mëdha brokoli për të marrë të njëjtën sasi kalciumi që merr nga sallata.

– Çfarë ndodh nëse nuk merr sasinë e duhur të kalciumit?

– Zakonisht, kjo ndikon në zhvillimin e osteoporozës, një sëmundje që rrit brishtësinë e kockave dhe mund të shkaktojë thyerjen e tyre. Në SHBA, çdo vit, 1.5 milionë fraktura shkaktohen nga osteoporoza. Njerëzit në rritje (bebet, fëmijët dhe adoleshentët) që nuk marrin sasinë e duhur të kalciumit, e kanë të pamundur të krijojnë nivelin e duhur të masës kockore, duke u rrezikuar nga osteoporoza më vonë.

– Para se të shfaqet osteoporoza, a ka shenja që tregojnë se njeriu po konsumon pak kalcium?

– Për fat të keq, një nga arsyet pse osteoporoza shfaqet papritur është se mungesa e kalciumit nuk shkakton simptoma të dukshme.

– Çfarë ndodh nëse merr shumë kalcium?

– Nëse merr sasi të lartë kalciumi në formë tabletash, mund të vuash nga gurët në veshka dhe nga probleme në funksionimin e veshkave. Gjithashtu, sasia e lartë e kalciumit pengon trupin të thithë siç duhet mineralet e tjera, siç është hekuri, fosfori dhe zinku. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *