Krahas aksionit për ujin e pijshëm, Bashkia e Tiranës paralajmëron dhe disiplinimin e zhurmës nga lokalet duke ndarë zonat rezidenciale nga zonat e argëtimit. “E njëjta gjë ndodh jo vetëm me zaptimet e rrugëve, por edhe me muzikën e lartë. Ka ardhur koha që në Tiranë të kemi një diferencim shumë të qartë, ku janë vendet ku t’i mund të bësh aheng dhe ku është një vend tjetër ku fëmijët duhet të shkojnë të flenë sepse vjen e nesërmja për të shkuar në shkollë dhe familja duhet të ketë një paqe qoftë edhe akustike përpara se të përgatitet për ditën e re. Kemi filluar një proces me Ministrinë e Mjedisit, nën drejtimin e kryeministrit, për t’u siguruar që në qytetet tona edhe këto hapësira të sistemohen, duke i ndarë zonat rezidenciale nga zonat që janë për argëtim”, nënvizoi Veliaj.

Ai tha se Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta në Europë, fakt që konfirmohet edhe nga statistikat. “Sa herë që flitet për çështje të rendit, qoftë nga Policia e Shtetit, qoftë nga Policia Bashkiake, kori i cinikëve, skeptikëve dhe ironikëve nuk ngurron asnjëherë të përbaltin punën e uniformave të shtetit. Ishte një krenari shumë e madhe teksa pashë se si Agjencia Europiane ‘Numbeo’, që bën një indeksim të të gjithë statistikave evropiane, e nxirrte Tiranën si një nga qytetet më të sigurta sot në Europë”, tha ai, teksa bëri të ditur se nëse tre vite më parë Policia Bashkiake kryente 7 ndërhyrje në ditë, tashmë ato kanë shkuar në 700, kurse telefonatat nga 10 në ditë, sot janë mbi 100 duke e çuar në vit në 36 mijë telefonata.

Veliaj theksoi se ky është tregues i rritjes së besimit tek Bashkia dhe Policia bashkiake. “Jo se Tirana ka më shumë probleme. Edhe skeptiku, edhe dyshuesi më i madh e di që sot gjërat janë më mirë, por njerëzit raportojnë aty ku kanë besim që gjëja do të zgjidhet. Në një derë që nuk hapet kurrë askush nuk troket, në një derë që është gjithmonë e hapur trokasin të gjithë, hyjnë të gjithë dhe marrin të gjithë shërbim”, tha Veliaj.

Arlis Alikaj

Mjedisi Sot/G.Shqip

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *