Udhëtimet e mia turistike ne Google as këtë herë nuk më zhgënjyen. Pak kohë më parë, krejt rastësisht, duke parë rivierën e zonës Cancun në Meksikë, u ndesha me një ishull me një emër të çuditshëm, Isla Mujeres (Ishulli i gruas), që më ngacmoi kuriozitetin edhe më shumë! Ishte ky ishull që më mbeti në mend dhe e “piketova për të vizituar. Me mbeti në mend jo vetëm bukuria e ishullit, por edhe një fotografi e një skulpture që “live” dukej më e bukur. Ishte një bust bronzi në një pikë panoramike të ishullit, i cili prezanton një grua me hire të hishme e cila si një peshk del nga një guackë. Ajo mban duart lart, e pozicionuar në trajektoren më të saktë të lindjes së diellit, me një yll të shtrënguar butësisht, por edhe me një farë natyrshmërie, siç bën një nënë që sapo ka lindur një fëmijë duke e ngritur lart nga lumturia që provon në atë moment. Kishte një ndjesi bekimi ai bust gruaje. Nëse do të jeni këtu një ditë dhe do të mund të shikoni këtë bust në lindjen e diellit, në shëtitoren përgjatë detit nga ana lindore e ishullit, nuk do të mundeni t’i rrezistoni tundimit për një foto aty.

Legjendat e këtij vendi janë të lidhura me figurën femërore. Krijesē mistike gruaja e këtyre anëve. E hijëshme në pëlhurat e bardha të qëndisuara shumë ngjyrëshe që i veshin vajzat vendase dhe i shesin gjithashtu nëpër tendat ambulante të rrugicave karakteristike.Nuk ka cep tē ishullit të mos mbretërojë larmia e botës karaibike. Kjo perlë që ne e njohim për faunën por shumë pak për realitetin e saj popullor i pret turistët si t’i këtë banorët e saj.

Nëse do t’a ndaja në kapituj këtë udhëtim i pari do të ishte pa dyshim mbi buzëqeshjen e tyre. Nuk pashë një njeri të mërzitur këtu. Jua siguroj që nuk është një ishull lluksi edhe se jahtet nga zona e Concunit bëjnë një sfilatë të pa mëshirë, për çdo ditë, në brigjet e ishullit rreth orës së drekës. Ju dëgjohet muzika dhe hareja  tutje sikur kanë vendosur një rregull në heshtje me banorët.  Kjo më kujtonte sa herë i shikoja historinë e kthyer pas në kohërat e piratëve. Kur erdhën spanjollët që zbuluan ishullin përqasia e parë kurioze ishte gjetia e statujave që prezantonin gruan si simbol i një  vendi të bekuar gjithshtu edhe të fertilitetit ( pjellorisë). . Ndërsa piratët e kapiten Jack Sparow, të Piratëve të Karaibeve, e kishin edhe si vend të preferuar për faktin e pozicionit që ka ky ishull , që prezantonte një fortesë mbrojtje për familjet dhe thesaret e grabitura nga ata gjetkë.

Në shetitjen tona të mëngjeseve , pa lindur dielli, e kërkova vjedhurazi me sy kurioz ndonjë vend të fshehur me ndonjë portë si në filmin “Hapu Sesan” po nuk e gjeta gjëkundi. Kuptova me kohë se thesaret piratët në këtë ishull nuk i kishin fshehur, por shkëmbyer me bukurinë e tij.

Një tjeter kapitull është të futesh në botën e detit pa qënë ndonjë polumbar i mbaruar. Asnjëherë në jetën time kisha provuar Snorkeling! Kurajo për aventurë nuk mungon në qënien time, por… Hedhja e parë një tragjedi komedi më vete. Ngeca në hekurin e varkës që do të na shoqëronte për katër orë në tē gjithē teritorin tropikal. Njē dhëmbje thikë në krah dhe njē njollē tē zezë tatuazh origjinal që e kam edhe sot dhe qē më kujton tē jem gjithmonē e përgatitur për rreziqe. Por ja vlen gjithmonë të provosh paçka edhe se ngec nganjëherë. Nē hedhjen e dytë bota e nënujshme mori përmasën e një peshku që po notonte në magjinë e parajsës së Nemos. Oh, a ju kujtohet ai peshku i bukur tropikal me vija që lë pa fjalë fëmijët në Disney film ? Fillova edhe unë një aventurë të re të pa mësuar nga asnjë instruktor noti më parë.

Kur po mendonim si do të bënim im shoq që ka një vizion praktik adaptim  të paparë edhe pse vetë ai asnjëherë s’ kishte provuar më parë këtë tip sporti më thotë:”Mos u bëj merak se do të na japin një maskë deti dhe do fusim vetëm kokën” Besova verbërisht në këtë version komik në shërbim të paaftësisë time sportive trupore, uroja një mënyrë sa më të thjeshtë,  paçka që shpirtin e kam gjithmonë në stërvitje imagjinare një eksperincë e tillë kurrë s’e kisha imagjinuar.

Kur arritëm në vendin e zhytjes ç’të shikoja! Katër metra thellësi. Tubin e frymëmarrjes e hodha tutje se po planifikoja me mëndje të ftohtë hedhjen nga varka. Kishin shkallë dhe nuk i vendosën në përdorim dy shoqëruesit tanë se grupi i cili ishte me ne e njihte shumë mirë këtë lloj argëtimi. Ishin të gjithë turistë meksikanë. O Zot, medova, ç’do mbetesha këtu… ! Po më mbahej fryma pa e futur akoma kokën. Por u krijua një lidhje origjinale me thellësinë pa menduar gjatë! Mbledh veten dhe filloj të kuptoj si funksiononte maska, kur duhet te mbaja frymën, kur duhet të zhytesha, si duhet të konsumoja ngadalë oksigjenin dhe si duhet te menaxhoja trupin. Shumë komanda në një kohë për të hapur sytë e për të parë poshtë katër metra thellesi kristal, peshq ngjyrë deti apo ngjyrë dielli. Fillova edhe t’i gëzohem topave të oksigjenit që dilnin nga frymëmarrja ime ujore.  Muzeumi i skulpturave të ishullit, si një qytet më vete, të pret aty poshtë me veçantinë e tij. Njihet si shprehje e jona : të martohem edhe një herë pa do të dij të nusēroj. Herën tjetër kjo zhytje do të jetë një shëtitje më e bukur se e mësuam rrugën atje.

Kapitulli i shiut.Ato ditë kanë patur flladet e ishullit edhe në rrebeshin e tij të çmendur. Një pasdite  i tundi palmat dhe të nesērmen kopshti tropikal i hotelit tonë ishte mbushur me arra kokos të rëna në tokë. Duke u endur me telefonin gati për foto, mbi një mur rozë (se edhe ndërtesat janë të pikturiara këtu dhe grafiti është mënyra më e bukur për të kuptuar mënyrēn e jetesës këtij ishulli) një iguana dembele më shikonte si e ngurësuar nga lart. Kishte shumë të tilla në ishull. Krijesa ishulli të mësuara të jetojnë të lira dhe jo nëpër oborre apo shtëpi njerëzish të kamur, kapriçioz, që nganjëherë edhe i braktisin se mërziten me to. Po le t’i kthehem grafitit. Shtëpitë e ishullit kanë pamje të vjetër e të rënduar dhe kjo të jep të kuptosh se mungesa e parave është e dukshme edhe pse këto vitet e fundit turizmi po rritet. Dhe vendasit e dijnë se mënyra më e bukur për t’i dhënë një tjetër veçanti është pikturimi i tyre . Mure dhe fasada të pikturuara në dhjetra ngjyra, ilustrime, profile. Dhe tek asnjera nuk mungon profili i një gruaje, silueta e një peshku, konturet e një luleje. Ngjyrat pushtojnë shikimin dhe ti nuk e vë re aspak që pas tyre është një banesë e vjetër bregdeti. Rëra e bardhë, ajo ngjyra e kaltër që vetëm syri është besnik i realitetit vizionar pasi të gjitha format e tjera të prezantimit janë të pa afta të tregojnë nuancat e ngjyrave ashtu siç janë!

Kapitujt e këtij udhëtimi janë pafund dhe i ngjajnë një libri që çdo kush e dëshiron t’a lexojë me një frymë. Unë më të bukurin po e lë të fundit. Nuk mund të shkosh në jug në Meksikës  pa shpenzuar një ditë të plotë në Valladolid. Historia e saj fillon në 1543 kur nipi i  Francisco de Montejo e themeloi edhe se Maya ishin vendas qysh në vitin 1000 perpara Krishtit . Vendi i Perëndisë dhe Astronomisë së lashtë. Chichenén Itza, Maya dhe ritet e flijimit në bekimin e jetës në Platforën e Venusit kur vdekjia merrej si një filozofi më vete pa e patur frikë atë. Nuk zgjatem shumë pasi ju mund tē futeni në çdo libër historie dhe të lexoni për fisin Maya por më bëri përshtypja një e veçantë atje. Përpara se një person të flijohej zhvillohej një ndeshje basketbolli. Një kosh prej guri në formën e një vrime, dukej nga poshtë si vrimë ozonit pasi ishte shumë lartë, ftonte djemt më të mirët të bënin një ndeshje. Ai i cili bënte kosha më shumë kishte nderin i përzgjedhuri i flijimit. E përjetonin si nderim, ndihmesë konkrete për familjet e tyre, të cilat do të kishin mundësinë nga ky flijim të jetonin gjatë dhe pa probleme. Ndoshta është shumë e çuditshme dhe aspak e pranueshme nga ne në botën moderne. Qëndron fakti që njerëzimi ka patur një ndjeshmëri më altruiste  kur nuk dinte ç’është altruizmi pseudo i mirë. Tempulli dhe gjarpëri lidhja e tokës me qiellin kështu ishte Kukulcan piramida “El Castillo “.  Vendasit përpiqeshin akoma të ruanin këtë madhështi historike në të gjitha mënyrat që kishin. Është bukur t’u blesh suvenirët e punuar nga duart e tyre dhe jo nëpër aeroporte apo dyqane apo diku tjetër. Kur ndaluam për një kalendar Maya në dru të gdhendur apo gur i Perëndisë Kukulcan -Quetzalcoatl, mëson edhe që dora e cilit artist e ka bërë. Këtu qëndron edhe bukuria e blerjes aty! ” Të më falni që teli metalik, i cili shërben për tu varur, është vendosur pak shtrëmbër” – na u drejtua shitësi ambulant- ” Gjyshi im i moshuar dhe nuk shikon mirë nga sytë. Ju falenderojmë që ndihmoni me blerjet këtu në vendin ku fisi i brezave të mij rreziston akoma.  Familjet mbijetojnë me një suvenir të bërë vet dhe të shitur “.

Ai kalendar është në një vend të dukshëm në shtëpinë tonë tani dhe do të na kujtojë sa jetë do të kemi atë të plakun e moshuar që ndoshta nuk shikon mirë por mëndjen e ka brilante me breza. Syri i kaltër me 50 metra thellësi, Cenote ne gjuhen vendase, të tillë të rrethuar nga shpella. Ne gadishullin Yucatan kishte mbi 6000 te tilla, tjetër qershi torte pa harruar qytetit e vogël por aq të këndshëm Valladolid. Restorantin tipik të asaj qyteze dhe pyjet pa fund që shoqëruan xhamin e autobusit tonë të pushtuar nga shikomi përtej tij, përgjatë shumë orëve udhëtim në zemër të Meksikës në një ditë me diell … Malokin në gjuhën Maya ( Ditë me diell) dhe ashtu ishin të gjitha atje!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *