Kaso Kosa: – Zoti Arvizu, kemi që nga nëntori i vitit të kaluar pa u takuar dhe nuk po mundim të bëjmë një intervistë të shkurtër…

Aleksandër Arvizu: – Unë këtu kam qenë Kaso, paçka se ti nuk ke mundur të më takosh sepse edhe axhenda ime ka qenë e zënë me veprimtari të shumta. Vendi juaj vërtet është i vogël, por problemet i ka shumë të mëdha dhe mua më është dashur të merrëm me shumë takime, vizita dhe biseda nga më të ndryshmet.

– Pikërisht për këto takime e biseda interesante donim t’ju pyesnim. Cilat nga ato të kohëve të fundit kanë qenë më interesante?

– Më duhet të flas gjatë sepse shumë nga takimet e mia kanë qenë vërtet mbresëlënëse. Do veçoja këtu takimet me kreun e shtetit shqiptar, zotin Nishani. Nuk e besoni se me sa dëshirë i pres takimet me këtë burrë të shquar të kombit tuaj, të cilit nuk i bie fjala në tokë, siç thoni ju shqiptarët. Aq qartë e bukur i shtron problemet, sa unë e kam ëndërr të takohem e të pi kafen e mëngjesit ditë përditë me atë. Qeveria amerikane ka konsideratat më të larta për Presidentin tuaj, aq sa vetë Barak Obama më është lutur që të zbardh praktikën e punës së tij, për ta patur si model në administrimin e shtetit amerikan.

– Është lumturi për ne shqiptarët ky vlerësim ndaj presidentit tonë. Po takimet me kryetarin e opozitës, ç’mbresa ju kanë lënë?

– Cilin kryetar?

– Për zotin Basha e kam fjalën sepse ai është kryetari i PD-së!

– Takimet me të janë një tjetër kënaqësi për mua, sepse është i paparë. I ëmbël në fjalë, buzëqeshës i nivelit të lartë, me një logjikë të hekurt argumentuese, aq sa mendon se nuk ke të bësh me një djalë 40 vjerçar, por me një njeri të rrahur me vaj e me uthull nga jeta.

– Morëm vesh që ishte ai që kërkoi takim urgjent me ju pas një incidenti të ndodhur në korridoret e kuvendit mes një deputeti demokrat dhe dy socialistëve…

– Është e vërtetë. Më kërkoi takim dhe më shtroi shqetësimin e partisë së tij dhe atë personal si kryetar, për persekutimin që po i bënte maxhoranca opozitës. “E shikoni zoti ambasador, më tha, se si po na trajton pozita e drogës dhe e krimit? Veç që kanë hequr nga puna të gjithë militantët e PD-së, veç që na mbytën fjalën e lirë në Parlament, por po na rrahin deputetët dhe jo thjesht me grushta, siç i kemi rrahur ne kur ishim në pushtet, por me rrip pantallonash. Kam frikë se ndonjë ditë, nxitësi i kësaj dhune, Edvin Kristaq Rama, mund të më zërë edhe mua me rrip dhe imagjinoni se çfarë rripi mund të ketë zoti Rama!”.

– Ju pamë që bëtë edhe një vizitë interesante në Skrapar…

– Ishte një mrekulli ajo vizitë! Më ftoi miku im, zoti Meta, në inaugurimin e një fabrike këpucësh në Çorovodë. U mrekullova sidomos me dashurinë që treguan për mua në atë fshat të bukur malor. Madje, për të shprehur respektin, më dhuruan edhe një palë këpucë të cilat do t’i vesh vetëm ditën që do të rivete për vizitë në Skrapar.

– Pse, mendoni ta vizitoni prapë atë zonë të bukur malore?

– Patjetër që do ta rivizitoj sepse në Çorovodë më pritën aq mirë sa nuk më bëhej të largohesha prej andej. Kur mbaroi ceremonia e inaugurimit të fabrikës, më ftuan për drekë duke më thënë se do të më jepnin “bukë e kripë e zemër”. Bukë me kripë nuk kisha ngrënë kurrë, ndaj u bëra kurioz, por sa u befasova kur nën hijen e rrapeve të Bogovës më vunë përpara një qingj të pjekur në hell, të shoqëruar me një shishe raki skrapari. Hajde raki, hajde! Pija e nuk ndjeja të ngopur. M’u bë rakia ujë, siç thoni ju, sidomos kur për nderin tim, Dule Malindi ngriti një kengë që ia mbante Iliri me skraparllinjtë e tjerë. M’u bë mishi kokrra-kokrra nga emocioni. Ishte hera e parë që në jetën time më ngrinin një këngë! Do të vete pikërisht se mbase më ngrenë një këngë tjetër dhe, ku i dihet, më falin edhe një palë këpucë të tjera që t’i vesh kur të iki nga Shqipëria.

– Para disa ditësh, ju pamë gjithashtu duke ndarë disa kokë dhi në rrethin e Krujës…

– Ka qenë një nga ditët më të bukura që kam kaluar në Shqipëri. Të ndash dhi për gratë shqiptare, është një goxha nder. Kur Dritan Prifti arriti të dhuronte lopë në fshatin Libofshë, pse unë mos të dhuroja dhi për një fshat të Krujës? Këtë projekt unë ia propozova përpara një viti edhe zotit Berisha kur ishte kryeministër, por ma refuzoi në mënyrë kategorike. “Nuk kemi nevojë për dhi, mor zotni, më tha prerë, ne në mes të dhive jemi rritur, ndaj nuk gënjehemi kollaj. Në jeni burra, na dhuroni nga një çek me dollarë. Ata na pëlqejnë më shumë se çdo dhuratë tjetër!”.

– Dëgjuam që secila grua që mori një dhi, vitin tjetër, kur dhija të pjellë keca, kecin femër duhet t’ia dhurojë një gruaje tjetër.

– Po, po, kështu e ka projekti. Këtë vit, ndajmë 20 kokë. Mot bëhen dyzet, një vit më pas tetëdhjetë e me radhë. Kur ju të jeni në prag të anëtarësimit në BE, pas dhjetë vjetësh, gratë shqiptare do të kenë të gjitha nga një dhi alpine në shtëpitë e tyre dhe ju do të jeni i vetmi vend që do të bëheni pjesë e Evropës së Bashkuar me një dhi në çdo shtëpi.

– Po sikur dhitë të bëjnë keca meshkuj?

– Edhe këtë ngërç e zgjidhëm duke propozuar që dhurata të bëhet, qoftë femër, qoftë mashkull, se fundja, dhitë femra duan burra dhe kështu bëhet edhe kooperimi mes dhive femra e meshkuj. Gjeniale, apo jo?

– Edhe një pyetje të fundit: Pse nuk vizituat asnjë nga grevat e urisë që këto kohët e fundit i kemi me shumicë?

– Në fakt, unë e planizova të bëja një vizitë që ditët e para të grevistëve të larguar nga puna, por kur pashë që një zonjë që ishte edhe kryetare greves, Nertila Qafëzezi më duket e quanin, zuri me shkelma e grushta një grua që donte të futej në grevë për të njëjtat motive, kur pashë egrësinë e saj dhe forcën e mrekullueshme fizike të zonjës greviste, u tërhoqa. “Ç’më duhet t’i vizitoj, se zonja e fortë mund të më marrë për grevëthyes dhe mund të ha jo vetëm grushta, por edhe shkelma prapanicës?!”. Kështu, ngela pa u bërë një vizitë. Më vjen keq, por vërtet pata frikë nga ato greviste trime…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *