Ai bie në sy për një stil të veçantë të kënduari. Së fundmi, ka bërë “boom” me këngën tij më të re, “Roll”, të cilën e sjell në bashkëpunim me një këngëtare tepër të suksesshme si Dhurata Dora. Donaldi, ose siç jemi njohur tashmë, me emrin Young Zerka është djali nga Korça i cili përfaqëson denjësisht rrymën rege (reagge) në Shqipëri, rrymë e cila po fiton shumë terren edhe këtu…

 

Fabjola Kuburi: – Në këngën “Roll”, pate një kombinim perfekt me Dhurata Dorën. Me çfarë synimi e sollët këtë këngë?

Young Zerka: – Së pari, dua të përcjell mesazhin që edhe ne, në Shqipëri, dimë të bëjmë muzikë të mirë. Së dyti, dua të prezantoj njerëzit me një këngë të bukur, që i përket një rryme të këndshme e të kërcyeshme dhe, së treti, dua t’u dhuroj njerëzve kënaqësi…

– Ky është bashkëpunimi i parë me këtë këngëtare. Si erdhi ai?

– Ky bashkëpunim ka lindur në studiot e Max Production ku edhe jam njohur me të, sepse të dy jemi nën menaxhimin e kësaj studioje. Unë ia sugjerova Dhuratës dhe, sapo e dëgjoi, ajo e pëlqeu shumë. Dhe, ja, një realizim i kryer me sukses!

– Çfarë mendove kur e pe për herë të parë Dhuratën?

– Kisha dëgjuar disa materiale të saj dhe më ishte dukur shumë e talentuar dhe e përshtatur me vokalin tim. Dhurata është një shoqe dhe vajzë shumë e mirë!

– Për ç’arsye nuk binit dakord me njëri-tjetrin gjatë kohës së realizimit të këngës dhe klipit?

– Për asnjë arsye, përkundrazi, ne kemi rënë dakord që në momentin që e kemi dëgjuar këngën dhe për realizimin e saj për klip.

Pse “Roll”?

– “Roll” sepse sapo hyjmë në klub, sapo dëgjojmë muzikë, lëvizim dhe fillojmë të kërcejmë pa fund!

– “Roll” ka thyer rekord në Youtube pasi për tre ditët e para ka patur mbi 150 mijë klikime… Ku qëndron suksesi i kësaj kënge dhe videoje?

– Ndoshta ngaqë kënga është ritmike dhe njerëzit në Shqipëri ose, më saktë, ne shqiptarët jemi pak qejflinj ritmi. Siç duket, është pëlqyer edhe fakti që në klip ka kërcimtarë, koreografi dhe plot ngjyra!

– Muzika rege është një ndër zhanret më të bukura ritmike. Si ka mundësi që në Shqipëri nuk është shumë i zhvilluar?

– Arsyeja që muzika rege nuk është shumë e zhvilluar është sepse në Shqipëri mungon tradita për këtë zhanër, që vetëm sa ka filluar dhe po çel nga pak. Por, edhe artistët dhe producentët muzikorë kanë frikë të eksperimentojnë. Realisht, kështu është krijuar dhe zhvilluar edhe në botë…

– Mendon se tani e tutje do pëlqehet më shumë?

– Mendoj se po dhe do më bëhej shumë qejfi ta shihja më të përhapur këtë lloj rryme.

– Bashkëpunimi me Alandy rezultoi shumë i sukseshëm. Të bën kjo të vendosësh të mos ndërrosh kompozitor?

– Jam shumë i kënaqur nga Alandy dhe do vazhdoj me të. Është një kompozitor shumë i talentuar dhe shumë i dedikuar ndaj krijimeve të tij, plus jam edhe në përfundim të albumit tim me Alandin. Ndërkohë, kam shumë respekt edhe për kompozitorët e tjerë.

– Pse mendon se fitove kaq shumë sukses në një kohë kaq të shkurtër?

– Nga puna ime aktive, dedikimi dhe pasioni im për muzikën.

– Përveçse të motivon, ndodh edhe të të trembë pak kjo?

– Të më trembë?! Jo, aspak, sepse është diçka që unë e adhuroj.

– Të qenit personazh publik të privon nga shumë gjëra… Ty për cilën do të të vinte më tepër keq?

– Jo, s’më privon aspak, është e njëjta jetë për mua si tani, si më përpara…

– Teksa komunikon dhe të sheh, të krijohet idea e një djali serioz dhe shumë korrekt, me horizont dhe i kompletuar artistikisht. Kur ndodh që ti të shfaqësh anën tjetër tënden?

– Unë jam një djalë, ndoshta nuk mund të them 100% i kompletuar, por kam anë pozitive dhe negative, ashtu si çdo person në botë, qoftë edhe në Shqipëri. Mundohem që negativet të mos i shfaq…

– Zerka, kur komunikuam bashkë, më the se je në Kosovë. Për çfarë ishe atje, apo për të promovuar dhe shijuar nga afër suksesin e “Roll”?

– Po, për promovimin e klipit, por Kosova gjithmonë më ka pëlqyer. Ndofta ndikon këtu edhe mikpritja e rrymës rege aty dhe më parë në festivale të ndryshme që mbahen çdo vit në Kosovë. Dua t’i falendëroj dhe për pritjen e jashtëzakonshme që i kanë bërë këngës “Roll”!

– Ti ke pasur edhe një tjetër bashkëpunim me Kastro Zison para një viti, në mos gaboj…

– Po, është shumë e vërtetë, kënga “Pa lule” që kemi realizuar me Kastron, i përkiste një lloj zhanri tjetër, si pop alternativ, ose pak R&B dhe kënga vetë tregon një histori dashurie…

– Mendon se janë këngët e tua apo ti vetë i tërheq më tepër femrat?

– Unë gjithmonë kam kënduar për femrat dhe do vazhdoj të këndoj, sepse i adhuroj shumë.

– Përballë një femre, çfarë të shkakton reagim emocional?

– Varet nga sjellja e femrës.

– Ekziston një tip femre që Young Zerka nuk e duron dot?

– Po, materialistet dhe lajkataret.

– Të gjithë ne ruajmë edhe nga ato gabimet që i konsiderojmë të bukura. I yti, cili është?

– I imi është që duhet të kisha menduar pak më shumë për veten, që në fillim të karrierës sime!

– Lidhur me muzikën, ku nuk do t’ia falje vetes gabimin?

– Duhet të kisha vazhduar studimet për piano.

 

Për ta njohur më mirë Young Zerkën

– Pse ky emër arti, Young Zerka?

– “Young” vjen nga anglishtja, që do të thotë “i ri” dhe Zerka ka qenë pseudonimi im, kur kam qenë i vogël!

– Çfarë do tregonte Young Zerka rreth vetes?

– E kam inat të mburrem ose të bëj diçka për inat të dikujt.

– Po për Dhuratën, çfarë do të thoje?

– Ka qenë zgjedhja ime më e mirë për të bërë duetin me Dhuratën, sepse është një këngëtare e talentuar dhe një njeri shumë i mirë!

– Me çfarë merreshe para se të filloje muzikën?

– Para se të merresha me muzikë, unë kam luajtur futboll!

– A ka ndonjë rregull apo tabu të cilën ti nuk do ta thyeje kurrë?

– Jam besnik ndaj shoqërisë dhe inatçiun ndaj të tjerëve s’do ta bëja kurrë sepse jam njeri që dua t’i shoh të gjithë sa më lart!

– Po ai që të pëlqen ta thyesh më shpesh?

– Nuk e di, nuk e kam menduar ndonjëherë!

– Makina e preferuar…

– Lincoln 1974, në stilin “lou rajder” ose mustang i vjetër.

– Nga cila bukuroshe do të doje të ishe i shoqëruar në një event të madh?

– Nuk e kam fare problem. Me të gjitha ato që do ishin pa komplekse!

– Cila ishte hera e fundit që një vajzë të dha numrin e saj të telefonit?

– Po tani, gjithçka ka evoluar dhe përdoren më shumë rrjetet sociale!

– Çfarë do të të mërziste shumë, por shumë ama?

– Kur dikush tallet me punën time.

– Cila është pija alkoolike të cilën sa herë e konsumon, dehesh?

– Të gjitha!

– Si janë mbrëmjet e tua tipike të fundjavave?

– Kam qejf të dal dhe të kërcej, por dhe të pi nga një birrë ose të bëj muhabet me shoqërinë.

– Çfarë do të doje të kishe në këto momente, diçka që të mungon?

– Dy albumet që më kanë ngelur lart e poshtë nëpër studio të ndryshme.

– Koha më e gjatë që ke qëndruar pa gjumë…

– 24 orë.

– Një moment i sikletshëm për ty do të ishte…

– Kur njerëzit më shikojnë nga flokët.

– Nëse do ta shprehje me stil rege mbylljen e kësaj interviste, si do ta bëje?

– Love the music. Save the music. Love, peace and harmony. Feel the good vibe. (Dashuro muzikën, mbroje muzikën, dashuri, harmoni dhe paqe. Ndjeni dridhjen e mirë)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *