– I nderuar Dr. Demiri, problemin im do ta quaja më tepër një ankth social, sesa ndrojtje dhe turp. Kam një mungesë të theksuar vetëbesimi dhe vetëvlerësimi. Kam tendencë të fajësoj veten për çdo gjë, ta gjykoj veten gjer në pikën e fundit dhe ta ndëshkoj. Shpesh kam dilema të kota dhe më duket sikur çlirohem vetëm kur e bëj veten për të vuajtur.  Ka momente kur shkëputem nga realiteti, por ajo që më shqetëson është ajo që përjetoj çdo ditë, një ndrojtje nga njerëzit, një frikë se po më gjykojnë. Madje, kur dikush më shikon për një kohë të gjatë, mendoj se diçka nuk shkon me mua dhe më kap paniku. Çfarë më këshilloni? Me respekt, një lexuese…

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar lexuese, kushdo që e lexon këtë letrën tënde, mund të thotë: “Obobo sa keq që qenka kjo!”, kurse në të vërtetë, pavarësisht nga vuajtjet që ti i përshkruan aq saktë, nuk i quaj këto asnjë lloj rreziku pasi të gjitha këto janë simptoma të ankthit dhe ankthi nuk është sëmundje. Simptomat dhe sëmundja nuk janë e njëjta gjë, aq më tepër simptomat e ankthit, sado të frikshme e të çuditshme, përveçse nuk janë sëmundje, janë edhe plotësisht të trajtueshme, me psikoterapi dhe me barna kryesisht bimore. Mua më vjen mirë që ti nuk e quan veten të sëmurë dhe je përpjekur të vetëdiagnostikohesh duke menduar se ke ankth social. Është e vërettë se je futur në një si “rreth vicioz”, por ka rëndësi fakti që ti e kupton këtë dhe përpiqesh të dalësh që andej. Të gjitha këto kanë të bëjnë me faktin që ti je e zgjuar e me ndjenjë të lartë përgjegjësie, me shumë sedër e dinjitet, por edhe e mbindjeshme, pra, plot cilësi të larta të cilat sikur janë të tepruara, pasi siç thotë francezi, e mira tepër, është e keqja e së mirës. Fakti që ti e fajëson veten për çdo gjë, pra, ke tendencën ta gjykosh veten deri në pikën e fundit dhe ta ndëshkosh duke u “grindur” për dilema të kota, do të thotë se ti ke humbur paqen e brendshme shpirtërore. Kjo është njëlloj sikur “fëmijen” tënd të brendshëm, “Anjezën e vogël” ta trembësh pa pushim ose ta lësh në rrugë dhe të tjerët të shkelin e “masakrojnë” atë. Më vajti goja pas, duke u thënë njerëzve që ta duan e llastojnë “fëmijën” e vet të brendshëm dhe gjendjen e vet shpirtërore të mos e lënë në duart e askujt, por ta mbajnë vetë në dorë. Të tjerët, sado të afërt e të dashur që të jenë, një ditë ose nuk do t’i kemi se do të vdesin (si për shembull prindërit), ose mund të na braktisin (si për shembull i dashuri). Ajo që nuk na “braktis” ne kurrë është vetvetja. Kur kam qenë student, në moshën tënde, më kanë bërë shumë përshtypje kur i lexova në një revistë “5 mësimet e Konfucit”, një filozof i vjetër kinez. Ja se cilat janë: 1. Njeriu që ka bërë një gabim dhe nuk e ka korrigjuar, ka bërë kështu gabimin e dytë. 2. Çdo gjë ka bukurinë e saj, por jo kushdo di ta shohë. 3. Dituria e vërtetë është kur dikush e kupton shkallën e padijes së vet. 4. Bëj punën që të pëlqen dhe atëhere nuk do të “punosh” asnjë ditë në jetën tënde. 5. Suksesi më i madh, nuk është të mos dështosh kurrë, por të dish të ringrihesh sa herë që dështon…

– Në moshën time të rinisë, i kam zbërthyer me detaje këto thënie dhe më kanë ndihmuar e shërbyer shumë. Të njëjtën gjë të këshilloj edhe ty, sepse paske humbur edhe “orientimin” e saktë dhe paqen e brendshme shpirtërore. Që t’i rifitosh këto, të duhen disa seanca me psikolog, por të duhet një psikolog klinicist, mundësisht me përvojë, pasi çmontimi i gjendjeve të ankthit si diçka e “mësuar” është e mundur 100 %, por kërkon “mjeshtëri” të madhe. Për ta kuptuar pak më mirë se ç’do të thotë “paqe shpirtërore” dhe se sa rëndësi ka ajo, unë kam shkruar në një përgjigje tek “Intervista” me titull “Çfarë është “dyzeni” shpirtëror?”. Kam shpjeguar se si shumë njerëz shqetësohen për gjëra të vogla e të parëndësishme dhe harxhojnë kohë e shumë energji duke menduar rreth tyre, ndërkohë që duhet të hidheshin në veprim siç bëjnë japonezët, të cilët nuk qajnë, por veprojnë gjithmonë si ato “milingonat”. Pra, po të lëvizim e veprojmë, ne nuk do të futeshim në stres. Ajo që na shkakton stres, nuk është e tanishmja kur ne jemi në veprim e sipër, por gjithmonë “e shkruara”, me pyetjet si e pse ndodhi dhe e ardhmja, me pyetjet: “Po sikur…?”, pa fund. Sa herë që pyesim me fjalët “pse”, e “po sikur”, ne kemi menduar diçka të keqe, të pakëndshme. Ato që na shkaktojnë stres nuk janë aq ndodhitë në vetvete, por mendimi ynë për ndodhitë. Më vjen të qesh Anjeza, kur ti thua që “zihem shpesh me veten për dilema të kota” dhe ke një inat të brendshëm ndaj vetes. Të siguroj se me disa seanca me psikoterapi ti do të ndjehesh si e dalë nga burgu ose le të themi më mirë, nga një lloj labirinti nga i cili na vijnë në ndihmë 5 “mjete” të rëndësishme psikologjike të cilat na duhen për gjithën jetën. Shumë njerëz, pas seancave, jo vetëm që kanë një vetëbesim e vetëvlerësim më të lartë, por ndjehen si të çliruar nga kjo lloj dare psikologjike. Këtë gjë e bën “magjia” e bukur e psikoterapisë dhe e psikoanalizës, gjatë të cilave hapen dyer e dritare për t’u “ajrosur” ato magazinat e shpritit tuaj të mrekullueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *