“Portokalli” na servir çdo javë buzëqeshje dhe aktorët e këtij spektakli janë më të dashurit për publikun. Njëri prej tyre, Ledio Lako, e bën këtë prej shumë vitesh me rolet e tij që nga Ramadan Kafsha dhe deri tek “Kapo Kapllani. Nën interpretimin e brilant të Ledios, batutat dhe të qeshurat janë kombinimi perfekt mes tij dhe publikut. Ledion, e kemi sjellë në një intervistë interesante që mund ta lexoni më poshtë.

 

Fabjola Kuburi:- Ledio, kam kaq shumë pyetje për ty! Si fillim, dua të di se cilat kanë qenë 10 pyetjet që të bëjnë njerëzit më shpesh?

Ledio Lako:- Je Korçar apo Tirans? A paguheni mirë aty? Kush ti shkruan tekstet? Të kanë rënë flokët apo i mban për modë kështu? Kë imiton tek Tiransi? Kë imiton tek Korçari?  Po filani/a  pse iku? Kur fillon? Edhe pse ka 5 javë që ka filluar. Je i paparë. A vazhdon më aty? Do na bësh ndonjë gjë të bukur këtë javë?

– Janë të lodhshme provat? Sa orë në ditë të marrin ato?

Provat janë të lodhshme po kur arrin suksesin javor ato nga të lodhshme kthehen në kënaqësi. Provat duken të lodhshme atëherë kur ato të kthehen rutinë. Nëse i shmangesh kësaj ato përveçse janë të lodhshme janë dhe argëtuese dhe sa për orar nuk e gjej dot kur jam pushim gjatë sezonit.

– U bë kohë që aktron… Kapon nuk e lëshon, kaq shumë e duan këtë personazh?

– Sa për Kapon është personazh që bie në sy për shkak të glorifikimit që ka. Po unë nuk kam vetëm Kapon. Bëj dhe personazhe të tjerë. Kapon nuk do ta bëj më kur të mbyllen burgjet në Shqipëri dhe kur mos ketë më të “fortë”. Kështu që dhe për 250 vjet mund ta kem.

– Mendon se në një vend pune, ka rëndësi më shumë komoditeti apo rroga?

– Këtu ku jam kam edhe pagesën edhe komoditetin. Njeriu nuk kënaqet asnjëherë. Sidomos njeriu Ledio që edhe botën po të më falin, prapë do thoja:- Po tani ç’të bëj? Po sikur të shoh njëherë në Mars? Është vetë aktori qënie kureshtare po për momentin për tregun që ofron Shqipëria dhe sa banorë jemi them se kam dhe komoditetin dhe pagesën.

– Të ndodh të “vjedhësh” batuta nga bashkëbiseduesit?

– Nuk di të “vjedh”. Çdo gjë e kam timen. Jam natyrë krijuese por ndonjë batutë kolegësh mund ta kem përdorur me konsensus dhe jo vjedhur, ashtu siç mund të kenë bërë dhe ata me mua. Ky është bashkëpunim.

– Budallallëku më i madh që ke thënë?

– Them shpesh budallallëqe por i them me vetëdije. Po budallallëk që të jem vënë në pozitë nuk kam bërë.

– Të ndodh që edhe pse të zhgënjen diçka, aktron sikur asgjë s`ka ndodhur?

-Patjetër që mund të më ketë ndodhur diçka ose kam qenë i sëmurë kur aktroj. Kjo i ka ndodhur të gjithëve, jo vetëm mua. Skena është magji dhe ta heq çdo gjë me magji për aq sa je në skenë. Pastaj sa del i kthehesh hallit që kishe.

– Të ka ndodhur të shtiresh si i dashuruar?

Unë nuk shtirem. Ka dashuri afatshkurtër ka dhe dashuri afatgjatë. Mua më kanë qëlluar të parat gjithmonë.

– Sa i lumtur je me jetën që bën?

-Besoj se në jetë çfarë kam dashur e kam arritur.

– Çfarë do të ndryshoje në jetën tënde?

– Mund të më ndryshojë statusi nga beqar i martuar ose nga Ledio në Ledio baba.

– Statusi yt vazhdon beqar. Kush të “mërzit” më shumë ose më saktë të thotë “Ledio, kur do na martohesh”?

– Nuk më mërzitin por më shpojnë me thumba. E para mamaja, martohu. E dyta gjyshja nga Korça që është 91 vjeçe dhe me celular madje, e cila më merr dhe thotë:- Po hë mo bir kur do ma sjellësh nusen. Të martohesh dhe ti pastaj le të vdes. Po kështu i thotë gjithë nipërve dhe nuk besoj se do vdesë nga beqaria ime. E treta Iliriana Loxha Basha, kostumografia, të premten dhe të shtunën që kam më shumë kontakt me të unë ndëroj rrugën ose ndëroj bisedë se sa më sheh, më thotë: Kemi ndonjë gjë të re nga ty apo jo? Dhe unë që i them: Këtë kostumin s’ma ke zgjedhur gjë këtë javë. Këtu ka prekje interesash dhe harrohet nusja dhe fillon konflikti artistik. Kështu unë shpëtoj dhe një javë.

–  Sa seriozisht i merr lidhjet?

-Mundohem të tregohem në lidhje jo Ledio i “Portokallisë” po Ledio  njeri civil, me humorin dhe nervat e mia.

– Si e mendon të ardhmen?

– Të ardhmen mundohem ta kem të zgjidhur. Po gjithmonë mendoj se do mbetet fjala (sikur të bëja këtë, sikur të bëja atë). Po kam filluar të kem frikë nga e ardhmja. Dikur se kisha tani e kam. Ndoshta nuk duhet parë shumë lajme ose Tv. Po kthehen të frikshme. Vrasje, aksidente, korrupsion. Për këtë kam bërë dhe një monolog në “Portokalli” të cilin ja kam dhënë Ramadanit. Nuk kishte shumë humor por thumbonte një fenomen aktual.

– Të shtunën në mbrëmje, më mirë një gotë verë me pak shoqëri, apo një shishe shampanjë në diskotekë?

E shtuna nuk është se kam plane. Si të më vijë. Të dyja variantet i aplikoj.

– Një gjë të fundit që nuk e ke thënë, por po e mendon?

– Një gjë që e mendoj por nuk e kam thënë? A ia vlen…?

 

 

 

 

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *