24 vite më parë, në skenën e Pallatit të Kongreseve, krah të ndjerit Françesk Radi, do të paraqitej për herë të parë para publikut shqiptar një vajzë në moshë tepër të re, që me zërin e saj do t’i rrëmbente zemrat. Bëhet fjalë për Mariza Ikonomin, e cila u bë e njohur me këngën “Telefonatë zemrash”. Megjithatë, vite më vonë, ajo rritet si fizikisht ashtu dhe artistikisht, duke sjellë këngë akoma më të pëlqyeshme për publikun, si “Piano e vjetër”, “Nuk dua të jem”, “Ku është dashuria”, “E di” e shumë të tjera. E njohur si veterane e festivaleve, Ikonomi vjen më e hapur se kurrë për gazetën “Intervista”, duke shprehur qëndrimin e saj ndaj festivaleve në Shqipëri dhe mënyrës se si zhvillohet apo vlerësohet arti.

 

Fabjola Kuburi:- Mariza, erdhe në Festivalin e Këngës në RTVSH me këngën “Unë”. U përfol si një nga këngët pretendente për të fituar, por nuk ndodhi kështu. U zhgënjeve, apo pjesëmarrja dhe pëlqimi i publikut është ai që ka më shumë rëndësi?

Mariza Ikonomi:- Më vjen mirë që kjo këngë ishte pretendente dhe që ka arritur të pëlqehet nga publiku. Unë si gjithmonë marr çmimin e publikut (qesh). Do doja shumë të falënderoja Florion Zykën (Roni) për tekstin dhe Briz Musaraj që më ndihmoi të realizoja këtë këngë. Përsa u përket zhgënjimeve, unë nuk zhgënjehem më për asgjë. Mjafton t’i marr dhe jap jetës më shumë, ashtu si e përcjell edhe në këtë këngë, ku kam pasqyruar veten time. Njerëzit mund të kuptojnë akoma më shumë nga unë duke dëgjuar këngën dhe shpresoj të kenë gjetur veten të gjithë ata që ndihen si unë.

– Sa e orientuar je në “kaosin” që po zhvillohet në tregun muzikor?

– Nuk jam e orientuar. Me këtë kaos muzikor që më rrethon, ndihem edhe unë sikur sapo kam filluar karrierën time. Është e vështirë të rezistosh, por jo e pamundur. Ndaj unë dua të vazhdoj të jem kjo që jam, pa u kamufluar nëpër tinguj që s’më përkasin.

– Ti je Mariza e ëmbël, ëmbëlsi me të cilën je personifikuar dhe vazhdon të personifikohesh. Ndihesh mirë kur dëgjon të tilla vlerësime?

– Ndihem jashtëzakonisht mirë, sidomos kur shkoj jashtë Shqipërisë, sepse këtu shpeshherë njerëzit më thonë: “Trashe pak zërin!”; “Mos u bëj kështu!”; “Mos u bëj ashtu!”; “Mos rri ashtu!”, bla bla bla! Habitem, sepse unë kjo jam, por shoqëria shqiptare do të të fusë në nje kallëp, dhe nuk do të vlerësojë origjinalitetin. Të paktë janë ata që e vlerësojnë, dhe unë i falenderoj. Por edhe mua kaq më duhet: pak e saktë!

– Ti je vertet e ëmbël apo anon pak edhe nga “Mariza e egër”?

– Jam Mariza origjinale.

– Ndërkohë vijmë tek Mariza moderatore. Ke një emision tëndin në “Scan TV” të cilin e ke quajtur “Me Marizën”. Që e ke dashur televizionin nuk e diskutoj, sepse këtë e tregon edhe fakti që ti je pjesë e tij. Por si ndihesh në rolin e intervistueses, ndërkohë që gjatë gjithë jetës tënde artistike ke qenë e intervistuar?

– Ndihem shumë mirë. Është më e lehtë për mua të pyesësh sesa të përgjigjesh, por ama nëse do të marrësh përgjigje të mira duhet që edhe pyetja të jetë e mirë.

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *