Psikologji apo thjesht dhunti e të folurit? Arti i parashikimit së fatit ose shtënies fall, si edhe ata që e praktikojnë atë, mbjellin dyshime dhe mistere të vështira për t’u zgjidhur. Disa lloje të fallit, si: Leximi i dorës apo i letrave, janë praktikuar që në lashtësi dhe ka njerëz që vënë dorën në zjarr për autenticitetin e fuqive të tyre. Nga ana tjetër, sipas disa klientëve, fallxhorët u kanë gjetur datën e saktë kur do të martoheshin, fëmijët që do të kishin, si edhe punën që do të bënin. Bëhet fjalë për një shqisë të gjashtë, psikologji, apo thjesht rastësi? Ne vajtëm te tre fallxhorë të ndryshëm dhe ja rezultati…

Kiromancia (leximi i dorës)
Së pari, shkoj te një burrë që di të lexojë dorën, që nga pamja duket më shumë si shofer kamioni, sesa si një person që zotëron një shqisë të gjashtë. Jam pak e zhgënjyer, sepse rreth e rrotull nuk shoh as qirinj, as mure me hajmali dhe fotografi mistike. Kam veshje sportive sepse dua të dukem si vajzë e re, por nuk ia dal mbanë t’i krijoj atij përshtypjen se jam studente…
E para gjë që më thotë, para se të ulem, është se punoj në një vend të lidhur me shkrimet (mos i kam lyer gjë gishtat me bojë stilografi?!). Pasi ulem, më kërkon t’i jap dorën e djathtë pasi ajo ka më shumë shenja. Pasi e studion një copë herë, më kërkon edhe të majtën. Në fund fillon të flasë. Sipas tij, kam shoqëri të mirë, një familje me të cilën shkoj shumë mirë dhe një punë që më pëlqen, por nuk kam shumë para, sepse për mua nuk janë të rëndësishme gjërat materiale. Jam dakord me gjithçka, me përjashtim të asaj që nuk e kam problem që s’kam para. E paralajmëroj që, nëse sheh diçka të keqe, të mos ma thotë. Ai buzëqesh dhe mua më futet më shumë frika. Më vonë ai rrudh vetullat dhe nuk më thotë asgjë, kështu që unë detyrohem t’i them se, megjithëse nuk i dua lajmet e këqija, mund të më thotë të mirat. Vazhdon të rrijë pa folur dhe unë frikësohem akoma më shumë. Kollitem dhe ai ngre sytë e më kërkon falje. Më thotë se sheh që do të jetoj në Australi dhe që nuk do të kem as partner fiks, as shtëpi, as stabilitet ekonomik. Gati me lot në sy e pyes nëse, të paktën, a do të kem shëndet të mirë. “Do të jetosh shumë”, më përgjigjet ai, por me një ton kaq serioz, sa nuk e di as vetë nëse është diçka e mirë apo jo… Për të mbaruar, më thotë se do të ndërroj edhe disa herë punë, që nuk do të bëj fëmijë, sepse kur të vendosja unë të bëja fëmijë do të ishte vonë, që do të udhëtoj, megjithëse jo në momentet e duhura (po kjo, ç’do të thotë ekzatësisht?) dhe do të humbas tre nga miqtë e mi, por, të paktën do të jem e lumtur. Meqë e thotë ai, duhet të jetë e vërtetë…

Fall me letra
Lexoj disa njoftime në gazetë për njerëz që shtien fall me letra. Ja disa nga njoftimet: “Nuk gënjej. Ti vendos: Ndershmëri dhe sinqeritet ose fallxhorë fallco”, “Fallxhore që në lindje”, “Rezultat 100% i garantuar”… Marr në telefonon një fallxhore që ma këshillon një shoqja ime dhe ajo më lë takim pas dy ditësh. Shkoj në takim e veshur sikur punoj në një zyrë (këmishë, kostum) që të mos e kuptojë se ku punoj. Kur arrij në vendin e takimit, hyj në sallonin e nje gruaje rreth të 45-ve, të qeshur, me pamjen e një njeriu që mund ta kesh komshie ose të afërm. Nuk ka as shami në kokë, as rroba lajle-lule, as unaza dhe varëse me shumicë. Në dhomë nuk ka asgjë që të tregojë se aty shtihet fall me letra, bile mund të duket si salloni i një shtëpie të zakonshme: Një tavolinë, dy karrige dhe një divan. Kur filloj të mendoj se mbase kam gabuar adresë, ajo merr disa letra nga një kuti për të më shuar çdo dyshim. Fillon seanca.
Në fillim më pyet nëse dua të di diçka në veçanti dhe kur unë them “jo”, ajo fillon të vërë letrat mbi tavolinë. Më thotë se më pëlqen të gatuaj (kështu thonë letrat), që sapo kam blerë një shtëpi (nuk them gjë, por gjithsesi nuk është e vërtetë), që punoj në një ndërmarrje të madhe (është e vërtetë), që kam tri vëllezër (gjithashtu, është e vërtetë), që do të shkoj të jetoj në një vend me ujë, por jo me det (ç’të jetë ky, një Akuapark?), që sapo më ka lënë i dashuri, por më mirë për mua, sepse nuk ishte njeri i mirë (do të jetë ish-i im me të cilin kam dy vjet që s’jam parë?) dhe më pyet nëse me kujtohet Linda. Unë mbledh supet. “Linda”, më thotë, “shoqja jote e gjimnazit”. Ajo sheh çudinë time, sepse nuk po më kujtohet asnjë shoqe me këtë emër, më buzëqesh dhe më sheh drejt në sy. “Ti nuk je këtu për të lexuar letrat”, më thotë. Filloj të djersij. “Më fsheh diçka dhe nuk më le të hyj në mendjen tënde”. Mbase e ka fajin kostumi që kam veshur, sepse nuk jam mësuar të vesh kostum. “Nëse nuk më lë të hyj në mendjen tënde, nuk mund të të them asgjë”, thotë ajo. I them ta provojë përsëri dhe ajo përgjigjet që do të përpiqet, por unë duhet të relaksohem. Pasi më flet për një ngritje në detyrë në punë, fat të mirë në jetë dhe miqësi të tjera që do të më bëjnë shumë mirë, më thotë se seanca ka mbaruar. Nuk e di nëse ishte e vërtetë, por dal prej andej e kënaqur, e bindur se gjithçka do të më shkojë mirë. Shumë simpatike kjo grua!

Leximi i filxhanit të kafesë
Pas fallit me letra, drejtohem në takimin e ardhshëm: Te një person që di të lexojë filxhanin e kafesë. Nuk merr para, por as e bën këtë gjë shpesh. Bëhet fjalë për një të njohurën e një shoqes time, që, sipas asaj që thonë, është fallxhore “që nga lindja”, si ato që duken nëpër lajmërime, por nuk e ushtron këtë aftësi. Disa shoqe te miat ma lavdërojnë, kështu që shkoj ta vërtetoj vetë. Në këtë rast, vishem e tëra me të zeza (pantallona, bluzë, sandale). Hyj në shtëpi, më përshëndet me dy puthje ne faqe dhe fillojmë të flasim për gjithçka dhe asgjë në të njëjtën kohë. Nga mosbesimi mendoj se biseda do t’i shërbejë për të më nxjerrë ndonjë informacion, por nuk më pyet as çfarë pune bëj, as nëse kam të dashur, as çfarë më pëlqen të di. Është një muhabet i përgjithshëm: Si është koha, sa trafik ka në qytet, sa ndërtime bëhen… Nuk e di nëse është e mërzitur dhe kërkon të flasë më dikë apo është një pjesë e ritualit të saj. Pa e pyetur, ajo vetë m’i sqaron dyshimet. Thotë se duhet të ekzistojë njëfarë harmonie mes personit që do të dijë diçka dhe atij që lexon filxhanin para se të fillojë ceremonia. Nëse jo, interpretimi i filxhanit është shumë i vështirë. Me sa duket, kemi krijuar harmoni të mjaftueshme, sepse ajo më fton ta shoqëroj në kuzhinë, ku përgatit kafenë turke. Kur ajo është gati, më kërkon të përqendrohem dhe të relaksohem, ndërkohë që shtie kafen në dy filxhanë (jo se ajo do të lexojë filxhanin e vet, por me sa duket, i vjen gjumë dhe përveç kësaj, është e edukuar: Nuk do që unë ta pi kafen vetëm). Më thotë të mendoj pyetjet që më pëlqen t’u di përgjigjen, ndërkohë që rrufit kafenë. Mua më shkojnë nëpër mend këto pyetje: “Do të më ecë mirë puna? Kur do të martohem? Do të kem fat të keq? Nëse përgjigjet do të jenë të këqija për mua dhe megjithatë do të jem e lumtur, a do të çmendem fare? E pi shpejt kafenë dhe ajo më thotë thotë të kthej filxhanin. Tani duhet pritur disa mintua (përsëri muhabete për kohën). Pastaj, ngre filxhanin dhe gjëja e parë që më thotë është se do të kem fat në jetë. Mendoj se kurrë nuk jam ndjerë kaq e lehtësuar më parë. Pasaj më thotë se në dashuri do të kem disa ndryshime (kjo është diçka e mirë, sepse ka kohë që zemra s’më ka rrahur fort), pastaj më flet për udhëtime, një sukses (pak e vagullt, por më pëlqen). Pastaj më thotë se nga familja do të kem shumë mbështetje dhe ndihmë. Pastaj, ashtu si lexuesi i dorës, më thotë se nuk sheh fëmijë dhe do të jetoj të paktën disa vjet në një kontinent tjetër. Në fund, më këshillon të vë në punë një projekt (për momentin nuk kam ndonjë projekt, por nëse duhet vënë në punë, do të vihet) dhe që të tregohem besnike ndaj miqve, që kanë ndikim të mirë mbi mua. Dal nga shtëpia e saj shumë më e relaksuar se nga eksperiencat e mëparshme dhe ajo më përcjell duke më dhënë një lajmërim shqetësues: “Mos ji kaq negative në mendimet e tua”. Ose dallohej në fytyrë çfarë po mendoja, ose e zeza tregon pesimizëm, ose kjo grua është vërtet fallxhore “nga lindja”.

Konkluzioni
Kështu, pas tri vizitave, nuk sqarova ndonjë gjë të madhe. Secili mund t’i interpretojë fjalët e fallxhorëve si të dojë. Ekziston një mundësi 33% që të kem tre vëllezër ose motra (sepse numri varion nga 1 në 3) dhe me sa duket, e gjithë bota (përveç meje) ka pasur në shkollë një shoqe me emrin Linda. Gjithashtu, shumë të përgjithshme janë edhe të dhënat mbi miqtë e familjen. Përsa u përket të dhënave të tjera, mendoj se janë më shumë rastësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *