Plagë
Të pashë dje krejt rastësisht
Menjëherë rrugën ndërrova
Zemra nis të rrahë sërish
Kot mendoja që të harrova!

Kokën pas kthej, të shikoj
Fshehurazi pa më kuptuar
E një zjarr në gji m’pushtoi’
Dashuri e pashijuar!

Mendja ndali nuk punonte
Lotët rridhnin pa pushim
Jetë pa ty s’mund të ekzistonte
Je një plagë që s’ka shërim! Xhesina Duraku

Aromë përqafimi

Kur qetësisht të dridhet nata
Në fund të detit me hënën lart
Ku gjenden fjalë pafund të gjata
Por edhe heshtjen që bëhet, art!
Aty jam unë, e dashura ime
Që vetëm ti t’më shohësh qartë.

Kur ëmbëlsisht të të dridhet buza
Në fund të detit me hënën sy
Do gjesh aty me mijëra muza
Dhe penën time do gjesh, aty!
Ashtu pa ngjyrë, mes natës fshehur
Do shkruaj vargje vetëm për ty.

Kur pa mëshirë të t’dridhen sytë
Mbylli të lutem, me ngadalë
E nëse ndjen diçka të t’mbytë
Jam unë… Të përqafoj me mall
Kur t’hapësh sytë nuk do më shohësh
Por përqafimi do mbetet shall… Bledi Ylli

Dashuri

Ndodh që vjeshta vjen pa shi
Vijnë dhe dimra pa dëborë
Ka njerëz mbushur dashuri
Siç ka të mjerë edhe të gjorë!

Siç ka të ndyrë e të paskrupullt
Disa cinikë, shpirtngushtë, fatkeqë
Që këtë botë e bëjnë të turbullt
Nuk gjendet Zot që mund t’i ndreqë!

Ata e bëjnë botën të hirtë
Sepse kur lindim, pa përjashtim
Dashurinë kemi në shpirt
Jo si masë, por si burim…

Disa e japin pa e kursyer
Atë që shpirtit na dhurohet
Këta mjerranë si më të “vyer”
Ndoshta kanë frikë se u harxhohet!

Le të vijë çdo vjeshtë pa shi
Dimrat rresht të kenë veç diell
Jepni njerëz dashuri
Mos e vdisni shpirtit thellë! Bledi Ylli

Sa herë jam larguar!

Të them të vërtetën, nga lindja te vdekja,
as në ëndërrime, paqe nuk gjeta,
tani jam rënduar nga e qeshura dhe loti,
nuk është dorë njeriu, është dorë Zoti.

Kështu je gjithnjë, zjarr e prush i ngrohtë,
sytë mrekullon, zemrën drithëron,
do të të marr në krahë, do të të kthej në duar,
s’e di ç’po ndodh, dashuri, më thuaj?!

Duke pritur të njoh horizontin
ku këmbët as nuk duken fare,
si ylber nis e dukesh midis turmash,
dashuri me ngjyra, dashuri përralle.

Të dhashë veten dashuri, ta dhashë,
sa herë jam larguar, më ke ndjek nga pas… Isidor Koti

Mbase ndonjë ditë, do më kërkosh
Mbase ndonjë ditë, ti do më kërkosh,
Mbase ndonjë ditë, do të më lutesh?
Unë gjithmonë do të të dashuroj,
Si dikur kaluam bashkë shumë vuajtje.

Në flakën e dashurisë tënde do të digjem
E në u bëfsha krejt shkrumb e hi,
Unë prapë se prapë nuk do tërhiqem,
Derisa të më shtrëngosh fort në gji…

Do të vij papritmas, porsi uragan
Do të mbështjell me krahët e mi,
Do fluturojmë bashkë qiejve pa anë,
Atje kur shpirti ynë do gjejë qetësi… Luljeta Gj. Pashollari

Ku të të gjej?
Më tradhtove ti fëmijëri
Dhe ti rini me ike pabesisht
Dua t’ju takoj, nuk e di se si
Më ka marrë malli marrëzisht!
Dua të jem prapë te lëndina
Të luaj me shokë fëmijërie
Fshatin ta sodis që nga kodrina
Freski të marr poshtë pemëve, nën hije!
Ku të të gjej rinia ime, të kërkova
Malli më ka marrë, s’po e di pse
Ndofta nga mrekullitë që kalova
në më të bukurën, moshën e re!
Sa dëshirë kam të t’takoj
Të loz si atëherë, të qesh
Me më të mrekullueshmen,
Moshën e rinisë më s’mund ta gjesh! Jahe FIDA

Duel i jetës
Kjo jetë…
Duel i pamëshirshëm!
Ndeshet e vërteta me gënjeshtra,
Hiçi me gjithçkanë,
Ëndrrat me realitetin!
Dashuria me fantazinë!
Ndërsa unë, ah, unë,
Aktor i jetës sime,
Me fatin jam përleshur! Alban Arapi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *