Meqënëse gjithandej në media, është duke u folur vetëm për anët e mira të kësaj vizite, unë do të sjell në fokus, disa përshtypje të këqija, të cilat mund të ishin shmangur lehtë. Ato janë, për mendimin tim:
1) Mënyra se si e pranoi Papa mirënjohjen që iu dha si “Qytetar Nderi” i Tiranës. Nunciatura Apostolike (Ambasada e Vatikanit) në Tiranë e inkurajoi fuqimisht idenë që Bashkia e Tiranës e kishte shprehur disi me ngurim për ta bërë Papa Franceskun qytetar nderi të Tiranës. Bashkia e Tiranës kishte dyshime nëse një Papë pranonte të tilla mirënjohje. Por, kur gjithçka u bë gati, dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kishte marrë tashmë që në korrik vendimin e shpalljes së Papa Franceskut “Qytetar Nderi”, Nunciatura Apostolike njoftoi Bashkinë e Tiranës se Zyra e Protokollit e Selisë së Shenjtë (Vatikanit, siç njihet në të folmen informale) kishte bërë me dije që Papa nuk mund të ishte i pranishëm në Bashkinë e Tiranës për të marrë pjesë në ceremoninë e përgatitur, dhe se duhej gjetur një mënyrë tjetër për t’ ju dorëzuar mirënjohja dhe çelësi i qytetit.
Ky vendim i pakuptueshëm i Papës është një fyerje e rëndë për kryeqytetin dhe gjithë qytetarët e tij, në emër të të cilëve u akordua kjo mirënjohje. Ndërtesa e Bashkisë së Tiranës gjendej në rrugëkalimin e Papës në kryeqytet, kështu që mund të qenë gjetur tridhjetë minuta për t’ u kryer kjo ceremoni. Në vend që të ndodhte kështu, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ia dorëzoi Papës dekoratën në Sheshin “Nënë” Tereza, para se të niste mesha, ndërsa gruaja e kryetarit të Bashkisë, bënte rolin e sekretares së Kryetarit të Bashkisë, duke mbajtur tabakanë me çelësin e qytetit. Kjo marrëzi e pakuptueshme mund të ishte shmangur.
2)Papa Francesku, në fjalimin që mbajti në Sheshin “Nënë Tereza” përmendi “Tokën e lashtë të Izraelit”. Kjo nuk ka kuptim tjetër veçse që të theksohen rrënjët hebreje të Krishterimit, si dhe të përçohet rëndësia e posaçme e shtetit të sotëm të Izraelit, për të krishterët. Ky zell izraelit i Papës, megjithatë nga shteti i sotëm i Izraelit është shpërblyer me qëndrime që e kanë vënë në vështirësi deri edhe vetë Papën. Kështu ndodhi gjatë vizitës së fundit të Papa Franceskut në Jerusalem, ku ai u detyrua që të replikonte me Kryeministrin izraelit Netanyahu, i cili tha se Krishti pati folur në hebraisht. Kur zëdhënësi i Papës u pyet sot në Tiranë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Selisë së Shenjtë, ai iu shmang përgjigjes duke thënë se vizita e Papës në Shqipëri nuk kishte karakter politik apo diplomatik, por vetëm religjioz. Por kjo thënie përgënjeshtrohet nga fakti që u përmend Izraeli, i cili për më tepër nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. A mos ndoshta politika e jashtme e Selisë së Shenjtë qenka e indeksuar pas asaj të Izraelit? Kur Presidenti amerikan Bush donte t’ i bënte me dije botës se së shpejti do të shpallej pavarësia e Kosovës, dhe se SHBA e miratonin këtë gjë, ai e bëri këtë gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në qershor 2007. Nëse Selia e Shenjtë do të kishte ndërmend që ta njihte pavarësinë e Kosovës, kishte rastin që ta bënte këtë gjë në Shqipëri. Mosnjohja e Kosovës nga ana e Selisë së Shenjtë tashmë ka marrë pamjen e një skandali diplomatik ndërkombëtar, pasi Kosovën e kanë njohur vendet ku jetojnë pjesa më e madhe e katolikëve të botës.
3)Në takimin me krerët e bashkësive fetare të Shqipërisë, ku do të celebrohej bashkëjetesa mes bashkësive fetare në Shqipëri, foli si kreu i bashkësisë katolike të Shqipërisë një klerik italian, dhe atë e duartrokiti një shtetas grek që është kreu i bashkësisë ortodokse në Shqipëri. Kjo ështeë komike.
4)Papa vizitoi Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, i cili tashmë mund të konsiderohet një projekt i tjetërsuar dhe i dështuar i Vatikanit dhe i Kishës Katolike të Shqipërisë. Ndryshe nga çfarë është thënë shumë vite më parë, kur është kërkuar leja për të, ky Universitet, për shkak të tarifave shumë të larta që ka për studentët, sot ka më shumë studentë të huaj se shqiptarë, dhe të vetmit shqiptarë që mund të studiojnë atje janë ata të cilët iu përkasin familjeve të pasura.
5)Masat absolutisht të tepruara të sigurisë, të ndërmarra me ngulmimin e shërbimit të sigurisë së Selisë së Shenjtë, dhe për të cilat autoritetet shqiptare treguan gatishmëri. Masat e sigurisë sot qenë shumë më të mëdha se kur erdhi Presidenti amerikan Bush në Tiranë, në 2007. Presidenti Bush i Riu, ishte ai që përjetoi atentatet e 11 shtatorit 2001, dhe drejtoi fushatën kundër terrorizmit islamik. Nëse kishte ndonjë njeri që rrezikohej nga një atentat terrorist ishte pikërisht ai. E megjithatë në 2007, nuk pati një ndalim qarkullimi në një zonë kaq të gjerë në kryeqytet dhe në rrethinat e tij, sa me rastin e vizitës së Papës. Në Sheshin “Nënë Tereza” ku mbajti meshën Papa, praktikisht hyhej me autorizim të posaçëm. Sot shumë njerëz në kryeqytet u privuan nga kryerja e veprimtarisë së tyre të përditshme për shkak të vizitës së Papës dhe kjo ndodhi në një zonë shumë më të gjerë se ajo që mund të quhet si zona normale e sigurisë. Kjo ishte me të vërtetë e tepruar. Mbyllja e hapësirës ajore të Republikës së Shqipërisë, si dhe bllokimi i rrugëve që të çojnë në aeroportin e vetëm civil të Shqipërisë, bëri që shumë qytetarë shqiptarë të humbin linjat e tyre të fluturimit, e kam fjalën për ata që kishin një deadline, se duhet të arrinin një tjetër aeroplan.
6)Perdet e hekura të cilat qenë vendosur përgjatë bulevardit ku kaloi Papa dhe përreth sheshit ku mbajti meshën Papa. Këto perde të hekurta kishin një simbolikë të çuditshme se përtej perdes së hekurt kishin mbetur besimtarët katolikë, ndërsa këtej perdes së hekurt, bashkë me Papën, qenë si të privilegjuar, persona të tillë, si dhe pasardhësit e atyre personave, të cilët në kohën kur Shqipëria ishte e ndarë me perde të hekurt nga bota e lirë, duke përfshirë edhe Vatikanin, prishnin kishat, anatemonin Papën dhe martirët katolikë fotografitë e të cilëve qenë vendosur sot në bulevard. Perdet e hekura qenë një gjetje e papërshtatshme për kryeqytetin e vendit ku perdja e hekurt ishte më e dendur, dhe ku qëndroi më gjatë. Selia e Shenjtë nuk duhet t’ i kishte pranuar kurrsesi perdet e hekurta, të cilat me aq zell i vendosi Kryeministri Rama. Ky i fundit dhe trashëgimtarët e diktaturës komuniste, të cilët janë sot në pushtet, ua dhanë kumtin shqiptarëve, posaçërisht besimtarëve katolikë. Si dikur ashtu edhe sot, ju mund ta shikoni Papën vetëm nga përtej perdes së hekurt. Së paku pengesat e vendosura të kishin qenë plastike dhe jo prej hekuri.
7)Mosprania e Kryerabinit hebre të Shqipërisë në takimin e Papës me krerët e bashkësive fetare në vend. Duke qenë se Papa e përmendi Izraelin në fjalimin e tij gjatë meshës në Sheshin “Nënë Tereza”, kjo mungesë nuk mund të quhet si një gjes antihebre i Papës, por si një mungesë dëshirë për të njohur mbrojtjen që iu kanë bërë hebrenjve shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nga pala shqiptare përshtypjen më të keqe padyshim e bëri Kryeministri Edi Rama i cili ndonëse kohët e fundit ka përsëritur disa herë se është katolik, duke qenë se dikur gjyshja e tij e paska çuar për pagëzim, megjithatë nuk ia puthi dorën Papës, siç duhet të bënte një katolik i mirë, kur e priti në skaj të shkallëve të avionit. Por marrëzia më e madhe e Kryeministrit Rama ishte padyshim kur sot rreth orës 13, në mes të vizitës së Papës, vendosi në faqen e tij në Facebook, një status ku fliste për “një At i Shenjtë me impaktin e një këngëtari rock-u mbi bulevardin e Tiranës.” Në fantazinë e Kryeministrit Rama, kulmi i popullaritetit që mund të arrijë një Papë, është ai një këngëtari rock./Kastriot Myftaraj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *