E lexuat gazeten INTERVISTA kete jave? Kishte shume personazhe interesante, apo jo? Por duhet ta dinin se kishte edhe shume te tjere qe nuk i muarrem dot ne interviste….

PANDELI MAJKO
Deshëm të intervistonim këtë javë zotin Pandeli Majko, ish-kryeministrin. Shkas për këtë u bë thënia e tij gjatë mbledhjes së komisionit të ligjeve ditën e hënë se “maskarenjtë dhe horrat janë duke bërë namin me kontrabandën e ilaçeve dhe naftës”. “Kujt ia thoni këto, zoti Majko?”, deshëm ta pyesnim atë. Deputetëve të PD-së, apo kolegëve tuaj ministra? Harroni që nuk jeni më në opozitë dhe keni në dorë edhe gjëra të tjera veç fjalëve pa bukë në komisione e Parlament? Nuk keni ligjet për t’i luftuar ata që bëjnë kontrabandë?! Bëjini! Propozoni një ligj dhe aprovojeni! I kemi ligjet dhe nuk i zbatojnë?! Thërrisni në Parlament ata që nuk i zbatojnë, apo shkelin ligjet dhe shkarkojini! Thërrisni në Parlament Prokurorin dhe detyrojeni t’i fusë në burg ata që bëjnë kontrabandë! I bëni dot këto?! Nëse jo, më mirë mos flisni atëherë, mos hidhni bomba tymi me fjalë kot, se iku më shumë se gjysma e mandatit, apo jo?

SAIMIR TAHIRI
Nuk intervistuam dot këtë javë as Ministrin e Brendshëm, zotin Saimir Tahiri. Atë deshëm ta përgëzonim për masat e marra për mbarëvajtjen e ndeshjen Shqipëri–Serbi, por edhe ta pyesnim për diçka që na bëri shumë kuriozë, sepse ministria e tij nuk e përgënjeshtroi kurrë atë fakt. Është fjala për denoncimin e bërë në mediat sociale (dhe për çudi, të papublikuar nga asnjë agjenci lajmesh, apo gazetë) nga gazetari dhe studiuesi Kastriot Myftaraj se Ministria e Punëve të Brendshme kishte falsifikuar identitetin e personit i cili qëlloi me gur autobusin e përfaqësueses serbe. Ministria jonë e Brendshme njoftoi se personi i cili qëlloi me gur autobusin e përfaqësueses serbe të futbollit ishte 14 vjeçari Marsel Qeleshi, ndërkohë që, sipas zotit Myftaraj, në të vërtetë, në Shqipëri ekziston vetëm një person me këtë emër dhe mosha e tij nuk është 14 vjeç, por 18 vjeç e pesë muaj. Pra, ky person nuk është i mitur, por në moshë madhore. Pse Policia e Shtetit tonë e ka bërë këtë? Pse është falsifikuar identiteti i autorit të goditjes së autobusit? Mos vallë për të mos bërë hetime të mëtejshme ndaj tij, duke e paraqitur çështjen thjesht si veprim të një fëmije? Mos vallë sepse nuk do të prishet “miqësia shqiptaro-serbe aq shumë e trumbetuar edhe nga zoti Rama, edhe pse për këtë veprim ai “fëmijë” mund të jetë paguar nga grupe ekstremiste serbe, njerëz që u interesojnë konfliktet, ose që u interesonte që ndeshja të mos zhvillohej dhe të fitohej në tavolinë nga serbët?

NEXHMIJE HOXHA
“Atë që bëri Nënë Tereza për Indinë, e bëra unë për Shqipërinë”, ka deklaruar këtë javë bashkëshortja e Enver Hoxhës për televizionin francez Planet +, në ciklin e dokumentarëve “Gratë e diktatorëve”. Ishte pikërisht kjo frazë e zonjës Hoxha që na vuri në mendime e na shtyu të bënim një intervistë me të këtë javë. E kishte me gjithë mend këtë krahasim zonja Nexhmije, apo ishte thjesht një lajthitje që vjen nga mosha, apo deliri i madhështisë?! Nënë Tereza ndihmoi personalisht pa asnjë përfitim vetjak mijëra të varfër e leprozë, në Indi. Po ju, çfarë keni bërë zonja Nexhmije diçka që afrohet me këtë?”, deshëm ta pyesnim ne zonjën Hoxha. Përjashto kohën e luftës, kur sakrifikuat për Atdheun, gjithë pjesën tjetër të jetës keni bërë, gjatë tetëorëshit detyrën (për të cilën jeni shpërblyer me rrogën tuaj) dhe jashtë tetëorëshit, keni plotësuar, me aq sa keni mundur, qejfet e diktatorit (dhe për këtë jeni shpërblyer me privilegje të shumta). Ku e gjeni ngjashmërinë me Nënë Terezën?! Apo ka diçka të ngjashme Instituti i Studimeve Marksiste–Leniniste me Kishën Katolike që ju bashkë me bashkëshortin tuaj e nxorët jashtë ligjit?

(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *