E dimë tashmë se, nëse kërkon partner në internet, duhet të respektosh disa rregulla të arta. Në shkrimin e mëposhtëm ne kemi për qëllim t’jua kujtojmë edhe një herë këto rregulla, sepse, siç thotë fjala e urtë, “njeriu i paralajmëruar, gjysmë i shpëtuar”…

1. Të vësh një “duckface” (sikur po puth dikë) në foton e profilit
Seriozisht, nuk jemi më në vitin 2014 dhe tani, vetëm Kim Kardashiani ia lejon vetes të bëjë “selfie” të tilla. Edhe nëse “selfie” nuk kanë marrë fund ende, “duckface” ka marrë fund, gjithsesi. Nuk ka më mirë se një foto e bukur, e marrë nga dikush tjetër, e cila do të tregojë se keni të paktën një shok/shoqe, ose që guxoni t’i kërkoni një kalimtari të panjohur t’ju bëjë një foto!
Evitoni gjithashtu: Fotot tuaja fallco, në errësirë, të paqarta, apo të bëra me fotoshop. Qëllimi final është të takosh dikë në jetën reale dhe këtë nuk duhet ta harroni.
2. Të lësh takimin e parë në shtëpi
Ose ju nuk keni parë mjaft filma horror, ose jeni rrip i zi në taekuondo, por në të dyja rastet, është më mirë të jeni të matura, sesa guximtare. Atëherë, takimin për herë të parë me dikë që e keni njohur në Tinder (aplikim takimesh që përdor Facebook-un), lëreni në një vend publik, në sy të të gjithëve, si në një bar, për shembull…
Evitoni gjithashtu: Takimet fshehurazi në një park të izoluar. Jo për gjë, por kjo tregon se ai tjetri kërkon një lidhje të fshehtë.
3. Të harrosh ta pyesësh për mbiemrin
Është e vërtetë, është pak e modës së vjetër, por ndërkohë që i dërgoni sms në telefon, mos harroni edhe pyetjen klasike: “çfarë mbiemri ke?”, me qëllim që të informoni shoqen tuaj të ngushtë se në orën 21.00 keni lënë takim në filan kafene me Aleks Amokun. Megjithëse ky emër mund t’ju duket qersharak, ky informacion mund t’ju hyjë në punë në rast se vendosni të rrini katër ditë në shtrat me këtë personin. Paralajmërojeni shoqen tuaj pra, përndryshe do të fillojnë t’ju kërkojnë me polici.
Evitoni gjithashtu: Të harroni t’i merrni numrin e telefonit dhe të çatoni vetëm nëpërmjet Facebook-ut, ose aplikimit. Ia vlen ta filloni intimitetin tuaj me një numër klasik, që fillon me 06…
4. Ta takosh në një distancë më shumë se 20 kilometra larg shtëpisë
Cila gjë është më e keqe sesa të ngecësh në takimin më të keq të jetës tënde, me djalin më të mërzitshëm, të trishtuar, me komplekse, të çuditshëm apo të tmerrshëm të botës? Përgjigjja është të ngecësh me këtë djalë, me dhjetëra kilometra larg! Megjithëse dashuria nuk ka kufij, mirësjellja i ka disa rregulla, që thonë se djali në fjalë mund t’i lëvizë pak këmbët që t’ju takojë dhe jo ju të shkoni ta takoni atë. Kështu, është ai që rrezikon të kalojë një ditë të keqe larg shtëpisë… ose jo.
Evitoni gjithashtu: Të merrni flakë pa e parë në Skype. Largësi po, por jo çmenduri.
5. Të gjykosh me nxitim
Ju është dashur kohë për të gjetur këtë djalë, ndaj mos “i vini vizën” nëse ai ka veshur atlete me ngjitëse, pi lëng pjeshke, apo ka një punë të keqe. Ideja është të zbaviteni, të shkëmbeni idetë dhe pastaj, ku i dihet? Nëse nuk gjeni dot dashurinë, mund të gjeni një shok të mirë…
Evitoni gjithashtu: Të ndaheni prej tij pa takt kur nuk ju pëlqen. Bëjeni këtë me njëfarë diplomacie, duke pretenduar se keni një urgjencë në familje, në punë, apo për arsye personale. Ai nuk do t’ju besojë, por do ta vlerësojë delikatesën tuaj.
6. Të luash rolin e një inspektori policie
Në çdo takim, ndodh e njëjta gjë: Ju bëni një mijë pyetje, që shkojnë nga situata e tij profesionale, te shoqëria, prindërit, ish-ët… Pse të mos e pyesni më mirë direkt se sa e ka rrogën?! Sinqerisht, është mirë të mos ndiqni bisedën klasike të dy të panjohurve, ku secili prej të dyve bën të njëjtat pyetje dhe përgjigjet pothuajse mekanikisht.
Evitoni gjithashtu: Të tregoni gënjeshtra, sepse kjo është më zbavitëse. Si t’i thoni pastaj, pas 6 muajve që ju jeni 34 vjeçe e jo 29 dhe që nuk keni origjinë italiane?
7. Të lidhesh direkt me të
Nuk duam të tregohemi cinikë. Është e vërtetë që ekzistojnë “fëmijë Tinder” (me një fjalë, familje reale dhe të lumtura, ku prindërit janë njohur nëpërmjet siteve të takimit). Sido që të jetë, të gjesh princin e kaltër nëpërmjet këtyre siteve është e vështirë, pasi 95% e kandidatëve duan lidhje të një mbrëmjeje dhe ata ka gjasë t’ia arrijnë kësaj, nëse ju nuk ua vini vizën që në fillim…
Evitoni gjithashtu: Të tregoheni edhe më cinikë se ne dhe të mos i jepni asnjë shans sepse ai nuk di të shkruajë mirë shqip: “unë të du, ti e di”. I shkreti djalë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *