Fabjola Kuburi është nga të vetmet gazetare rozë me këmbë në tokë!E stërvitur herët me këtë profesion, sot ajo ka bërë emrin e saj. E këndshme në bisedë, e mirëinformuar në atë që bën, e qeshur mes miqsh, ajo të ngjall pozitivitet e mirësi…

Unë komunikoj shpesh me të, e përveç se “japim e marrim” për hatër të profesionit, është edhe një kënaqësi që të mbush kur ke miq të mirë!

Në Facebook-un e saj  nuk ka  ditë që nuk sheh një foto shoqëruar me një status, a thua sikur çdo gjë rrjedh prej përvojave të saj…edhe ndoshta, femrat që ia kanë dalë të notojnë vetë edhe në rrymat më të egra, nuk kanë frikë të shprehen, dhe Fabjola është një nga ato! Unë i them “faleminderit” që e kam kolege! Njiheni më tepër Fabjola Kuburin…

–Si nisi gazetaria për ty?

Fabjola: Si fillim dua të të falënderoj për këtë interviste dhe të uroj të jesh gjithmonë e dashuruar pas gazetarisë siç ke treguar që je dhe që arrin të bësh diferencën në këtë lëmë të madh ku shumë vetëquhen gazetarë dhe pak janë vërtetë të tillë. Gazetaria ose le të themi dëshira për të shkruar ka nisur herët, që në fundin e vitit ’98 dhe fillimi i vitit ’99. Ka qenë rastësi takimi i tim eti me botuesin e gazetës “Intervista”, që është edhe botuesi aktual Artan Kristo, një bisedë familjare dhe një pritje e jashtëzakonshme e Artanit që në ato kohë ishte e vështirë t’a gjeje duke qenë se ishin ende kohë trazirash. Që atëherë e deri në këto momente që flasim unë jam “dashuria e përjetshme” e Intervistës. Sigurisht që kam pasur ato lëvizjet e domosdoshme në media të ndryshme për pak kohë, të shkruara sigurisht, por “Intervista” ka qenë streha ku gjeja paqen e brendshme për të bërë maksimumin në realizimin e materialeve që më ngarkoheshin apo tematikat që ndiqja.
–Gazetaria e shkruar dhe ajo e TV-së a bëjnë diferencë për ty?
Fabjola: -I vetmi “problem” i imi, le ta quajmë problem është ekspozimi në ekran. Dal shumë rrallë, vetëm në emisione që gazetarët i kam shumë miq e nuk i refuzoj dot ftesat, (që janë shumë e i kam shumë përzemër) dhe për tematika të caktuar për të cilat ia vlen të flasësh.

– Fabjola e gazetarisë rozë, por vetë e ruan privatësinë tënde…
Fabjola: E kupton tani se pse jam tek media e shkruar?! (Qesh) Jam munduar t’a mbaj gjithmonë jetën time private larg nga ajo publike. Privatësia e kam të shenjtë dhe dua ta mbaj të tillë.

– Puna me shumë njerëz ka dhe ngacmime, a i ke hasur ti vetë?
Fabjola: Patjetër që po, por le t’i quajmë ngacmime dashamirëse. Unë nuk kam asnjë të drejtë të ndaloj dikë të ngacmojë apo shprehë atë që mendon apo ndjen, pastaj se si e menaxhoj unë situatën dhe si ia vë kufijtë është tërësisht çështja ime! 

– Ne gazetaret e kemi pak namin e keq, pse😜?

Fabjola:  E kemi pak vërtet, po zakonisht me ne ndodh fenomeni apo sindroma e  “dhelprës me rrushtë” edhe prandaj na bëjnë pak me “njollë në biografi”. (Gjithë batuta qenkam sot) Ja pra këto ngacmimet që lartpërmendëm na e sjellin këtë “namin”, por gjithsesi të gjithë  i duan  gazetaret pa lëre se ç’thonë…(qesh)

– Je shumë aktive në facebook-kun personal, statuset e tua janë të jetës tënde, apo gjithëpërfshirës, e thjesht të vendosura në vetën e parë?
Fabjola: Në përgjithësi janë gjithëpërfshirëse, unë facebook-n e kam sa argëtues dhe serioz. Jemi në kohën digjitale dhe sot vlerësohesh edhe nga profili i facebook-t. Më pëlqen të shkruaj vetëm fraza (përshkrime) të veçanta, nuk jam tek standardet dhe tek shpërndarja e një statusi në 1555 profile të tjera.

– Shoh që je shumë e lidhur me vëllain, a është ai shoku yt i ngushtë që i beson dhe “
“sekretet e dashurisë“?

Fabjola: E vërtetë, jam shumë e lidhur. Kemi një marrdhënie që uroj ta kenë të gjithë vëllezërit e motrat kudo që janë. E ke parasysh atë shprehjen që vëllai s’ta thotë kurrë sa të do por edhe tek grindjet për karikuesit e telefonit kanë dashuri të madhe brenda. Ja, kështu jemi ne. Sekretet e dashurisë? Ndonjëherë ia tregoj ndonjëherë jo. Po tani të dy jemi të rritur, unë i tregoj pakëz se në fund të fundit jam motra dhe krijohet vetëvetiu njëfarë limiti, ndërsa ai rrëfehet më shumë tek unë. Normalisht, jam më e madhe si të thuash e kam rritur vetë dhe ia kam krijuar rrugën e lirë që të flasë pa ndrojtje.

– Personazhi më i vështirë i karrierës?
–Fabjola: Nuk ka personazhe të vështirë, ka të lodhshëm, të ngeshëm, të përgjumur, e njëmijë epitete të tjera por jo të vështirë.

– Femra e showbizzit që ke bërë mikeshë?
–Fabjola :Valbona Halilin, të cilën e kam mikeshë prej shumë vitesh. Është personazhi që shpërndan vetëm pozitivitet dhe jam me fat që e kam mike në këtë “varfëri” dhe hipokrizi sociale!

– Tani, Fabjolë, ai “ideali” a është diku në horizont😜?
Fabjola: Ja këtu ngatërrohen të gjithë edhe prandaj ngelim beqare. (Qesh) Unë nuk po kërkoj idealin po kërkoj plotësuesin, dikë që të pimë të paktën kafen e mëngjesit pa u zënë, se këtë mund ta bëjmë nga dreka përshembull (qesh). Ishalla do vijë shpejt, po nëse është nisur do ketë hasur në trafik prandaj është duke u vonuar, jam e bindur. 😂

–Nën gjykimin tënd, a kemi ne personazhe në Shqipëri që meritojnë të quhen” Vip”, apo ka më shumë të vetëshpallur të tillë?

Fabjola: Më shumë kjo e dyta, por nuk mund të them që nuk ka personazhe që e meritojnë një titull të tillë janë të gjithë aktorët e teatrit dhe filmit shqiptar që lihen në hije por bëjnë dritë gjithsesi, është Eli Fara, Fatmira Breçani, Zyliha Miloti, Artiola Toska, Valbona Halili e shumë e shumë emra të tjerë që realisht ato nuk sillen si Vip-a por janë dhe e meritojnë të quhen të tillë.

– A bën kompromise Fabjola, apo me ty 1+1 bëjnë vetëm 2?
Fabjola: E ke lenë kastile këtë pyetjen “thikë me dy presa” për në fund? (Buzëqesh) Shiko, unë nuk jam e kompromiseve por e rregullave që në varësi të situatave thyhen. Nga ana tjetër, unë jam diplomuar në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe në letërsi 1+1 bëjnë 2 por bëjnë edhe 3 edhe 5 edhe sa të duam ne, kështu që mendoj se më shumë se punë kompromisesh është punë plastike në punë!

Intervistoi për Gong News, Denisa Çerma!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *