Më puthi gruaja e të dashurit
– Kam parë në ëndërr gruan e të dashurit tim, sikur ishim shtrirë në një krevat dhe ajo më puthte në buzë. Për çudi, unë ndjeja kënaqësi. Pastaj, ajo iku me të dashurin tim. Jam tepër kurioze për shpjegimin tuaj. Juera.
– Ëndrra juaj është shumë e qartë, ju vret pak ndërgjegjja për faktin se keni hyrë në mes të një çifti. Vërtet dashuritë e fshehta duket se shijojnë më shumë, por edhe të sjellin vuajtje dhe brerje ndërgjegjeje. Ëndrra juaj tregon pikërisht këtë; puthja me gruan e të dashurit tuaj tregon të ndaluarën, pra, që ndoshta ka ardhur koha t’i jepni fund kësaj lidhjeje. Ikja e saj me burrin e vet, pra, të dashurin tuaj, tregon që në fund të fundit, ai ka zgjedhur atë për bashkudhëtaren e jetës, jo juve. Ka ardhur koha të mendoni edhe ju për një bashkudhëtar, që të jetë vetëm i juaji.

Motra kishte morra
– Kam parë në ëndërr motrën time. Po i krihja flokët, ku më pas filluan t’i dilnin morra. Ajo u turpërua aq shumë sa i vinte për të qeshur. Më tha: “Më ka ardhur zor të të them për to”. Ju lutem, më thoni ç’do të thotë, sepse jam në merak… Faleminderit.
– Morrat kanë shumë kuptime, por në rastin konkret, paraqesin frustrimet, ankthin dhe ndjenjat e fajit që ju keni. Ndoshta në një veprim që keni bërë apo mendimet tuaja ndiheni pak i/e papastër dhe ju vret ndërgjegjja. Kjo ka lidhje edhe me motrën tuaj; keni mbajtur një distancë të cilën e vuan edhe ajo, edhe ju, po ashtu. Mos vallë ka ardhur koha t’i sqaroni ca gjëra mes jush?!

Shoqja që nuk jeton më
– Në një ëndërr para dy netësh, pashë një shoqen time e cila ka vite që nuk jeton më. Ajo erdhi dhe më tha sa e kishte marrë malli të rrinte me mua, të lozte me mua. Ne filluam të luanim dhe ajo, seç më thoshte ca gjëra, por nuk i mbaj mend fjalët. Dua të di, çfarë kuptimi mund të ketë? Faleminderit.
– Personat që nuk jetojnë, vijnë në ëndërr për të na treguar diçka, për të dhënë një këshillë, përgjithësisht, për gjëra pozitive. Loja që keni bërë me të është vërtet një këshillë për ju: Ju keni tendencën të shkoni kundra rrymës dhe të thyeni rregullat në jetë, nuk e merrni me seriozitet asnjë lloj situate. Duhet ta shikoni këtë anë tuajën dhe të bëni disa ndryshime, qoftë në vendimet që merrni, qoftë në mënyren se si e jetoni jetën. Gjithë të mirat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *