Ajo është artistja make-up e momentit, e preferuara e shumë personazheve VIP, nga të cilët nuk do veçonim asnjë emër, sepse pothuajse të gjithë e kanë provuar dorën magjike të Meritës në make-up, flokë dhe jo vetëm. Merita është mike e gazetës sonë dhe vjen si gjithmonë në një intervistë për të folur jo vetëm për tendencat më të fundit të grimit, fustaneve të nuseve, e stlit të flokëve, por edhe për një talent të sajin të zbuluar së fundmi, atë të dizajnit dhe më konkretisht, në dizajnimin e fustaneve të nuseve, ku ka sjellë një linjë nën emrin e saj. Por, përtej së bukurës dhe profesionalizmit të saj, me Meritën kemi folur edhe për shumë gjëra të tjera…

– Merita, çfarë po bën këto kohë?
– Përshëndetje, mirë se erdhët! Të them të vërtetën, për momentin, përveç obligimeve si familjare, jam e angazhuar në biznesin tim, si për ide të reja rreth make up-it, parukerisë, por edhe për fustanet e nuseve, të cilat i kam një nga synimet më primare. E reja qëndron se kam sjellë linjën time, të dizenjuar tërësisht nga unë dhe klientet e mia mund të gjejnë modele të jashtëzakonshme për ditën e tyre të dasmës. Gjithmonë më kanë tërhequr gjërat e bukura dhe dizajni, pa dyshim, është art.
– Cilat kanë qenë disa nga eksperiencat e tua më interesante?
– Ka shumë të tilla… Unë marr pjesë në shumë seminare në Turqi, por edhe në Dubai, ku kam qenë shpesh për të marrë nga eksperienca e tyre, madje kam organizuar edhe këtu seminare në bashkëpunim me estetistë dhe parukierë turq. Eksperienca e fundit ishte kur dërgova dizajnet e mia për t’i sjellë fustanet e nuserisë në modelin përfundimtar.
– Meqë linjën e fustaneve të nuses e ke sjellë tashmë, ke menduar për një linjë tënden kozmetike?
– Unë kam kohë që kam sjellë dhe përdor linjën time të produkteve kozmetike, nën emrin tim. Ato që janë kliente të sallonit tim, e dinë dhe e kanë ndjerë efektin e produkteve të mia.
– Të flasim pak për fustanet e nuseve, të cilat nga seti i fotove që ke publikuar, rezultojnë të jenë të më bukurit dhe më të veçantët në Shqipëri dhe Kosovë. Si arrin të kesh modelet e fundit në dyqanin tënd?
– Kjo është rezultat i punës sime, i përkushtimit të veçantë që kam për fustanet e nuseve, të cilat i kam pikë të dobët. Unë hulumtoj, kërkoj dhe porosis modelet e fundit, sepse nuk dua të kem të njëjtat fustane me sallonet e tjera dhe aq më pak, t’u jap klienteve të mia diçka që mund të gjendet kudo. Dita e dasmës është dita më e bukur e jetës dhe duhet të mbetet e tillë. Ato që e bëjnë një femër të veçantë në atë ditë janë fustani, grimi, flokët. Është një tërësi gjërash që e bëjnë atë ditë të paharrueshme. Në sallonin tim, ka fustane të është një magji në koleksion. Aty ka firma si Armani Prive, Christian Dior, Elie Saab, Alexis Mabille, Marchesa, Zuhair Murad, Valentino, Giambattista Valli, Alexandre Vauthier e shumë të tjera. I kam përzgjedhur vetë duke parë edhe detajet më të vogla. Nuk duhet anashkaluar edhe ajo që shpjegova pak më sipër, modelet nën emrin tim, linjën time të fustaneve të nuseve.
– Cilat janë vështirësitë me të cilat përballet një profesioniste si ti?
– Çdo profesion, i cili bëhet me pasion, si dhe me ambicie për të patur sukses, pa dyshim ka edhe sfidat e tij. Ato janë të shumta, por me punë dhe vullnet ia del gjithmonë.
– Cili është ndryshimi mes grimit televiziv dhe grimit për një mbrëmje, për shembull?
– Grimi për televizion duhet të jetë sa më i saktë, i pastër dhe pa shumë shkëlqim, pasi ky i fundit lë ide të shëmtuar në ekran. Grimi për festa pastaj, varet nga shumë faktorë, duke filluar nga kërkesa e klientes, stili i veshjes, rasti për të cilin bëhet grimi…
– Cili është produkti pa të cilin nuk bëhet dot?
– Mendoj se kremrat e fytyrës janë të domosdoshme. Pa to, nuk duhet filluar dita.
– Po ai që gjendet gjithmonë në çantën tënde?
– I kuqi i buzëve.
– A quhen zgjatimet e flokëve një formë ekstravagance?
– Po, mund të jetë një formë pispillosjeje, ekstravagance e zbukurimi për femrat që janë të fiksuara të ndryshojnë luk herë pas here, por ka femra që kanë flokë të dobët dhe e kanë të nevojshme vënien ose shtimin e flokëve, pra, nuk mund ta quash ekstravagancë absolute. Gërshetat janë një mënyrë praktike, por edhe moderne e zbukurimit të femrës. Natyrisht, duhet edhe t’i shkojnë, por gjithsesi mbetet një formë ndryshimi kolosal në luk, për të krijuar një pamje moderne e të bukur.
– Kush mund të quhet femër me klas?
– Çdo femër ka nga pak klas, mjafton t’ia nxjerrësh në pah. Është e vërtetë që klasi lind, por edhe mund të fitohet, nëse gjen njerëzit e duhur për të të zbukuruar dhe shpalosur atë klas. Unë, ndoshta e kam të lindur nuhatjen e klasit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *