Kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, zotin Edi Paloka, e takuam në një nga zyrat e SHQUP-it, të përkulur mbi një hartë…

Kaso Kosa: – Zoti Paloka, po ju shohim shumë të preokupuar mbi atë hartë më emrin e çuditshëm POP. Bëhet fjalë për ndonjë grup këngëtarësh që mendoni të ftoni me rastin e 70 vjetorit të çlirimit?
Edi Paloka: – Jo, mo burrë, ku na shkon mendja ne për festime e për grupe rroku? Doktor Berisha më ka ngarkuar që të hartoj ndarjen e komisioneve parlamentare të partisë që do të nisin së shpejti funksionimin jashtë parlamentit ekzistues. Bashkëkryetari i grupit të punës, Profesor Doktor Kaç Islami, mendoi ta pagëzojmë shkurt POP, që do të thotë, Parlamenti Opozitar i Partisë. Jemi duke i dhënë dorën e fundit dhe do t’ia çojmë Doktorit këtu, në zyrën ngjitur me timen…
– Pse, Doktori paska ardhur këtu e nuk punon më në zyrën e marrë me qira?
– Zyra kërkon euro dhe Doktori nuk ka ku i gjen. Eurot e tij i ka lënë në Qipro, me afat 5 vjeçar. Luli nuk i jep dot, se po financon kryetarët e njësive të partisë që të votojnë ata që do ai për këshillin kombëtar. Fullani i kishte premtuar që t’i jepte nja dhjetë mijë euro, por atë vajtën dhe e arrestuan me urdhër të Ramës, kështu që ngeli keq dhe iku që atje. Po, më mirë për partinë, se e kemi këtu natë e ditë, për të na udhëzuar se si të organizojmë rezistencën ndaj maxhorancës dhunuese.
– Si mendoni për arrestimin e Fullanit?
– Fullani ishte burrë zotni! Askujt në politikë nuk ia prishte. Doktorit i sponsorizoi dy fushata në 2009 dhe 2013 me mbi 100 milion euro me të cilat u paguan Çiljeta, Greta, kryetarët e seksioneve të partisë dhe organizatorët e mitingjeve. I bleu Hotel Dajtin kur qeveria ngeli pa lekë për pagat e administratës. Për Metën, vuri gruan e vet gjyqtare ta mbronte dhe i shtronte edhe dreka me tava peshku. Ramën e ftoi në bankë menjëherë sa mori qeverinë dhe i dhuroi një kostum firmato. Doktorit i raportuan se i ka dhënë edhe euro, por nuk e vërtetojnë dot. Gjithsesi, ishte burrë shumë i mirë dhe po e marrin më qafë kot më kot. Në fund të fundit, ai vetë i tha Bitrit të denonconte dhe kjo tregon se është burrë i ndershëm.
– Sipas POP-it, ju nuk do të futeni më në parlamentin e zgjedhur më 23 qershor?
– Si të vemi në Parlament, kur Rama ka një skenar që synon eleminimin tërësor të opozitës përmes një sërë masash kriminale me rrahje, mbyllje goje, me përgjime e gjithfarë mjetesh mafioze që kanë tmerruar deputetët?
– Nuk keni pse e bëni kaq alarmante, pasi edhe ish-truproja i Doktorit, Izet Haxhia, ka deklaruar se ka patur shumë raste kur ai personalisht ka rrahur deputetë të PD-së…
– Më vjen keq që bën një pyetje të tillë, sepse edhe ti e di që një pëllëmbë e hequr nga babai, nuk është njësoj si një pëllëmbë e hequr nga një i huaj e ca më shumë, nga deputetët e maxhorancës, të dirigjuar nga Edvin Rama. Në fund të fundit, Izeti, edhe në qoftë se i ka rrahur deputetët demokratë, e ka bërë me urdhër të Doktorit dhe me bonsens, që ata të mësonin për t’i zbatuar më mirë mësimet e tij. Më thuaj ti mua, mund të barazohet një rrahje e tillë me atë të bërë nga pozita? Kurrën e kurrës, jo! Rama e bën që opozita të frikësohet dhe të ikë nga Parlamenti e që ai më pas të bëjë si të dojë me ligjet dhe me fatet e popullit.
– Ju keni deklaruar hapur se do ta largoni këtë qeveri me të gjitha mënyrat. Mos nënkupton kjo thënie edhe forcën?
– Ne do ta fillojmë me bojkotin përfundimtar të Parlamentit. Së dyti, do të protestojmë në Facebook me në krye doktorin, pasi deri tani, vetëm doktori ka mbi një milion fansa të çmendur që i bëjnë like në faqen e tij. Mendoni sa fansa ka Luli, Strazimiri, Mesila e sidomos, Kaç Islami! Së treti, do hidhemi në demonstrata në të gjitha sheshet e qyteteve natë e ditë dhe për këtë, kemi mbështetjen mbarëpopullore. Së katërti, nëse këto forma demokratike nuk e rrëzojnë qeverinë e inkriminuar, ne nuk do të lejojmë që vendi të rrokulliset në humnerë. Do përdorim forcën…
– Mos ka lidhje kjo me propozimin e Fatos Hoxhës që të vishni kambale e të dilni malit?
– Atë shkrim, Fatosit ia porositi Doktori i cili, si psikolog i madh që është, e di që Edvini, si bir bllokmenësh, është frikacak. Vetëm katër vetë vrau Doktori me Lulin në bulevard dhe Rama u tmerrua e për tre vjet, nuk guxoi të bënte asnjë miting.
– Jemi kuriozë të dimë se si u komanduat ju në krye të grupit parlamentar? Si është e vërteta?
– Pas zgjedhjeve, doktori na mblodhi dhe pyeti: “Cili prej jush dëshiron të bëhet kryetar i përkohshëm i grupit parlamentar?”. Ngritën duart tri gra njëherësh, Jozefina, Majlinda dhe Mesila. “Thashë krytar e jo krytare!”, foli ashpër Doktori dhe ato ulën duart. Pasi pasoi njëfarë heshtjeje, nga fundi i sallës, ngritën dorën Edi Halimi dhe Genti Strazimiri, por Doktori bëri sikur nuk i pa dhe hodhi sytë nga unë. Në moment e kuptova se mua ma kishte vënë syrin dhe ngrita dorën. “Mirë, ti Edi do të komandohesh derisa të mbarojnë zgjedhjet në parti, tha, pastaj e vendos këshilli kombëtar që do të dalë pas zgjedhjeve”. Të them të drejtën, jam krenar sepse Doktori m’i di vlerat.
– Gjithë Shqipëria ty të quan “i forti i PD-së”…
– Ça thu mor burrë?! Unë, me një të fishkëllyer, mbledh njëqind mijë mbështetës në Sheshin Skënderbej! Doktori asnjëherë nuk ma ka tërhequr vërejtjen gjatë një viti e gjysëm për mënyrën se si e kam drejtuar grupin parlamentar demokrat, por ama, edhe pozita nuk guxon të më takojë, se e dinë si jam unë: Po ranë në gojën time, të gjejnë vend e të futen!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *