Ish-kryeministrin Sali Berisha, këtë radhë, e takova në selinë e re të PD-së. Ishte në një zyrë të madhe e të rregulluar bukur…

 

Kaso Kosa: – Desha të bënim një intervistë me ju këtë javë, zoti Berisha…

Sali Berisha: – E bajmë, Kaso, e bajmë, por ta dish se më ka mbet hatri me tye. Jo, ta dish këtë!

– Pse, zoti Berisha?

– Sepse ti ke intervistue armiqtë e demokracisë Kaso. Jo, ta dish këtë, por unë nuk jam si Edvin Rama që i godet gazetarët me pjata, thika e piruna. Në asnjë mënyrë! Unë të pres në tavolinë dhe të jap intervistë. Vetëm kujdes, Kaso, kujdes! Jo, ti nuk e di, por duhet me pas kujdes, Kaso, ti dhe familja jote…

– Familja ime?!

– Po, Kaso. Motra jote, Kaso, asht pa këtë javë duke dalë nga një motel…

– Unë nuk kam motër, zoti Berisha. Kam vetëm vëllezër…

– Ke, Kaso, ke. Babai yt, si shumë meshkuj, si edhe Edvin Kristaq Rama, ka shkue me vajza dhe gra të tjera. Me dy prej tyre, baba yt ka edhe dy fëmijë… Unë di gjithçka, Kaso, po unë jam tolerant. Unë di edhe çfarë ke parë ti dje në internet. Më thuaj, Kaso: Çfarë të lidh me atë bjonden me gjoksin si të Çiljetës që çaton për orë të tëra çdo natë?!

– Atë vajzë e kam njohur në Facebook, Doktor…

– Jo, Kaso, jo dhe jo! Ajo nuk asht vajzë, nuk asht femër. Asht mashkull, asht mashkull si Edvin Kristaq Rama ajo. Po, asht mashkull që nuk i punojnë veglat. Si Edvini…

– Dakord, zoti Berisha, faleminderit për informacionin. Do ta bllokoj që sot, po, a mund ta fillojmë intervistën?

– Pa dyshim, Kaso. Unë nuk jam Edvin Kristaq Rama që nuk të jep intervista. Unë jam demokrat!

– Së pari, desha t’ju uroja për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, zoti Berisha. Kishim kohë që e prisnim… Ka meritë edhe PD-ja për këtë!

– Në asnjë mënyrë, Kaso! Merita asht e gjitha imja. Marrja e statusit është meritë e Partisë Demokratike. Banda mafiozo-kriminale e Edi Ramës na pengoi, na vonoi, por ne ia dolëm mbanë…

– Edi Rama nuk ka asnjë meritë?

– Edi Rama asht nji kleptoman. Ja, ç’asht Edi Rama! Ai na e vodhi statusin tonë, na rrëmbeu fitoren tonë… Ai më mori edhe ftesën e Merkelit për të vizitue Shqipërinë, edhe ftesën e Papës. Ai donte me më marr’ edhe Çiljetën, por unë nuk e lejova. Jo dhe jo, i thashë. Çiljeta asht e imja… Larg duart nga Çiljeta zotëri, se unë t’i djeg me zjarr ato…

– Prandaj ai e përmendi me keqdashje Çiljetën në Parlament?

– Dëgjo këtu! Rama xhelozohet nga Çiljeta, Kaso, se ai është artist i dështuem. Çiljeta asht artiste e kompletume, zotëri, ka talent, ka gjoks, zotëri, i ve gjoksin punës ajo, nuk asht si Edvin Rama, që nuk ka asgjë, që nuk bën dot asnji punë…

– Diçka bën edhe zoti Rama, besoj, zoti Berisha…

– Në asnjë mënyrë! Absolutisht asgjë nuk bën ai, ai është dështak. Rama, gjithçka e ka përfitue nga të tjerët. Shkollën ia dha babai. Djalin, po ashtu. Partinë ia dha Fatosi. Qeverinë ia dha Meta. Gruan ia dha…

– Nuk është mirë të merremi me gjëra intime të të tjerëve, zoti Berisha. Mendoj që duhet të shohim punën e tyre…

– Jo, ke të drejtë. Ashtu është. Punën duhet të shohim. Punën po shoh edhe unë. Po këto mor zotëri, nuk i them unë, i ka thënë vetë ai, i ka thënë media. Vetë plaku Mere që sot e këshillon, e ka shkruar që i ati i të birit të tij është i ati i tij. Në asnjë mënyrë nuk e them unë këtë. Jo dhe jo! E thotë vetë ai…

– Edi Rama nuk e ka thënë këtë, zoti Berisha…

– E ka thënë, Kaso. Ai është i çmendur. Ka nevojë për kontroll psikiatrik rigoroz. Po dhe po! Unë mund t’i ofroja psikiatrin tim personal, por ai nuk asht ma në këtë jetë. Jo, do ia ofroja me gjithë qejf, unë jam human. Nuk jam si ai, një qenie antihumane…

– Si u ndjetë këtë javë që nuk u lejuat në Parlament, zoti Berisha? Në rrjete sociale u tha: “U përjashtua Berisha vetëm 10 ditë nga Parlamenti dhe u mor statusi i kandidatit për BE. Imagjino ta përjashtosh atë për një muaj… Do të kemi anëtarësim direkt!”…

– Të thashë, Kaso, kujdes me pyetjet. Ti më thue që nuk ke motër, por këtë barcaletë, Kaso, e ka treguar një deputet socialist, pikërisht në motelin nga është parë të dalë motra jote. Ky ashtu humor i zi, humor i dëshpëruem i Edi Ramës. Sali Ramë Berishën nuk e nxjerr njeri nga Parlamenti. Unë ika vetë, se po të doja, nuk dilja e nuk kishin ç‘të më bënin. Sa për lidhjen mes daljes time dhe marrjes së statusit, unë po të them, zotëri: Provoni hiqni Ramën një javë nga Parlamenti e do ta shikoni, brenda muajit do futemi në Europë!

 

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *