Nganjëherë natyra luan lojëra të çuditshme dhe u jep tonalitete surrealiste qyteteve dhe fshatrave, duke krijuar peizazhe ireale. Shumica e udhëtarëve kërkojnë gjëra që janë krijuar nga dora e njeriut në udhëtimet e tyre, qofshin këto ndërtime arkitektonike, monumente, muzikë apo ushqime. Megjithatë, nganjëherë është interesante të shohësh si ka vepruar natyra në një vend, si e ka “gdhendur” atë (nganjëherë edhe me ndihmën e njeriut), që të arrijë në formën që ka sot. Dhe kjo formë mund të ketë një karakter shumë surrealist, si 5 qytetet dhe fshatrat e mëposhtme…

 

  1. Kandovan, Iran

Banorët e këtij fshati e nisën ndërtimin e shtëpive të tyre konike duke filluar nga shekulli i XIII, në mos më parë. Shtëpitë janë ndërtuar brenda shkëmbinjve vullkanikë të zonës, të krijuar nga shpërthimet e mëparshme të vullkanit Sahand. Sot, këto ndërtime i japin fshatit pamjen e një kolonie… termitesh. Megjithëse duhen të çuditshme, ato u sigurojnë banorëve freskinë në verë dhe ngrohtësinë në dimër, duke i mbrojtur nga dimri i egër dhe nga nxehtësia e madhe në verë, ndërsa për turistët krijojnë një spektakël të pazakontë.

 

  1. Liqeni Titikaka, Peru

Çfarë i shtyu fiset Uros të ndërtojnë ishuj të tërë artificialë në liqenin Titikaka? Përgjigjja është e thjeshtë: rreth shekullit XIII, sulmet e shpeshta të fqinjëve të tyre, Inkasve, i detyruan Urosët të krijonin afro 42 ishuj (të quajtur totora), me kallama dhe materiale natyrore, të cilët, me sistemin e dendur të rrënjëve veprojnë si mbështetje. Çdo ishull mund të transferohet në një vend tjetër dhe sot, disa qindra Uros jetojnë akoma në këta ishuj, të cilët shërbejnë edhe për qëllime turistike. Për shkak se kallamat në dyshemenë e ishujve kalben shpejt, çdo disa muaj shtohen të rinj.

 

  1. Stokholm, Suedi

Janë të shumtë ata që i njohin peizazhet kryesore të Suedisë, por pak e dinë se Stokholmi është vendosur në një arkipelag. Qyteti u themelua në vitin 1252 dhe është ndërtuar mbi 14 ishuj, që lidhen me njëri-tjetrin me 57 ura. Për këtë arsye, një nga mënyrat më të mira për të shijuar pamjet e këtij qyteti është me… varkë, duke kaluar mes lumenjve, përrenjve dhe porteve. Shtoni këtu faktin se qyteti ka ndërtesa relativisht të ulëta dhe do të krijoni një ide për një nga peizazhet urbane më të bukura në Evropë. Ishujt, të cilët variojnë nga ishuj të mëdhenj dhe të banuar, deri në ishuj të vegjël shkëmborë të pabanuar, u krijuan nga masa të mëdha akulli që lëvizën në këtë zonë mijëra vjet më parë, duke lënë pas vetes copa gjigande graniti.

 

  1. Guadix, Spanjë

50 kilometra në perëndim të qytetit të Granadës, gjendet qyteti spanjoll i Gadiksit, ku shumë njerëz jetojnë në shtëpi të nëndheshme-shpella, nën hijen e vargmalit Sierra Nevada. Më shumë se 2000 shtëpi të tilla u ndërtuan në shekullin XVI, kur Maurët, të frikësuar nga persekutimi i të krishterëve spanjollë, ikën në drejtim të kodrave dhe ndërtuan shtëpitë e tyre në tokën e butë rënore. Sot në këto shtëpi ka ujë të rrjedhshëm, elektricitet, bile edhe dysheme prej mermeri, apo internet dhe, në verë, kur jashtë temperaturat arrijnë 40 gradë celsius, në to temperatura është konstante, 20 gradë.

 

  1. Nordlingen, Gjermani

Nordlingeni është një fshat që nuk ngjan me asnjë tjetër në botë, sepse është ndërtuar brenda një krateri gjigand, që u krijua nga një meteorit me diametër 1.5 kilometër, i cili u përplas me Tokën 14.5 milionë vite më parë. Popullsia e tij arrin në 20 mijë njerëz dhe krateri ku janë ndërtuar shtëpitë ka një diametër prej 25 kilometrash. Nordlingeni përllogaritet të jetë ndërtuar në vitin 898 dhe ka një karakter unik, me çatitë e tij të kuqe, kishat e stilit gotik dhe me formën e tij rrethore. Në vitet ’60, shkencëtarët zbuluan në krater një lloj guri që formohet vetëm nga presioni që krijohet nga rënia e një meteori dhe pikërisht në atë kohë banorët mësuan si u krijua krateri, sepse deri atëherë mendonin se ishte krijuar nga shpërthimi i një vullkani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *