Historia ime fillon trishtueshëm, por nuk përfundon kështu. Të them të drejtën, tani që po shkruaj historinë e jetës sime, nuk mendoj se jam në gjendje ta tregoj me zë të lartë. Kjo është edhe arsyeja që nuk do ta vë emrin tim në fund, por ky është dhe treguesi i mentalitetit që nuk çrrënjoset. Unë jam në burrë në mesmoshë, por edhe unë kam qenë i ri dhe kam jetuar e përjetuar shumë gjëra. Në klasë të tetë, u njoha me një vajzë të ardhur nga viset malore të Shqipërisë. Ata ishin një familje e rregullt dhe ajo ishte një vajzë aq simpatike, me sy të mëdhenj dhe plot jetë, me gojë në formë shumë të bukur, e gjatë, por dallonte nga të tjerat edhe për krenarinë që kishte, gjë që e bënte të binte më shumë në sy. Vitet kaluan dhe as ajo, as unë nuk e morëm hapin kryesor, atë të fejesës, sepse familjet tona nuk e donin bashkimin tonë. Një ditë daja më propozoi të shkoja në Itali me të. Meqenëse në shkollë nuk kisha rezultate të mira, kjo ishte rruga ime e vetme. U ndamë, por për t’u bashkuar përsëri. Për shkak të letrave, m`u desh të rrija për një kohë të gjatë atje. Familja më kishte gjetur një nuse. Nuk e di as vetë se si pranova.

Familja ime nuk e donte vajzën me të cilën isha i dashuruar e nuk e kisha harruar as me flirtet në Itali. Të them të drejtën, nga natyra jam një mashkull që nuk i rezistoj dot femrës. Ato më afrohen për shkak të syve të mi bojëqielli, ndërsa unë u afrohem atyre nga debulesa për gjininë femërore. Të them të vërtetën, këtu ishte gabimi im, por siç na kanë mësuar gjithmonë të nënshtrohemi e jo të bëjmë atë që duam, edhe unë u binda. Erdha në Shqipëri dhe bëmë dasmën. Atë ditë isha i dehur dhe të gjithë kërcenin në dasmën time, ndërsa unë isha fshehur në lokalin e dajës. Nuk shkova atë natë në shtëpi.

 Ditën tjetër qëndrova në shtrat gjithë ditën, sepse nuk hapja dot sytë nga pija e dy ditëve më parë. Vajza me të cilën u martova ishte një vajzë shumë e mirë, e urtë, punëtore dhe simpatike, esmere dhe mjaft e durueshme. Është e vërtetë se familja nuk të do të keqen prandaj edhe kishin zgjedhur këtë vajzë kaq të mirë për mua. E keqja është se në këto raste, vepron zemra. Për disa është një kjo është një gjë jo shumë e rëndësishme, por për mua jo.

Ditët kaluan dhe unë nuk kisha fjetur akoma me nusen. Kështu ndenjëm një vit e gjysëm. Më pas u nisa prapë për në Itali. Ndenja atje katër vjet. Nusja duroi për tre vjet me prindërit e mi dhe pastaj u kthye në shtëpinë e vet, ashtu siç kishte ardhur.

Kur u ktheva, çdo gjë kishte ndryshuar, nusja kishte ikur e mund të flija në krevatin dopio e jo në kuzhinë; vajza që kisha dashur që në klasë të tetë ishte rritur, unë kisha siguruar një sasi lekësh e mund të hapja një biznes. Vetëm dashuria ime për atë vajzë nuk kishte ndryshuar.

Megjithëse shumë gjëra ishin në vijë, ne akoma nuk mund të martoheshim për arsye të familjes së nuses që kisha braktisur. Një ditë, një shoku im më tregoi për të dashurën e vet.

– E dua shumë – më tha.

– Po pse nuk e merr? – i thashë.

– Është e martuar, ka dhe një fëmijë.

– Ç`është ky gomarllëk? Nuk gjeje dot një vajzë, apo janë mbaruar?

– Ehu, mos të rëntë – më tha – se nuk ke ç`t’i bësh!

– Mirë, janë punët e tua…

Ditën tjetër më tha:

– Po deshe, të njoh unë me shoqen e të dashurës sime. I pashë dje bashkë. Është e papame lali!

– Jo, jo! Nuk kam ndërmend të merrem tani për tani me këto gjëra, kam hallin e punës. Pastaj, ti e di çfarë po pres.

– Po mirë, ti shikoje njëherë e pastaj flasim.

Në qoftë se do t’i kisha thënë “jo” në atë çast do të kisha vepruar mire se do të kisha mbështetur shprehjen që njeriu bie vetëm një herë në dashuri, por do të kisha vepruar keq se nuk do të mbushja të gjitha hapësirat e jetës sime.

Dita e tretë ishte vendimtare. Se bashku me shokun, shkuam në orën tre te lokali ku kishim lënë takimin. Ato të dyja kishin ardhur. Shoku im më tha se vetëm një herë do ta takoja dhe pastaj mund të mos e takoja më sepse ajo nuk e dinte gjë se unë doja të dilja me të.

U prezantuam. Ishin njëra më e bukur se tjetra. Ajo që shoqëronte shokun tim ishte ezmere, me flokë të drejta, kafe të errët gati të zeza, trup perfekt, sikur të mos kishte lindur fëmijë ndonjëherë. Dhëmbët e saj ishin të përkryer. Ndërsa ajo, shoqja e saj, ishte më bjonde, syjeshile, pak më e mbushur e jo aq elegante sa shoqja vet. U ulëm dhe filluam të njiheshim, por ajo fliste aq pak. E dashura e shokut tim ishte shumë alegro dhe u kënaqëm shumë, por ajo nuk m`u duk se u kënaq. Nga fytyra dukej shumë e egër dhe me karakter të fortë. U ndamë, por mua nuk më bëhej të shkoja në shtëpi. Pyeta shokun se ku banonin.

– A mund të shkojmë afër shtëpisë së tyre? Sa kam dëshirë ta shoh prapë!

Ai pranoi. Mund të bënte gjithçka edhe për mua, por edhe për të dashurën e vet që e dashuronte. Shkuam. Ato të dyja po rrinin në oborr siç dalin darkave nënat me fëmijët e tyre të vegjël. Të dyja kishin nga një fëmijë në të njëjtën moshë. Na panë. Atë fytyrën e saj nuk do ta harroj kurrë, sepse kuptova se diçka ndjente për mua. Në lokal ajo dukej se nuk ia kaloi mirë, madje po bezdisej e jo më të kishte ndjerë gjë për mua. Tani, ajo më pa dhe më konfirmoi ndjenjën reciproke. U gëzova aq shumë sa ishte dita e parë që mendja më rrinte te një femër tjetër.

Ditët në vazhdim ishin tepër të lumtura. E takova disa herë. Nuk ishte si të tjerat që kisha njohur. Ishte edhe shumë e bukur, por ishte fjalëpakë, e kundërta ime që flisja gjithmonë. Ishte një dashuri me të vërtetë. Nga dita në ditë kuptova se e doja. Më pëlqente të rrija me të. Ishte një femër e kompletuar.

Ajo ishte e martuar, por edhe ishte e lirë për takime. Si duket, ngaqë ishte një femër korrekte, kishte fituar besimin e burrit të saj. Për mua, ishin kohë shumë të bukura ato që kalova me të, por ajo nuk e pati të lehtë, sepse duke rënë në dashuri me mua, kushedi si ndjehej kur shkonte në shtëpi tek i shoqi. Për këtë gjë, ajo nuk më foli kurrë, sepse i tillë ishte tipi i saj. Unë fillova punën dhe ndiheshim mirë, mirëpo ajo një ditë më tha se ishte shtatzënë. Oh jo, jo me mua! Ishte shtatzënë me të shoqin.

Kështu, unë mbeta përsëri në pritje. E shihja çdo ditë, por ajo me atë natyrën e vet, mund të kalonte afër dhe të sillej se nuk ishim takuar ndonjëherë. Kështu kaloi koha dhe më së fundi, erdhi dita kur unë mund të kurorëzoja dashurinë e fëmijërisë. Bëmë një dasëm të vogël. Kisha pritur aq shumë për këtë ditë! Vetëm për pak kohë nuk e mendoja, kur isha e lidhur me atë femër, që më mirë që ishte e martuar sepse do të kisha përfunduar me të dhe nuk do të më shkonte mendja për asnjë tjetër. Kur je i vogël, je i pafajshëm dhe Zoti t`i plotëson të gjitha dëshirat nga pastërtia që ke në shpirt. I isha lutur Zotit që kur u dashurova në klasë të tetë, që të bëhej kjo dasëm, prandaj m`u plotësua kjo dëshirë. Kur u dashurova me gruan e martuar, isha i madh dhe nuk isha aq i pastër sa fëmijë vetvetiu, prandaj nuk m’u plotësua dëshira të martohesha me të. Isha lutur njësoj në të dy rastet. Vetëm kjo mund të ishte arsyeja që m`u plotësua dëshira e fëmijërisë.

Gruaja e martuar lindi dhe pas njëfarë kohe, filloi punë. E shihja çdo mëngjes dhe ndjeja të njëjtën ndjenjë si ditën e parë. Isha mes dy femrash që i dashuroja.

Një mëngjes kisha dalë herët nga shtëpia. Ajo, si zakonisht, doli të shkonte në punë.

– Mirëmëngjes – i thashë.

– Mirëmëngjes!

– Ç`kemi? A mund t`ju shoqëroj pak?

– Me kënaqësi! Ti e di se unë e kam për kënaqësi të eci me ty.

E shoqërova për në punë dhe vura re se ajo nuk kishte ndryshuar aspak, madje ishte bërë më e mirë. Një vit pas lindjes së fëmijës ajo ishte një femër shumë e bukur. Ishte rigjeneruar. Kështu bëmë edhe disa ditë të tjera. Na kishte marrë malli për njëri-tjetrin, por ajo ishte e largët, nuk më afrohej si më parë, nuk isha pjesë e zemrës së saj si më parë. Të them të drejtën, unë ndjehesha më i lehtësuar. Vërtet e doja, por martesa ime po shkonte shumë mirë. Kjo martesë kishte qenë dashuria ime e parë dhe na u desh shumë ta finalizonim. Gruaja që kisha përkrah ishte një femër e fortë, shumë e shkathët, me energji dhe me të, jeta ishte një progres i vërtetë. Tani unë kam katër fëmijë dhe jetoj i qetë. Biznesi im në saje të punës sime dhe të gruas sime, shkon shumë mirë.

Atë e shoh shpesh. Koha ka bërë punën e saj, por ajo mbetet ndër preferencat e mia. Ndonjëherë e takoj. Ka ndryshuar shumë nga ajo femra 24-vjeçare që njoha. Ja pra, si është jeta! Dashuron, të pengojnë, zemërohesh me të gjithë, gjen një rrugë që të arrish atë që do, kur e arrin nuk ke atë satisfaksion që mendoje! Mjafton ta jetosh shumë dashuri, të cilat të plotësojnë njëra-tjetrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *